JONUZ TAFILAJ DHE FJALORTHI I TIJ I GJUHËS SHQIPE I VITIT 1931…

Shpërndaje

Nga Xhahid Bushati

Dëshironi një destinacion të veçantë, ja përse ishulli i shurdhahut është i duhuri … Duke gjurmuar në arkiva biblioteke, u ndesha me një emër të panjohur për mua, dhe ai quhej Jonuz apo Junuz Tafilaj ( Shkodër, 13.06.1892 – nëntor 1976). U nda nga jeta në moshën 84-vjeçare. Tani në maj të vitit 2024 më shfaqet ky emër, i cili ka ndërruar jetë 48-vjet më parë, dhe me një kontribut të çmueshëm, pothuajse i papërmendur dhe i “strehuar” diku “djerrinave të kohës”, – siç thotë në një libër të tij publicistik gazetari i talentuar Frano Kulli.

Kush është në të vërtetë Jonuz Tafilaj? Gjurmimet na thonë, se ka qenë veprimtar i çështjes kombëtare, vullnetar në Luftën e Koplikut, publicist dhe orientalist me emër.

U lind në Shkodër më 13 qershor 1892. Filloren dhe të mesmen (Shkollën ushtarake “Ruzhdije”) i kreu në Vendlindje. Gjatë pushtimit dhe administrimit Austro-Hungarez, Jonuzin e burgosën, sepse ishte një nga nismëtarët e demonstratës në mbrojtje të “Xhamisë Plakë”, në lagjen “Zdralej”, në Shkodër. Jonuz Tafilaj, më 1919, është ndër themeluesit e Shoqërisë “Vëllazënija” së bashku me Hilë Mosin dhe Kel Marubin. Më pas Tafilaj bëhet sekretar i kësaj Shoqërie. Kontribuoi në radhët e të përkohshmes “Agimi”, organ i “Vëllazënisë”, me artikuj të ndryshëm. Veçanërisht shquhen shkrimet me trajtesa të thella, si për shkrimtarin Namik Qemal dhe për Oson e Falltores, etj. Të mos harrojmë se Tafilaj ishte dhe një aktor amator i talentuar. Interpretoi dhe u dallua në komedinë “Shërbëtori i dy zotnive”, si dhe në pjesën “Erminia e vorfën”; pjesë që u vunë në skenë nga shoqëria. Më pas u bë anëtar i shoqërisë “Bashkimi” themeluar nga Avni Rustemi. Më 1920 mori armët dhe shkoi për të luftuar në Luftën e Koplikut. Shënojmë se, Tafilaj ishte dhe sekretar nderi në Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosvës”. Përkrahte opozitën e viteve 1920-’24 drejtuar nga patrioti Luigj Gurakuqi dhe Sulçe beg Bushati. U radhit ndër anëtarët e shoqërisë “Bashkimi” që u pajisën me armë pas Lëvizjes së Qershorit. Më 1931 botoi “Fjalorth shqip” nga shtypshkronja “Shkodra”, në Tiranë. Më 1936 botoi tek e përkohshmja “Afrimi” e Vlorës shkrimin Gjuha e jonë e martirizueme nga shkrimtarët e saj me pseudonimin J. Jalifati. Radhitet ndër botuesit e të përkohshmes “Përpjekja shqiptare”. Më 1937 është sekretar i përgjithshëm i Kryqit të Kuq Shqiptar.

Pas 1944, u mor në shërbim prej Institutit të Shkencave si përkthyes, më pas vijoi i tillë në Arkivin e Shtetit. Në mars të 1945, i caktuar nga ministri i shtypit, propagandës dhe kulturës popullore Sejfulla Malëshova, u ngarkua të kontrollonte librat, dorëshkrimet dhe dokumentet e tjera që ndodheshin në bibliotekën e Syrja dhe Eqrem Vlorës. Pas kontrollit dhe raportimit që kreu me këtë detyrë, biblioteka private e Vlorajve u shtetëzua.

Së bashku me Myqerem Janinën dhe Eleni Dukën përkthyen një pjesë të mirë të fermaneve të Perandorisë Osmane, duke qenë ndër kontributorët madhorë në përkthimin e katalogimin e dokumenteve osmane. Ka përkthyer gjithashtu vëllimin Historia e pashallarëve shqiptarë në Perandorinë Osmane të Syrja bej Vlorës nga osmanishtja. Përktheu romanin “Jaban – I huej” të shkrimtarit turk Yakup Kadri Karaosmanoğlu, botuar më 1943; si dhe romanin “Mësuesi idealist” të shkrimtarit bullgar Grigori Petroff, botuar më 1944.

