Kadastra e Shkodrës legalizon një pronë sipër kolektorit, dy fqinjë në sherr me njëri-tjetrin!…

Shpërndaje

Nëse mendoni se kjo që do iu tregojmë është një nga historitë e zakonshme me konflikte mes pronarësh të pretenduar, mund t’ju themi që gaboheni. Sepse përtej pretendimeve të këtij zotërie, problemi është më i thellë. Sepse vetë Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Shkodër ka shkelur ligjin me dy këmbë duke legalizuar një objekt që ndodhet sipër kolektorit të qytetit.

Ndërkohë që konflikti mes dy fqinjëve është bërë edhe më i ashpër, sepse pasi ka legalizuar pronën, Gëzim Breza, ka kërcënuar fqinjin e tij, Ardian Hysa, madje duke i përmendur dhe djalin. Ndërsa i ka vënë një kamer që kap çdo lëvizje në biznesin e tij, duke i cënuar dhe privatësinë.

Ada Selimi, e cila mban detyrën e përgjegjëses së legalizimit në Kadastrën e Shkodrës, e gjendur përballë mungesës së argumenteve, pohonte vazhdimisht vetëm diçka: Do thërras Policinë dhe do të shkoni në Gjykatë. Ndërkohë meqë ajo nuk e mbajti fjalën, shkuam ne në Prokurorinë e Shkodrës, ku depozituam një kallëzim ndaj Agjencisë së Kadastrës Shkodër.

Ndërsa në bisedën telefonike që patëm me kreun e ASHK-së Shkodër, Granit Korbi, firma e të cilit ndodhet në dokumentin e legalizimit, ky i fundit shprehet se kjo nuk është normale pasi nuk ndërtohet sipër kolektorit. Normale e dimë që nuk është, por do të ishte mirë të ishte përgjigjur për pyetjen që i bëmë, se përse u legalizua dhe se kush duhet të mbajë përgjegjësi.

Sidoqoftë, shpresojmë që përgjigjen do ta marim nga prokuroria e Shkodrës, e cila ka detyrën ligjore të zbardhë këtë skandal që nis dhe mbaron në dyert e kadastrës së Shkodrës.

© SYRI.net

Shpërndaje