“Izraeli, një vend që vret foshnjat”, Erdogan: Hamasi nuk është një organizatë terroriste, por një grup njerëzish që luftojnë për atdheun e tyre…

Shpërndaje

“Ata duan që ne të themi se Hamasi është një organizatë terroriste. Jo, nuk është një organizatë terroriste. Ata janë një grup njerëzish që po luftojnë për atdheun e tyre”, tha Recep Tayyip Erdogan sot, duke folur para gazetarëve në aeroplanin presidencial, gjatë udhëtimit të tij të kthimit nga Riadi dhe sesionit të përbashkët të jashtëzakonshëm të Ligës Arabe-Organizata e Bashkëpunimit Islamik.

Erdogan theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë masa kundër “masakrës” të kryer në Gaza nga forcat ushtarake izraelite, duke akuzuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së për mosveprim.

“Izraeli ka humbur mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare pas sulmeve të fundit në Gaza. Edhe pse qeveritë e vendeve të ndryshme janë në garë për të shprehur mbështetjen për qeverinë izraelite, sipas ndjekjeve të tyre imperialiste, në sytë e shoqërisë Izraeli është tani një vend që vret foshnjat”, tha presidenti turk, duke shpjeguar se vendi i tij është gati të diskutojë dhe të ndërmerrë veprime me shtete të tjera si Irani për të siguruar që të ketë një fund të masakrës dhe vdekjeve të civilëve në Gaza.

“Kjo luftë do të bëhet një përballje mes së mirës dhe së keqes, gënjeshtrës dhe së vërtetës, shtypësit dhe të shtypurit”, shtoi Erdogan.

Ushtria izraelite tha sot se ishte gati të evakuonte foshnjat nga spitali më i madh i Gazës, ku zyrtarët palestinezë thanë se dy të porsalindur kishin vdekur dhe dhjetëra të tjerë ishin në rrezik pasi gjeneratorëve të spitalit u ka mbaruan karburanti dhe luftimet e ashpra u ndezën në zonë.

Shpërndaje