Në gjykatat shqiptare të shkallës së parë janë në shqyrtim qindra kërkesa të Institutit të Sigurimeve Shoqërore ndaj një sërë bankash të nivelit të dytë, lidhur me rikthimin në fondin e sigurimeve shoqërore të shumave të parave të kredituara në llogarinë e pensionistëve, të cilët kanë ndërruar jetë.
Në këto raste, nisur nga statusi ligjor i llogarive bankare individuale, për kthimin e shumave, bankat kërkojnë një vendim gjykate.
Mbështetetur në këto ankimime, nga praktika e përditshme kanë rezultuar raste, sidomos ndër pensionistët që janë rezidentë jashtë shtetit, se kur pensionisti ka ndërruar jetë, çregjistrimi i tij në regjistrin e gjendjes civile është bërë me vonesë, ndërkohë që pensioni ka vazhduar t’i kreditohet në llogarinë e tij bankare edhe pas ndarjes nga jeta.
Në shumicën e rasteve, këstet e gjeneruara për pagesë, për llogari të pensionistit, nuk janë tërhequr dhe kanë mbetur në llogarinë e tij bankare, janë bllokuar për t’u bërë të pa pagueshme, por nuk mund të kthehen në llogaritë e fondit me kërkesë zyrtare të organeve të Sigurimeve Shoqërore.
Për zgjidhjen e kësaj problematike qeveria ka parashikuar një projektligj, për nxjerrjen e një vendimi nga ana e organeve të sigurimeve shoqërore që përbën titull ekzekutiv të detyrueshëm për t’u ekzekutuar nga bankat.
Ndryshimet përcaktojnë procedurën e rikthimit në fondin e sigurimeve shoqërore të shumave të kredituara në llogarinë e pensionistit, pas vdekjes së tij, për shkak të çregjistrimit me vonesë nga regjistri i gjendjes civile.
Nëpërmjet një vendimi që organet e sigurimeve shoqërore nxjerrin dhe që përben titull ekzekutiv, i ekzekutueshëm nga banka, shumat e bllokuara i rikthehen fondit të sigurimeve shoqërore.
Shtesa në ligj ka për qëllim dhënien e të drejtës organeve e sigurimeve shoqërore të nxjerrin titull ekzekutiv për të bërë të mundur kthimin në llogaritë e sigurimeve shoqërore të kësteve mujore të pensioneve që janë gjeneruar dhe kaluar padrejtësisht në llogarinë bankare të pensionistit.
Bazuar në legjislacionin e sigurimeve shoqërore, ISSH gjeneron dhe xhiron pensionin mujor në llogarinë bankare dhe në degën e bankës që ka zgjedhur vetë pensionisti, për çdo muaj.
Kreditimi i pensionit ka limitin deri në gjashtë muaj. Çdo 6 muaj pensionisti duhet të konfirmoj në bankë rregullshmërinë e pagesës së përfitimeve, në këtë mënyrë edhe qënien e tij në jetë.