Jepnin para për vota, SPAK ndalon aktivistin e LSI-së, Elis Babo, ende në kërkim kandidati për deputet, Etion Joka…

Shpërndaje

Policia e Tiranës ka ndaluar një militant të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edison Babo për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, një ditë pasi në media u publikuan përgjimet ku flitej për blerje votash.

Policia thekson se kandidati i LSI dyshohet për një rast korrupsioni në fushatën zgjedhore, ndërsa bën me dije se ka kaluar dosjen në SPAK.

Gjithashtu policia ka shpallur në kërkim kandidatin e LSI për Tiranën, Etjon Joka, i cili gjithashtu doli me zë dhe figurë në përgjime.

Sipas policisë, janë ushtruar disa kontrolle por deri tani nuk është bërë e mundur kapja e kandidatit te LSI.

Njoftimi nga policia e Tiranës

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ndalimin për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, të shtetasit Edison Babo, 30 vjeç, si dhe shpallën në kërkim për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”,” shtetasin Etjon Joka, 32 vjeç, kandidat për deputet i një subjekti politik për qarkun e Tiranës.

Në kuadër të procedimit penal, datë 23.04.2021 të SPAK dhe bazuar në pamjet filmike të transmetuara në media dhe  rrjete sociale, këta dy shtetas janë të dyshuar për një rast korrupsioni në fushatën zgjedhore.

Shërbimet e Policisë kanë ushtruar disa kontrolle por deri tani nuk është bërë e mundur kapja e shtetasit Etjon Joka.

Materialet proçeduriale iu kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të shtetasit Edison Babo, për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”,  dhe në ngarkim të shtetasit Etjon Joka, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Shpërndaje