Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka dënuar sulmin ndaj kreut të PD, Sali Berisha, ku u godit me grusht në fytyrë nga 31 vjeçari Gert Shehu në protestën e opozitës.
Ajo u shpreh mbrëmjen e sotme në “Open” se sulmi ishte një provokim i rëndë ndaj shoqërisë në përgjithësi, duke shtuar se vendi rrezikon të shkojë në luftë civile.
Ndër të tjera Topalli theksoi se ky është një akt që zakonisht mund t’i ndodhë kryeministrit apo presidentit, por kurrsesi në botë nuk ndodh një incident i tillë ndaj kryetarit të opozitës.
“Agresion brutal politik, një ndër ngjarjet më të rënda të tre dekadave, agresion i egër kundër opozitës dhe provokim i rëndë ndaj shoqërisë në përgjithësi. Ndër ngjarjet më të paimagjinueshme që vjen pas disa zhvillimeve të viteve të fundit, të rritjes së arrogancës, të një shoqërie në vuajtje për shkak të pasigurisë.
Nuk besoj se është person me probleme mendore.Unë nuk di një rast tjetër në botë që i ka ndodhur një kryetari të opozitës. I ndodh kryeministrit presidentit, por kryetarit të opozitës është diccka tjetër. Jemi në 2022 nuk jemi më në 92. Kanë kaluar shumë vite dhe njerëzit janë më të lexuar dhe asnjeriut nuk i shërben.
Unë uroj që kështu nuk mund të ecim më. Uroj që të reflektojmë aq sa të kuptojmë që nëse vijohet kështu do të shkojmë drejt luftës civile, jemi shumë pak të shkojmë drejt asaj se pak po ikin jashtë vendit”, u shpreh Topalli.