Megi Doçi u shpall fituesja e “Topit të Artë” për vitin 2021. Golashënuesja e njohur ishte e ftuar këtë të premte në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku rrëfeu fillimet e saj si sportiste. Historia e saj është vërtetë unike. Lindi në një fshat të Burrelit dhe që kur ishte fëmijë filloi të merrej me sport.
Por nuk e kishte menduar kurrë se do të bëhej emri më i lakuar sa i përket futbollit të femrave në Shqipëri. Ajo tregoi se deri në moshën 12 vjeçare, ka qëndruar në fshatin e saj të lindjes dhe ka luajtur futboll me shokët e shkollës por rrugëtimi i saj nisi kur mori vesh se ishte hapur një ekip vetëm për vajza në kryeqytet.
Motivimi i sa më i madh ka qenë Cristiano Ronaldo dhe se shpreson që një ditë ta takojë. “E kam nisur në fshat, nisi me babin i cili ishte personi që ma futi në gjak futbollin. Më merrte gjithmonë për të parë ndeshjet, ai ishte tifoz i zjarrtë, kisha dy vëllezërit dhe ziheshim se babi donte të më merrte mua me vete.
Ishte e vështirë se në atë kohë nuk kishte TV shumë dhe shkonim 40 minuta në këmbë. Mu fut në zemër, doja që gjithçka që shikoja në televizor ta bëja nesër në shtëpi. Mami e kishte problem, tani është krenare, ka pasur shumë sakrifica. Mentalitetin e kam vuajtur shumë se si mund të luajë një femër futboll.
Mami më thoshte se mos të të shikoj duke luajtur me çunat se do të të mbys. Pastaj duke vazhduar në klasën e tetë, kam ardhur në Tiranë për të ndjekur ëndrrën time. Burri i tezes ishte motivi kryesor për të ndjekur ëndrrën time. Më tha se është hapur një ekip futbolli femrash dhe në atë moment nuk pyeta dy herë.”, tha ajo.