Duke u referuar në debatin publik mbi anti-islamizmin në mediumet kosovare.
Nga: Marlind Laçi
Ndodhemi në muajin e bekuar të Ramazanit e megjithatë provokimet ndaj muslimanëve shqiptar nuk kanë të ndalur. Do mjaftonte një tabelë neo-naziste e vendosur në një nga gjimnazet publike të Gjakovës që të rihapej debati i nxehtë mbi simbolin e fortë islam të mbulesës. Pamjet që vijnë nga tabela e vendosur në ballë të shkollës ‘Nexhmedin Nixha’ na kthejnë pas në memorien historike të viteve më të errëta që bota e qytetëruar mund të ketë përjetuar ndonjëherë. Mesazhet në tabelë janë plotësisht të huazuara nga koha e ekzistencës së krematoriumeve dhe e kampeve të përqëndrimit në Aushvic. Simboli i shamisë në brëndësi të ambienteve të shkollës cilësohet i barabartë me mjete që rrezikojnë në mënyre direkte jetën e njeriut. Kjo ishte një tablo e shkurtër në raport me ‘incidentin’ në Gjakovë.
Por, kush fshihet mbrapa kësaj propagande anti-islame deri në patologji në Kosovë?
Si fillim duhet të vihemi në dijeni se në Kosovë janë dy pole që orkestrojnë të gjithë propagandën anti-islame në vend. Poli i parë përfaqësohet dhe ndjek ideologjinë e ‘tre gishtave’ të Vuk Drashkoviç dhe Vojislav Sheshel, ndërsa poli i dytë përfaqësohet dhe ndjek përgjithësisht thirrjet prozelitiste të ‘frymës rugoviane’ dhe të misionarit Don Lush Gjergji. Poli i nacionalizmit serb në të gjithë ekzistencën e retorikës së tij politike ka kryer thirrje mbi eleminimin fizik të muslimanëve, ndërsa ‘poli rugovian’ në të gjithë ekzistencën e retorikës së tij politike ka kryer thirrje për dëbimin e muslimanëve nga trojet shqiptare. Ky fakt vërtetohet lehtësisht në rrjete sociale me qëndrimet që mbajnë ithtarë të kësaj rryme, ku zakonisht ndaj muslimanëve komentet më të shpeshta janë ‘shporruni në Arabi’ ose ‘ikni në Anadoll’, duke i konsideruar muslimanët shqiptar si grupim të deformuar gjenetikisht dhe që nuk kanë asnjë lidhje me identitetin kombëtar shqiptar, tezë tjetër kjo e cila vërteton kooperimin e katolikocentrizmit me sllavo-ortodoksinë. Teza se muslimanët e Ballkanit (përfshirë edhe shqiptarët) janë gjenetikisht ndryshe nga pjesa tjetër e krishterë u hodh në vorbullën e propagandës mediatike nga ish-presidentja e Republikës Serbe në Bosnje Biljana Pllavshiq, me profesion biologe. Pllavshiq mundohej të vërtetonte shkencërisht se ballkanasit, që u konvertuan nga Krishtërimi në Islam gjatë periudhës osmane, vuajnë nga një deformim gjenetik që sipas saj do i kushtonte atyre dëbimin nga Ballkani ose eleminimin fizik. Pra, me pak fjalë të dyja rrymat, si rryma e nacionalizmit serb ashtu edhe rryma katolikocentriste rugoviane në thelb kërkojnë një Kosovë të boshatisur nga muslimanët.
Çdo të thotë një Kosovë ‘Muslim-Free’?
