Në dy përballjet e mëparshme Vllaznia nuk ka arritur t’i marrë dot pikë Laçit, por nesër do të jetë ndryshe. Mesfushori Fjoart Jonuzi në konferencën e sotme për shtyp është shprehur i bindur se në ndeshjen e rradhës përballë këtij kundërshtari, pavarësisht vlerave të tij, Vllaznia nuk do të dalë pa pikë.
“Laçin e vlerësoj maksimalisht, sepse ka një ekip shumë cilësor. Është aty me pikë afër me ne. Duhet ta vlerësojmë, por pa e kaluar vlerësimin. Të shkojmë në Laç dhe të bëjmë një ndeshje të mirë të gjithë së bashku të luftojmë për të marrë një rezultat pozitiv.
Rikthimi i Gurishtës? E vërtetë që është një armë më e fortë për skuadrën. Është kapiteni i ekipit, është forcë për ne rikthimi i tij. Do të na ndihmojë shumë në atë krah, është plus rikthimi i tij, shkojmë me besim të plotë në Laç.
Dy humbjet me Laçin? Po t’i marrim në analizë, në Laç humbëm me një gol në fund, këtu na kapi euforia e fitores pas barazimit 1-1. Edhe Laçi është një ekip i mirë, kështu që duhet të jemi pak të kujdesshëm.
Jam i bindur që nesër do të jetë ndryshe, pasi jemi pretendentë. Shkojmë me tjetër synim dhe tjetër motivim ndaj një ekipi që nuk kemi fituar akoma. Fusha e vogël? Nuk është problem, kur jemi mësuar të luamë në fushë me përmasa të mëdha, atje nuk do të jetë problem.
Ne futemi për tre pikë, sepse jemi pretendentë. Nuk kemi frikë, por do të thoja që edhe një pikë është mirë për ne. Të dyja rezultatet për ne janë të mira“.