Ish-futbollisti Uliks Kotrri thotë se Vllaznia ka ende shanse për titull…

Shpërndaje

Ish-futbollisti i Vllaznisë Uliks Kotrri mendon se skuadra shkodrane mbetet ende në garë për titullin kampion të Shqipërisë, pavarësisht rezultateve që ka pasur javët e fundit. Ai mendon se në tërësi skuadra ka ende “25% shanse për të fituar”.

Në një intervistë për Euronews Albania, Kotrri tha se në tërësi Vllaznia ka zhvilluar lojë të mirë, por “në disa ndeshje i ka munguar fati”. Ish-mesfushori e konsideroi normale luhatjen e rezultateve gjatë një pjese të sezonit.

“Ashtu si çdo ekip tjetër, edhe Vllaznia e ka pasur këtë luhatje, por më duket se kjo ka marrë fund dhe Vllaznia është kthyer sërish në lojërat e mira, dhe shpresoj që të vazhdojë kështu e të jetë pretendente për titull,” – u shpreh Kotrri duke shtuar se ka pritshmëri edhe për Kupën e Shqipërisë.

Për Kotrrin aktualisht në garë janë të paktën katër skuadra: Vllaznia, Partizani, Teuta dhe Laçi. Ai tha se pesë javët e ardhshme janë “pesë finale” prej së cilave secila skuadër mund të marrë atë që i duhet për të marrë titullin.

Klubi i Vllaznisë është prej disa kohësh në shitje, por ankandi i shpallur nga Bashkia Shkodër mbetet ende pa shumë informacione. Kotrri tha se nuk ka asgjë konkrete dhe se për menaxhimin e bërë bashkia duhet të shkëputet nga klubi pasi “privatizimi mbetet në mjegull dhe e ardhmja gjithashtu”.

Uliks Kotrri, ka luajtur për Vllazninë në periudhat 92-96, 98-2003 dhe 2006-2008. Mes këtyre periudhave ka provuar të luajë në Austri, Gjermani, Ukrainë dhe Australi.

Vllaznia nuk shpallet kampion prej vitit 2001. Këtë sezon shkodranët kryesuan për 22 javë përpara se të vuanin një luhatje në formë me vetëm 3 fitore në 12 ndeshjet e fundit, çka ka bërë që të humbasin kryesimin.

Skuadra kuqeblu ka grumbulluar 54 pikë, tre më pak se Partizani që aktualisht kryeson Superligën, kur janë luajtur 31 javë kampionat.

Shpërndaje