Jetmir Shpuza: “RTSH kërkon drejtim të ri – Ja pse kandidoj për Drejtor të Përgjithshëm…

Shpërndaje

Jetmir Shpuza shpall zyrtarisht kandidaturën për Drejtor të Përgjithshëm të RTSH-së, duke sjellë në vëmendje një garë të gjatë dhe të ngarkuar me sfida, tensione dhe përplasje institucionale. Me një përvojë të gjatë në menaxhim mediatik dhe një njohje të thellë të institucionit, ai shfaqet si një kandidat i vendosur për ta kthyer RTSH-në në një model të shërbimit publik për qytetarët shqiptarë.

Postimi i Jetmir Shpuzës:

Jam zyrtarisht kandidat për drejtor i përgjithshëm i RTSH-së!
Historia e këtyre muajve të garës për kreun e RTSH-së është një thriller i vërtetë me përplasje, votime, ballafaqime, ndërhyrje pa fund, intriga,lobingje dhe interesa politike e jashtë politike, Komisioni i Medias, shkrirja e Këshillit Drejtues, zgjedhja e Këshillit të ri… Gara ndaloi pikërisht në momentin kur unë u kualifikova ndër dy kandidaturat që do shkonin në Këshill për dëgjesën.
RTSH-ja ka gati 8 muaj pa titullar, si një tren i ndalur në stacion në pritje të urdhërit të lëvizjes.
Unë kësaj gare i kam hyrë, sepse për mua ky institucion është pasion, është emocion, është mision, është ambicje, është sfidë, është familje.
Nga konkurrentët e janarit isha i vetmi që plotësoja kushtin e nenit 10, pika ç të statutit të RTSH-së (për mbi 5 vjet pozicione menaxhimi në media, teknologji komunikimi dhe digjitale, shkenca komunikimi).
Une besoj se kam projektin më të mirë për të drejtuar RTSH-në!
E njoh atë institucion nga brenda, njoh përpjekjet e dhjetra apo qindra profesionistëve nga dita në ditë, njoh të sotmen dhe të kaluarën e tij, kam parë përparime dhe stopime në rrugën drejt qëllimit.
Lufta ime është për ta kthyer televizionin publik shqiptar (RTSH) në median e dashur të shqiptarëve. Paula Kreger, presidentja dhe CEO e PBS, televizionit publik të SHBA, thotë se “Televizioni publik vazhdon të shërbejë si një fener i medias dhe nxitëse për miliona amerikanë.” .
Dhe pse të mos jetë RTSH-ja një fener i medias dhe një nxitëse për publikun shqiptar?
Sot po i sillen re të zeza mbi krye RTSH-së dhe ne duhet ta ndalim shtërngatën, të projektojmë ringritjen.
Uroj që gara të jetë e ndershme dhe të respektohen rregullat e vendosura në ligj dhe në statutin e RTSH-së.

Shpërndaje