Intervistë me kirurgen Zyliha Kraja, dhënë për BBC në Shqip.
“Shkodra ka pasë mjekë të mirë, e ka pasë traditë
dhe vazhdon të ketë mjekë të mirë.”
Zyliha Kraja lindi në qershor të vitit 1940 në Shkodër. Ajo
është mjekja e parë kirurge në Shkodër, si dhe ndër të parat
femra në këtë profesion në Shqipëri. Mjekja e njohur Zyliha
Kraja filloi punën si kirurge rreth 40 vite më parë dhe sot megjithëse në pension vazhdon të japë kontributin e saj në sallat
e kirurgjisë në spitalin Rajonal të Shkodrës.
Znj. Kraja, ju i keni plotësuar tashmë vitet e punës dhe zyrtarisht jeni në pension, por në fakt
nuk e keni hequr bluzën e mjekut. Unë personalisht ju kam parë shpeshherë në spital, kjo do të
thotë se profesioni për ju nuk ka moshë?
Ky lloj profesioni në qoftë se ke shëndet të mirë nuk ka
moshë, por ka një favor, që me stafin që unë punoj, është
një staf i ri afërsisht rreth të 40-ve në moshë, më kanë mirëprit, më trajtojnë shumë mirë, më mbajnë afër dhe kjo
ka rëndësinë e vet, prandaj unë vazhdoj të punoj. Natyrisht
dëshira është e madhe të punoj derisa të kem forcë.
Kjo do të thotë, që ju daljen në pension nuk e
keni pritur mirë?
Asnjeri nuk e pret mirë pensionin. Kur je i ri thu aman
të dal në pension, kur vjen mosha, nuk ke se çfarë të bash.
Unë isha mësu me një punë voluminoze, natyrisht është
punë me sakrifica, por më duket se më kënaq, megjithëse
kam këtë moshë, nuk e ndjej vedin aq të lodhun, natyrisht
është edhe ma pak përgjegjësi tashti që ndjej, se më përpara
kam qenë mjeke primare, tani asistoj, të paktën ndodhem
në punë, baj atë punën që kam kënaqësi, kjo më mban
ndoshta edhe gjallë.
Flasim pak, për ato fillimet tuaja në këtë profesion, mjekësia ishte profesioni që ju keni zgjedhur vetë, keni dëshiruar apo fillimisht ishte
diçka që ju detyrua?
Dëshira ime ishte të vazhdoja mjekësinë, m’u realizua,
pata edhe kushtet, në atë kohë duheshin plotësuar edhe
disa kushte, ato i plotësoja. Kam pasë dëshirë që fëmijë t’i
ndihmoj tjetrit dhe mendoja, që kjo ishte puna që më jepte
ma kënaqësi, e zgjodha dhe m’u realizu.
Po më pas specialiteti i kirurges ishte përsëri një
dëshirë e juaja apo edhe kjo ju ofrua?
Kjo m’u ofrua nga doktor Ramiz Hafizi, ishte shefi i
kirurgjisë. Ai më shifte se isha shumë e apasionume pas
punës dhe më tha: pse nuk hyn në kirurgji.
-Po punoj, po nuk e di, ndoshta nuk më realizohet kjo
dëshirë, i thashë. E dijsha që është e vështirë, por nuk i
dija të gjitha vështirësitë, nuk e mendoja se kështu do të
ishte, megjithatë më doli mirë. E kam marrë pak me kurajo,
gjithmonë kurajon e rinisë, kur je i ri, të duket se mund të
bash gjithçka.
Kur iu thashë se do kisha dëshirë me vazhdu kirurgji,
se unë kam studiu për pediatri, kam studiu në Çekosllovaki
dhe vitin e fundit e kam ba në Tiranë, derisa jam pediatre,
pse nuk mund ta baj kirurgjinë. E dobët isha me shëndet,
e vockël me trup, por forcë fizike kam, e re jam, mirë kam
dalë me mësime, përse të mos ta vazhdoj, edhe nuk ma
penguan. U realizua edhe kjo.
Znj. Kraja, a e kujtoni operacionin e parë që keni
kryer, si jeni ndjerë?
Me emocione të mëdha. Operacioni i parë, jo shikimin i
parë kur operonin të tjerët e kam pasë si një lloj debulese,
dhe pastaj mblodha veten dhe thashë: ky është profesioni
yt. Kur je në profesion nuk i ke emocionet që i sheh një i
jashtëm. Edhe unë kam këto emocione: jashtë jam shumë
e emocionume kur ndodh një aksident, kur jam në punë,
jam në punë dhe nuk më bën përshtypje asgja, vetëm si e
si ta shpëtoj.
A keni patur momente të vështira gjatë punës
në spital, e kam fjalën për ato raste që një mjeke
nuk mund t’i harrojë?