E përmendëm më lart, se në vitin 1931 botoi “Fjalorth shqip” nga shtypshkronja “Shkodra”, në Tiranë. Duke u njohur me këtë vepër dhe vlerat e saj; autori Jonuz Tafilaj “Fjalorth-in” e tij e shoqëroi me një parathënie të titulluar ” Dy fjalë”. Atëhere Tafilaj ishte 38-vjeç.

Po njihemi me parathënien e autorit, të titulluar “Dy fjalë”.

Vëllimi fort i vogël i këtij fjaluer as bán as meriton me vuem në krye të tij nji parathanie gadi si të zakonshme. Prá nepër këto rreshta nuk ndjek tjetër qillim, veçse të rrëfej se si më leu idhéja me pirpiluem kët fjaluer.

Vjetin e kaluem ishe emnuem prej Këshiellit të Komunitetit Musliman si mësues i përkohshëm i gjuhës Shqipe në nji kurs të Medresës së Naltë. Gjatë mësimevet e sidomos tue u marrë me ushtrime lezimi vrrejta nji gjâ: se nëzânësit ndesheshin në nji vështërsí të pá-shpërblyeshme në kuptim të shum fjalëve të hueja të përdoruna në Shqipe prej shkrimtarëvet. Atëherë më hyni në krye me i u bám atyne nji nderë të vogël. Mblodha fjalët e hueja qi muejta me tokue aty-këtû ndër libra e fletore ‘dhe i radhova, për sá më qe e mundun, nën nji rènd alfabetik. E kshtû leu ky fjalorëth.

Mirë po ‘dhe un n’ anë tjetër u perballova me nji pêngim: Me mungesen e të hollave për t’a botuem fjalorin. M’erdhi në ndimë dhe më siguroj shtypjen e fjalorit Firma “Taraboshi” në Shkodër, e cila perpiqet me flijet e saja jo vetëm në lamen ekonomike për t’ i a ndryshuem fytyren e zbét por madhtore të Shkodrës, por orvatet me dhanë perkrahjen e duhun edhe në fushen intelektuale, si e provoj kët shteg me vepren e saj bâmirse.

Prá, në se nëzanësat e Medresës së Naltë a po ndokush tjetër ka me korrë ndonji dobí sado të vogël prej këtij fjaluer, i tanë meritimi në kët rasë âsht i Firmës në fjalë.

Kjo vepër e “Taraboshi” – t të jetë shembëll për pasanikët e qyteti të Shkodrës!

Tiranë, me 10 Shtatuer 1930

J. Tafilaj

* * *

Ky Fjalorth edhe pse i vogël është një enciklopedi, ku ndiçojnë fuqishëm kultura e modestia, argumenti dhe realiteti, dashuria dhe ndihmëtari, si dhe gjeneza, ku Jonuz Tafilaj lindi, e, ajo quhet Shkodër. Kujtojeni edhe një herë përcaktimin dhe vizionin për të: “… për t’ i a ndryshuem fytyren e zbét por madhtore të Shkodrës, …”.

E shfletoj me kujdes çdo fletë të Fjalorthit; ndalem te shpjegimi dhe analiza linguistike e çdo fjale dhe mendohem… Po, po mendohem për rrugëtimin, sprovat, vështirësitë e autorit Jonuz Tafilaj për të kërkuar në vend të fjalës së huaj gjegjësen me brumë të shqipes.

Është e pamundur të mos vëresh: pasionin, literaturën e gjerë të shfrytëzuar… etj. Për gjurmët që nuk treten dhe kulturën që ka lënë shenja jete në çdo fjalë të analizuar, Jonuz Tafilaj duhet lavdëruar dhe përgëzuar. Sepse, në panteonin e madh të Fjalorëve, diku si një gur i çmuar dritëson në dimensionet e veta edhe ky Fjalorthi i vogël i Gjuhës shqipe me autor Jonuz Tafilaj.

Shkodër, 07.05.2024 ( Xhahid BUSHATI )

Shpërndaje