Ishte e shkruar, nga toka e lotëve Tirana gjeti lumturinë që priste

Shpërndaje

27 maj 2017, një ditë e zezë për Tiranën. Për herë të parë, pas një barazimi 0-0 me Vllazninë në javën e fundit të kampionatit, skuadra bardheblu për herë të parë ra në Kategorinë e Parë. Përherë me fanellë nuk fiton dot dhe atë ditë lindi një krisje e madhe mes tifozëve dhe drejtuesve të klubit.

As në ëndrrën më të keqe, tifozët e Tiranës nuk do e kishin menduar një skenar të tillë. “Loro Boriçi” madhështor ishte skena që çuditërisht shihte Vllazninë të gëzonte se kishte shpëtuar prej rënies nga Superiorja, kurse bardheblutë ishin shtrirë në fushë e lotonin.

Edhe sot shumëkush e kujton foton e Albi Dokës duke qarë, kurse Denis Pjeshka e ngushëllonte. Nga tre vite më parë kanë ndryshuar shumë gjëra. Ferrin e Kategorisë së Parë Tirana e kaloi shpejt, por vuajtje pati sërish në Superiore dhe rrezikoi sërish.

Një sezon që i bindi drejtuesit të mos eksperimentonin më dhe të afronin lojtarë që e njohin kampionatin. Sërish nuk ishte e lehtë, tre trajnerë të ndërruar dhe në fund Egbo, ai që askush nuk e priste, rezultoi “shpëtimtari“.

Dhurata u erdhi nga “Loro Boriçi”, nga ai stadium ku kishin derdhur lot hidhërimi. Mbrëmë Shkodra i solli gëzim Tiranës, siç i kanë sjellë më parë emra të njohur si Hamdi Salihi, Bekim Balaj, Auron Miloti dhe Suad Lici, i cili tani është administrator te Vllaznia.

27 maji tani i ka lënë vendin festës, në 100 vjetorin e klubit bardheblu, klubit më të titulluar në vend, me tifozët e vet fantastikë që meritojnë të jenë në stadium ditën e ngritjes së trofeut. Koha që edhe ata të gëzojnë dhe e meritojnë plotësisht… /abcnews.al

Shpërndaje