Çelsi i femrave arriti që të fitonte me shifrat 8-0 ndaj Vllaznisë së femrave në mbrëmjen e djeshme të Champions League. Por një spektakël i vërtetë ishte ai që prodhuan tifozët shqiptarë në shkallët e stadiumit. Mbresa të mëdha ka lënë edhe në kampin kundërshtar pasi brohoritjet nuk pushuan kurrë gjatë 90 minutave.
Kur rezultati ishte 7-0, në fushë do të hidheshin edhe tymueset për të vazhduar spektaklin dhe për të treguar se shifrat nuk kanë rëndësi. Portierja e Çelsit, Zecira Musovic, e cila kishte tifozët e Vllaznisë pas krahëve, është dashuruar me këtë atmosferë të krijuar.
“Më pëlqeu shumë, mendoj se ishte fantastike. Po mendoja t’i nxisja më tepër ata, por thashë me vete: Jo, ndoshta mund ta marrin në mënyrë të gabuar dhe për keq. Kur shënuam golin e dytë po mendoja më tepër për t’i nxitur, por do të ishte më mirë që tifozët e Vllaznisë të mos e merrnin për keq mesazhin tim, edhe pse do të ishte me ‘zemër të bardhë’. Ishin thjesht të shkëlqyer, më pëlqeu edhe kur i hodhën tymueset në fushë”, tha Musovic.