Qeveria italiane ka forcuar masat kufizuese anti-COVID për shtetasit shqiptarë që hyjnë në këtë shtet.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se si rrjedhojë e këtij vendimi, duke filluar nga data 26 nëntor shtetasit nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, Libani, Azerbajxhani, Moldavia, Brunei, Armenia mund të hyjnë në Itali vetëm për motive të caktuara.
Konkretisht drejt Italisë, shtetasit e vendeve të mësipërme mund të udhëtojnë vetëm për motive pune, motive shëndeti, motive studimi, motive urgjence, persona të cilët kthehen në vendin e tyre të rezidencës, familjarët e ngushtë të shtetasve shqiptarë të pajisur me leje qëndrimi të rregullt në Itali, personat të cilët kanë një marrëdhënie emocionale të provuar dhe të qëndrueshme me shtetas që janë rezident në Itali, sportist, teknik dhe gjykatës garash dhe shoqërues që marrin pjesë në aktivitete sportive olimpike, paraolimpike të certifikuara dhe me interes kombëtar.
“Shtetasit që udhëtojnë nga Shqipëria drejt Italisë, pavarësisht nga nënshtetësia dhe që kanë qëndruar aty më shumë se 120 orë do t’i nënshtrohen edhe një vetë izolimi 10 ditor, në fund të të cilit do kryejnë edhe një tampon molekular apo antigjenik”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Këto masa janë të vlefshme deri më datë 15 dhjetor 2021.