Një Kosovë pa muslimanë statistikisht dhe praktikisht përkthehet në një truall shqiptar të banuar me vetëm tre përqind shqiptar. Kjo padyshim do pasohej nga skenari i vjetër, por këtë herë jo më nga skenare të dramës palestineze përballë zionizmit por nga birucat e akademisë shkencore të Beogradit ‘A land without people for people without a land’. Në thelb rryma e nacionalizmit serb dhe rryma katolikocentriste rugoviane (ekuivalente e rrymës kadareiste në Tiranë) kërkojnë një Ballkan të krishterë, me shqiptarët si hyzmetqarët politik të serbëve në kuadër të pan-sllavizmit, ku hegjemonia serbe vendos mbi fatet e rajonit. Njejtë si përpara vitit 1389, kur Sulltan Murati (si shembull i njejtë me Bill Clinton në kuadër të ndërhyrjes së NATO më 1999) i dha fund hegjemonisë serbe në Ballkan duke i hapur rrugë hegjemonisë shqiptare nën umbrellën e Perandorisë Osmane.
Duke qenë se katolikocentistët shfrytëzojnë tezën kombëtare për të sunduar jetën sociale dhe politike në trojet shqiptare ka ardhur momenti të pyeten se cila është detyra e tyre kombëtare dhe a e kanë kryer si duhet atë detyrë?
Përshembull, muslimanët shqiptar detyrën e tyre kombëtare në arenën ndërkombëtare e kanë kryer në limitet e perfeksionit, duke qenë se dy shtetet përfaqësuese sot për sot të muslimanëve në botë, praktikisht Turqia dhe Arabia Saudite janë shtete të cilat kancelaritë e tyre e njohën ndër të parat qenësinë juridiko-politike të Kosovës. Duke qenë se nga ana e katolikocentrizmit flitet për patriotizëm e ca më tepër për qelizën bazë të kombit shqiptar, logjika e ftohtë na dërgon në formulimin e dy pyetjeve :
-Çfarë asistence ka dhënë Vatikani në Luftën e Kosovës ?
-A e njeh Vatikani shtetshmërinë e Kosovës?
Vatikani ka kontribuar vetëm dy herë për zgjidhjen e çështjes kosovare, në veçanti :
– Negociata për çlirimin nga pengmarrja e Ibrahim a.k.a Pjetër Rugovës nga Sllobodani.
– Kërkesa për armëpushim në kremtimin e Pashkëve gjatë luftës së Kosovës.
Kontribut tjetër Vatikani në raport me shqiptarët e Kosovës nuk ka. Madje duhet përmendur se paturpësia diplomatike vatikanase është rast akoma më flagrant se sa mosnjohja e shtetshmëris së Kosovës nga Irani. Kjo sepse gjeopolitika iraniane (edhe pse e pajustifikueshme në çdo drejtim) ka arsye personale e interes të fortë për të mos e njohur Kosovën si entitet juridik dhe politik pasi konfiguracioni diplomatik iranian aktualisht ndodhet me kahje të kundërta me konfiguracionin diplomatik shqiptar dhe me interesin kombëtar shqiptar. Vatikani nga ana tjetër nuk e njeh Kosovën vetëm prej interesave tregtare që gëzon në Beograd. Në esencën diplomatike, Vatikanin nuk e pengon asnjë preçedent gjeostrategjik për të njohur sovranitetin e Kosovës. Unë si qytetar shqiptar dhe si patriot që sot e tutje kam zgjedhur të mos marr seriozisht të gjitha qasjet katolikocentriste që tentojnë të shfrytëzojnë tezën kombëtare për të mbisunduar në arenën politike. Mbase do tregohem më serioz kur shteti nga i cili varet katoliçizmi shqiptar do të japi dritën jeshile për njohjen e Kosovës si shtet sovran.
“Në rast se ata nuk na duan në një shtet të vetëm, pasi thonë shqiptarët qenkan Musliman
Atherë… Na Kristianët, do ti shkriejmë kryqet tona dhe do ti bajmë fishek, me mbrojt vllaznitë tanë musliman shqiptarë”
At Gjergj Fishta.
P.s Kemi nevojë për më shumë si At Gjergj Fishta dhe për më pak si Don Lush Gjergj