Jep dorëheqjen drejtori i Drejtorisë Ekonomike të Arsimit në Bashkinë e Shkodrës Ergys Ivziku
Shkruan në facebook Ergys Ivziku:
Vullneti e dëshira për të komunikuar, dëgjuar, vlerësuar dhe bashkëpunuar më ka udhëhequr gjatë gjithë periudhës time si Drejtor i Drejtorisë Ekonomike të Arsimit në Bashkinë Shkodër.
Të nderuar qytetarë,
Të nderuar kolegë e bashkëpunëtorë,
Të dashur miq!
1 vit më parë, Kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Bardh Spahia më ngarkoi me besim detyrën e rëndësishme të Drejtorit të Drejtorisë Ekonomike të Arsimit në bashki, detyrë të cilën, e kam pranuar me sens të lartë përgjegjësie e angazhimi për t’i shërbyer me përkushtim të gjithë bashkëqytetarëve të mi.
Kur bëhet fjalë për arsimin, çështjet janë më sensitive e vullneti duhet të jetë më i madh.
Jam përpjekur maksimalisht që çdo ditë të punës time t’ia kushtoj qytetarëve me ndershmëri, seriozitet, paanësi, gatishmëri, korrektësi, eficiencë, mbështetje dhe ndihmë direkte ndaj tyre.
A kam punuar siç dhe sa duhet? Kjo përgjigje i përket për analizë e gjykim të gjithë qytetarëve të Shkodrës.
Natyrshëm, e ndjej moralisht dhe institucionalisht, me kompetencë të plotë për gjithë sa shprehem të bëj bilancin e punës time thuajse 1-vjeçare në drejtim.
E kam filluar me takimin e parë në kuadër të prezantimit, njohjes dhe komunikimit nga afër me të gjithë drejtuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në terrritorin e Bashkisë Shkodër, takim që është mirëpritur dhe përshëndetur nga të gjithë, ku jam njohur me pretendimet, problematikat, shqetësimet, ankesat në lidhje me infrastrukturën në objektet e shkollave.
Kam dëgjuar sugjerimet e rekomandimet dhe kam adresuar kërkesat e tyre për ndërhyrje e investime, një pjesë e të cilave janë realizuar ndërkohë dhe kanë marrë zgjidhjet e mundshme dhe konkrete.
Sigurisht, nevoja për investime e mirëmbajtje të shkollave është e madhe. Institucioni i Bashkisë Shkodër me mundësitë financiare e buxhetin që ka, ka mbuluar mjaft shpenzime për shkollat dhe ka treguar angazhim, interesim dhe vëmendje të vazhdueshme, duke kërkuar bashkëpunim dhe financim të mëtejshëm të projekteve pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve në shkolla, në të mirë të komunitetit të mësuesve, të nxënësve e të prindërve.
Konkretisht, po listoj disa nga investimet që Bashkia Shkodër ka realizuar në këtë periudhë:
- Është realizuar rikonstruksioni i plotë i shkollës së mesme të përgjithshme “Jordan Misja” dhe është instaluar sistemi i ngrohjes me kaldaja;
- Është në fazë rikonstruksioni të plotë shkolla 9-vjeçare “Azem Hajdari”; bashkë me Kryetarin e Bashkisë Shkodër, kemi inspektuar nga afër punimet që po kryhen;
- Ka përfunduar ndërtimi i ambienteve të reja të shkollës 9-vjeçare “Ismet Sali Bruçaj”;
- Është instaluar sistemi i ngrohjes me kaldaja në shkollën 9-vjeçare “Arif Selimi”, në fshatin Vukatanë, njësia administrative Guri i Zi dhe në shkollën 9-vjeçare “Ernest Koliqi” në Shirokë;
- Është realizuar rikonstruksioni i plotë i ambienteve të tualeteve në shkollën 9-vjeçare “Branko Kadia”;
- Ka përfunduar ndërtimi i terreneve/fushave sportive në shkollat 9-vjeçare “Ali Laçej” dhe “Azem Hajdari”;
- Është kryer investimi i mirëmbajtjes dhe ndërhyrjes për përmirësimin e infrastrukturës në të gjitha shkollat e bashkisë Shkodër;
Konkretisht, po listoj disa nga projektet që Bashkia Shkodër ka paraqitur dhe ka të gatshme për implementim:
- Rikonstruksion i plotë i shkollës së mesme të përgjithshme “Kolë Idromeno”; për këtë kam paraqitur e dorëzuar personalisht projektin në një takim me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit;
- Instalimi i sistemit të ngrohjes me kaldaja në shkollat 9-vjeçare “Branko Kadia” dhe “Mati Logoreci”;
- Rikonstruksion i plotë i qendrës kulturore të fëmijëve “Kujtim Alija”;
- Ndërtimi i terreneve/fushave sportive në shkollat 9-vjeçare “Ndre Mjeda” dhe Tringë Smajli” në Grudë, njësia administrative Rrethina; në shkollën e mesme artistike të muzikës “Prenkë Jakova” dhe në shkollën e mesme të bashkuar “Adem Haxhija”, njësia administrative Postribë;
Për gjithë sa përmenda më lart, në cilësinë e drejtuesit të zyrës arsimore në bashki, jam ofruar i gatshëm dhe kam zhvilluar takime periodike me drejtues e funksionarë të ndryshëm të institucioneve arsimore në nivel rajonal e qendror, me qëllim bashkëpunimin e bashkërendimin ndërinstitucional, për të shërbyer në mënyrë efektive dhe për të mbështetur personelin arsimor në mbulimin e nevojave që kanë shkollat.