Kur ke shumë vite dhe ke punë shumë natyrisht ke edhe
raste të vështira, por unë kam një fat, kam pasë stafin shumë të mirë në spital, kanë qenë shumë pozitiv, kemi shku
shumë mirë, e kemi mbështet njeri- tjetrin dhe në momente
të vështira gjithmonë më kanë ndihmu. Dhe kur më kanë
zgjedhur shefe reparti, i thashë: se nuk mund ta baj, se e
kam të vështirë. Më thanë se do ta bash me ne. Atëherë, u
thashë, në qoftë se kam mbështetjen tuaj, unë besoj se do të punoj bashkë me ju. Shkodra ka pasë mjekë të mirë, e ka
pasë traditë dhe vazhdon të ketë mjekë të mirë.
Marr shkas nga një film shqiptar “Plagë të vjetra”, personazhi kryesor i këtij filmi, një malësor i moshuar, nuk pranon të operohet nga një
kirurge, duke mos pasur besim në aftësitë e një
femre. Ju si mjeke në këtë specialitet a jeni hasur ndonjëherë me këtë mentalitet?
Sheshherë në fillim, por kur fitova një farë eksperience,
një farë vetësigurie edhe për natyrë kam qenë pak sportive
edhe e vendosja që unë këtë do ta bëj dhe ai u stepte karshi
meje dhe e pranonte, po me vështirësi. Kam pasë një rast,
do bëhej operacion një burrë, ishte nja 47 vjeç, unë atëherë
isha 28 vjeçe, nuk ia mbusha edhe synin, e para si femën
dhe e dyta kishte edhe turp.
- Shtriju, të lutem, – i thashë.
- Jo, unë du doktor.
- Po, mirë i thashë, po të gjej një doktor.
- Dal, bi doktorin, e kisha pa bashkë me të, unë vë kapelen, vë maskën, lahem futem në operacion, ky nuk më sheh
fare, nuk më njeh. E operova, kur u çu ai, hoqa maskën
dhe më thotë: prap ti më bane? - -Më fal, më tha. Ndoshta ishte mosbesimi, të qenit femën. Kështu e kam fitu, me vështirësi pak besimin e pacientëve.
Si ndihet një mjeke znj. Kraja, kur gjatë një operacioni konstaton që pacienti nuk ka shpresë
për jetën?
Përpjekja do të jetë se gjithmonë diçka do të bësh. Ti
mund t’i thuash familjarit që është i vështirë operacioni, ka
ardhë në gjendje të rëndë, nuk di si do ta kalojë, megjithatë
ky duhet ba, shanset nuk duhen të humbin kurrë. Gjithmonë kam pasë një shpresë se gjithçka mund të ndodhin,
varet se nuk është gjithçka vetëm sëmundja, është edhe
organizmi, koha kur ka ardhë, specifika e sëmundjes, momenti, natyrisht pregatitja, nuk punoshim vetëm, me staf.
Edhe sot punohet me staf.
Sa e vështirë është për një grua, për një bashkëshorte, për një nënë siç jeni ju, profesioni i
kirurges?
Kjo është një sakrificë e madhe, prandaj edhe femrat
s’ shkojnë shumë në këtë zanat, sepse duhet të kesh edhe
kushtet lehtësuese në familje. Unë kam pasë fat të madh
me burrin tem, Fadil Kraja, i cili më ka mbështet gjithmonë,
më ka ndihmu dhe ndonjëherë në moment dëshpërimi (që
nuk ishte ndonjë i sëmurë mirë), shpesh mërzitesha, sepse
e kam jetu shumë profesionin, më thoshte: hajt se ke edhe
shokët aty, je e re, mos u mërzit, në shtëpi të ndihmoj unë.
Nuk kërkonte në shtëpi ndonjë përgatitje të madhe, se natyrisht kam lanë edhe shumë gjana edhe mangut.
Në një intervistë që ka dhënë po për BBC-në pak
kohë më parë, bashkëshorti juaj, dramaturgu i
mirënjohur Fadil Kraja, na ka treguar se ju keni
qenë frymëzimi i tij për një nga personazhet
e dramave që ai ka shkruar. Është kështu: për
“Sinjalet e natës”?
Po unë shkojsha në kinema, më duhej të çohesha nga kinemaja për rastet e urgjencave, nuk kam pasë orar as të
gjumit, as të ngrënies, as të zbavitjes, gjithkund shkojsha
me adresë, dhe me thanë të drejtën asnjëherë nuk kam
shku me përtesë. Siç është ajo kanga (se mund të duket
qesharake): me gëzim po shkoj në punë, unë aty kam shku
me kënaqësi të madhe në punë. Kur merrshim pushimin,
siç quhej 15-ditëshi, ne kishim një muaj pushim, s’kam
ndejt ma shumë se 15 ditë, se kirurgu nuk duhet të largohet
shumë se humb edhe shkathtësinë e duarve, shkurt unë
jetojsha me punën.
