Italia, bonus deri në 500 euro nëse blen një biçikletë

Shpërndaje

Qeveria italiane ka vendosur të subvencionojë blerjen e biçikletave për të gjithë qytetarëve e saj deri në masën 70%. Kjo nismë është pjesë e planit të rihapjes së Italisë ku transporti me mjete urbane do të jetë më i kufizuar.

Për ta dekurajuar më shumë përdorimin e tij  për periudhën pas-karantinës, ministria e Infrastukturës dhe Transportit ka propozuar të inkurajojë blerjen e skuterëve, biçikletave dhe automjeteve personale me energji elektrike.

Ministrja Paola De Micheli pohoi në një intervistë për La Republica se bonusi do të vlejë për banorët në qytete metropolitane dhe zonat urbane me më shumë se 50,000 banorë.

Nëpërmjet tij synohet të paguhet nga shteti 65-70% e vlerës së mjetit, me një tavan prej 500 eurosh. Këtu përfshihen mjetet me pedalim, ato personale me energji elektrike dhe skuterë.

Propozimi është pjesë e një pakete 125  milionë euro. Ministrja saktësoi që bonusi do të jetë “erga omnes”, pra jo i lidhur me parametrat e të ardhurave por i disponueshëm për të gjithë ata që e kërkojnë atë.

Nisma po studiohet së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe po mendohen dy mënyra për ta vënë në funksionim. E para është që qytetarët të blejnë mjetet me çmimin e plotë dhe më pas aplikojnë me faturat në një platformë elektronike nga e cila do të marrin rimbursimin. Ndërsa mënyra e dytë dhe më e favorizuar nga qeveria, është që qytetarët t’i blejnë mjetet me çmimin e disbursuar. Më pas bizneset do të duhet të fusin dokumentet e shitjeve në platformë për të patur një rimbursim të drejtpërdrejtë të shumës mbartur nga shteti.

Shpërndaje