Kam qenë i hapur për takime, bashkëpunime dhe për zgjidhje. I disponueshëm për të komunikuar me të gjithë. Kam marrë përsipër të jem në shërbim të të gjithëve.
Vlen e dua të theksoj se në këtë proces të pandërprerë pune, kam pasur një kolonë të fortë mbështetjeje, punën intensive e të palodhur të stafit të kolegëve e të bashkëpunëtorëve të mi më të afërt, të cilët, e kanë kryer me profesionalizëm dhe korrektësi.
Është momenti t’i falënderoj sinqerisht, të gjithë, secilin veçmas, dhe me përulësi t’i shpreh mirënjohjen time më të madhe për gjithë punën dinamike e voluminoze që kanë realizuar gjatë periudhës aktuale.
Pa ata, nuk do kishim sukses. Puna në ekip jep fryte, bën të përmbushen objektivat dhe të arrihen suksese me punë të mira. E tillë ka funksionuar në drejtorinë tonë.
Është fat dhe kënaqësi të kesh një staf punonjësish të tillë, që punojnë me përkushtim të madh, që të kuptojnë, të mbështetin e bashkëpunojnë për gjithçka. Kur bashkëndan punën, pesha e përgjegjësisë dhe lodhjes balancohet, dhe kjo të motivon të vazhdosh me ritme më të mira e më të shpejta punën.
Shumë faleminderit!
Falënderoj për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar gjithë administratën e Bashkisë Shkodër, në nivel drejtorish, përgjegjësish dhe specialistësh.
Falënderoj përzemërsisht dhe sinqerisht z. Bardh Spahia, për mundësinë e mbështetjen e veçantë të dhënë, për besimin e treguar për ushtrimin e kësaj detyre, për të cilën, shpresoj të kem qenë i denjë dhe ta kem përmbushur në mënyrën më të mirë e më të drejtë të mundshme. Shumë faleminderit e shumë respekt për ju, Kryetar!
Një falënderim të sinqertë kam edhe për shoqërinë time, që ka qenë gjithmonë e gatshme të më mirëpresë e mbështesë. Kanë gjetur kohën të më udhëzojnë, këshillojnë, inkurajojnë dhe me vërejtjet e tyre të më përmirësojnë.
Natyrisht, një falënderim special të pamasë ia dedikoj familjes time, me mirënjohje të përjetshme që më ka qëndruar në krah në çdo vendimmarrje timen dhe ka qenë udhërrëfyesja ime në gjithë rrugëtimin tim njerëzor e profesional. Nderim dhe respekt për ta!
Në mbyllje, dua të ndaj me ju një vendim timin.
Me përgjegjësi të plotë morale, ligjore e institucionale, kam vendosur të jap dorëheqjen time nga detyra e Drejtorit të Drejtorisë Ekonomike të Arsimit në Bashkinë Shkodër.
I vetëdijshëm e krenar për gjithë sa më sipër e çdo arritje, uroj më të mirën e më të mbarën për zhvillimin e mirëqenien e qytetit tim, Shkodrës! Të gjithë bashkëqytetarëve të mi, i uroj shëndet e mbarësi në familjet e tyre!
FALEMINDERIT!