Dhe personazhi në dramën “Sinjalet e natës”
ishte një suprizë që jua bëri bashkëshorti apo
e përjetuat më përpara këtë, e ndihmuat që ta
shkruante?
Çdo projekt, që Fadili kishte e bisedonte me mu përpara,
jo se kërkonte mendim, por donte ta ndante atë kënaqësinë e
tij, unë bile i bajsha ndonjëherë vërejtje, e cila ishte ndoshta
edhe pa vend, po pak drastike. I thosha: hiqe këtë se nuk
shkon, disa gjana m’u dukshin si vulgare (ndonjë shprehje). Më thonte:
nuk t’i jap m’i lexu, se
ti je shumë e ashpër në kritikë.
Prae kemi ditë se kur
do shkruhet, kur do bahet dhe ku do
të jepet shfaqja.
E kam ndjek jashtëzakonisht Fadilin,
po ashtu edhe ai
punën time.
Znj. Kraja si mendoni sa ka evoluar kirurgjia në
Shqipëri, e në veçanti këtu në Shkodër, që nga
fillimet tuaja deri sot?
Ka një evolim të vetë shkencës, që ka ecë, janë mjaft të
përgatitun edhe nga ana teorike, por janë të përgatitun edhe
nga ana praktike, i kanë mundësitë me ecë, mjetet tona të
punës kanë qenë shumë të varfra, shumë gjana i kena ba me
dorë. Ka ndërru edhe anestezia, sot bahet shumë ma lehtë.
Ne gjithçka e kemi ba me lidhje, me pak mjete, strukturat
i kemi pasë krejt të vjetra, me mëndafsh kena punu. Sot i
ke të gjitha të gatshme.
Cili është konstatimi juaj si mjeke sa i përket
ndërgjegjësimit të popullatës së këtushme për
kujdesin ndaj shëndetit? Si ka qenë dhe si është?
Ka pasë një organizim tjetër: e para, kanë qenë ligjet
ma të rrepta dhe në qoftë se një i sëmurë nuk ka qenë i
vetëdijshëm që duhet të vijë në operacion, kena pasë ligjet
përpara, e kena detyru. Sot, i thu të sëmurit: don me u
operu, s’don me u operu, e ven para përgjegjësisë jo shtetërore, por personale. Ai do të vendosë me e ba ose mos
me e ba. Sot ka një informacion ma të plotë, sot për një gjë
dëgjon në televizor, e lexon në gazetë dhe vjen menjëherë:
kam frikë mos kam këtë, mos kam atë dhe sëmundjet na
duken se na janë shtu, por është t’u u shtu edhe mënyra
e diagnostikimit. Sot ke eko, rezonanca, skaner, të cilat
tashma i kena edhe në Shkodër.
Shpeshherë pacientët, njerëzit që kanë nevojë
për ndërhyrje i drejtohen Tiranës ose edhe jashtë shtetit, duke neglizhuar pak shërbimin që i
ofrohet në qytete, në rrethe. A është i drejtë për
ju ky mentalitet?
Rastet që është e nevojshme me shku në Tiranë, që janë
disa ekzaminime të veçanta, që hala në Shkodër nuk po i
sjellin, ne i dërgojmë vetë, rastet e zakonshme shkojnë si
opinion. Është hala ai opinion me shku në Tiranë ose jashtë
shteti. Tashma edhe këtu ne Shkodër po bahen të gjitha,
me përjashtim të rasteve të veçanta.
Këshilli Bashkiak i Shkodrës ju ka akorduar çmimin “Qytetare nderi” para dy-tri vitesh. Si jeni
ndjerë nga ky vlerësim?
E falënderoj Bashkinë për këtë, por ndoshta edhe nuk e
kam vujt fort që ta marr këtë titull, pse unë e ndjej respektin që kanë familjet e Shkodrës dhe jam shumë e kënaqun
që kam jetu në këtë ambient, ndoshta njoh psikologjinë e
shkodranëve nuk e di, po unë mund të them që jam ba si
ai i gjendjes civile, në çdo familje kam hy.
Znj. Kraja, përveç mjekësisë çfarë ju tërheq tjetër në jetë?
Muzika, e vetmja që më ban me harru shumë gjana,
natyrisht lexoj, ndjeki ato shfaqje të pakta që kemi, në aktivitete shkoj kur më ftojnë, po arti më pëlqen, muzika më
pëlqen e çdo lloji dhe më shumë muzika klasike.
Marrë nga libri: “GJURMË ZËRASH”, me autor Adrian Hoti