Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i dënuar me 3 vite 4 muaj burg nga Gjykata e Posaçme e Apelit, ka zhvendosur përballjen e tij me drejtësinë në gjykatën e Elbasanit, nën juridiksionin e së cilës është burgu i Lushnjës ku ai po vuan dënimin.
Abc ka mësuar se përmes avokatëve të tij mbrojtës, Tahiri i kërkon gjykatës njohjen e dënimit të dhënë më datë 19 shator 2019 nga gjykata e shkallës së parë.
Në atë kohë ai u dënua për shpërdorim detyre me 3 vite 4 muaj heqje lirie, por gjykata e pezulloi dënimin dhe e konvertoi në shërbim prove. Ish-ministri pretendon se ai e ka zbatuar atë dënim duke mbajtur çdo ditë kontakte me shërbimin e provës, deri në dhënien e vendimit nga Apeli më 4 shkurt të këtij viti.
Kjo gjykatë rrëzoi dënimin me shërbim prove duke e dërguar në burg ish-ministrin.
Seanca e parë në gjykatën e Elbasanit do të mbahet më 10 tetor. Tahiri do t’i kërkojë asaj njohjen e dënimit me 3 vite shërbim prove dhe nëse kërkesa pranohet, ai do të përfitojë ulje të dënimit me burg për të paktën 1 vit e 6 muaj. Kërkesa do të shqyrtohet nga gjyqtari Elis Dine.
Tahiri prej 8 muajsh po vuan dënimin në burgun e Kosovës në Lushnjë pasi u gjet fajtor për akuzën shpërdorimit të detyrës. Në një tjetër përballje me drejtësinë ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri vijon betejën për pafajësi në gjykatën e Lartë./Abcnews.l/