JONUZ: RESPEKT PËR LAÇIN, POR NE JEMI VLLAZNIA…

Shpërndaje

Ka luajtur dy vjet e gjysëm në Laç dhe e njeh mirë këtë skuadër, por nesër është i bindur se do të jetë Vllaznia ajo që do të dominojë në fushë. E thotë këtë mesfushori Fjoart Jonuzi në prononcimin e tij për mediat një ditë para sfidës së rradhës për kampionat.

Kam kaluar në Laç dy vite e gjysëm të mrekullueshme dhe i jam mirënjohës kësaj skuadre për periudhën që kam qenë aty. Tani jam tek Vllaznia dhe e vlerësojmë maksimalisht këtë kundërshtar i cili ka cilësi në rradhët e tij dhe ka vite që është pjesmarrës në Kupat e Europës. Por ne jemi Vllaznia. Kemi besim tek grupi, tani nuk ka pse të kemi presion. Do të shkojmë në Laç thjesht me idenë për të bërë lojën tonë dhe besoj se do të marrim një rezultat pozitiv.

Normalisht që jam i kënaqur. Çdo futbollist do kohën e vet që të ambjentohet me grupin ndërkohë që unë jam bashkuar i fundit me grupin. Më bëhet qejfi që kam filluar të krijoj besim tek stafi dhe tek trajneri dhe shpresoj t’ia shpërblej më mirë.

Normalisht që kam emocione sepse kur je një -ish, emocionet janë të pranishme, por tani jam i fokusuar tek ekipi im dhe shpresoj të marrim një rezultat pozitiv.

Laçi është një ekip që karakteristikë të tij kryesore ka lojën agresive. Ne duhet të shkojmë atje me qetësi, normalisht që duhet t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë, por duhet të ruajmë edhe qetësinë sepse nuk e kemi aq shumë atë presionin e pikëve, kështu që jemi në pozita më komode.

Jam shumë i kënaqur që jam pjesë e kësaj skuadre. Vllaznia ka një ndër tifozëritë më të mira në Shqipëri dhe atmosfera shihet kudo nëpër qytet ku është një ambjent shumë miqësor. Normalisht edhe kur rezultatet janë të mira, edhe të respektojnë dhe ne shpresojmë të vazhdojmë kështu sepse na ndihmojnë shumë edhe për ecurinë e ekipit.

Do shohim si do e vlerësojë stafi teknik, nëse janë të kënaqur me mua apo jo. Normalisht që dëshira është të vazhdoj të luaj për Vllazninë.

Shpërndaje