Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ka bërë një bilanc të vizitorëve që kanë preferuar të shohin pikat turistike të këtij qyteti e në veçanti të atyre që janë regjistruar si vizitorë të kalasë së Rozafës.
Muaji qershor ka rezultuar të ketë qenë i suksesshëm përsa i përket numrit të lartë të turistëve, vendas e të huaj.
“Muajin qershor të vitit 2022, e përmbyllëm me 10,358 vizitorë që zgjodhën Kalanë e Rozafës si një ndër destinacionet më të preferuara këtë verë”, bën të ditur DRTK Shkodër, në njoftimin e saj.
Thënë ndryshe, bëhet fjalë për 4, 421 vizitorë më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo shifër e lartë vizitorësh, shënon një rritje motivuese për turizmin kulturor dhe interes të shtuar për vizitat në sitet e trashëgimisë.
Më herët DRTK Shkodër njoftoi edhe nisjen e punës për hartëzimin e banesave të shpallura “Monumente Kulture” dhe vendosjen e pllakateve të mermerit, një nismë që do të ndihmojë vizitorët në identifikimin e këtyre monumenteve.
Kalaja e Rozafës, një vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer, po mahnit gjithnjë e më shumë vizitorët. Rikualifikimi i kalasë së Rozafës përmes ndriçimit, një investim i Ministrisë së Kulturës, e ka kthyer atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje.
Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: e Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë Mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare. Gjatë vitit 2021 kjo kala u vizitua nga mbi 51 mijë turistë vendas e të huaj./ATSH