Jurgen Uldedaj shkëlqen në Manchester, shënon fitoren e 20-të në boksin profesionist…

Shpërndaje

Jurgen Uldedaj ka arritur një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën e tij, duke shënuar fitoren e 20-të në boksin profesionist. Në mbrëmjen e 5 prillit, në arenën gjigante “Co-op Live” në Manchester – më e madhja në Angli me kapacitet 23,500 spektatorë – boksieri shqiptar mposhti rivalin nga Kili, Gerardo Mellada.

Ndeshja ishte e fortë dhe e luftuar deri në raundin e dhjetë, ku të dy sportistët qëndruan në këmbë deri në fund. Me vendim unanim nga gjyqtarët, Uldedaj u shpall fitues, duke thelluar serinë e sukseseve në karrierën e tij, tashmë me 20 fitore në total.

Para kësaj sfide, Uldedaj mbante një rekord prej 19 fitoresh gjatë 10 viteve në boksin profesionist. Ndërkohë, kundërshtari i tij Mellada kishte regjistruar 12 fitore dhe 3 humbje.

Uldedaj është pjesë e organizatës më të madhe në botë për promovimin e boksit, “Queensberry Promotions”, dhe ka si promotor emrin e njohur Frank Warren. Ai stërvitet nga dy emra me peshë në këtë sport, Don Charles dhe Sepp Maurer.

Pas kësaj fitoreje, kampioni shqiptar është një hap më pranë ëndrrës së madhe – titullit botëror në peshën Cruiserweight, një arritje që do ta vendoste edhe Shqipërinë në hartën e madhe të boksit profesionist./RealitetiPost/

Shpërndaje