Intervistë e dramaturgut të shquar Fadil Kraja. Marrë nga libri “Gjurmë Zërash” i gazetarit Adrian Hoti…

Shpërndaje

Intervistë e dramaturgut të shquar Fadil Kraja, dhënë për BBC në Shqip, në vitin 2007.

Marrë nga libri “Gjurmë Zërash” I gazetarit Adrian Hoti.

FADIL KRAJA SHKRIMTAR, DRAMATURG-, “MJESHTËR I MADH”

                   “Ka raste, që krijohen në skenë, që jo vetëm aktorin, por edhe autorin e përmallojnë  dhe njëherësh e bëjnë krenar, ndjen edhe ai se është pjesë e këtij suksesi, është pjesë e kësaj gjallërie, e kësaj dashurie të madhe për artin.” 

Fadil Kraja, shkrimtar dhe dramaturg i mirënjohur, lindi në Shkodër në vitin 1931.  Autor i mbi 50 dramave dhe komedive  të shfaqura në të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë si edhe në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni dhe në diasporë. Për disa dekada drejtoi degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Shkodrën. Për kontributin e tij  në fushën e artit dhe të kulturës nga Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, i është akorduar titulli “Mjeshtër i madh“, ndërsa me pas Presidenti ILir Meta I ka akorduar Urdhërin “Kalorësi I Flamurit”

                                                                                ***

               Kur ju ftuam për këtë intervistë thatë se e kishit kohën me shumë kursim pasi po punoni. Çfarë po shkruani aktualisht?

          Çfarë jam duke shkruar? Sapo mbarova një komedi me temë shoqërore, e dorëzova në teatrin “Migjeni”, kurse tani jam në dorën e fundit të një romani me temë nga ato që më pëlqejnë, me temë patetike, për kalvarin e një dukagjinasi, të cilin kam pasur fatin ta njoh dhe që është vërtet prototip i gjithë asaj popullsie kaq të vuajtur, me kaq dhimbje dhe me kaq shpresa për jetën.

               Me këtë roman që pritet të dalë në shtyp në sa arrin numri i veprave të Fadil Krajës?

          Janë të larmishme. Unë kam vëllime poetike, vëllime tregimesh, librete operash, kam shumë drama, mbi 40 drama, romane shqip dhe italisht, të botuara  në Itali, të shkruara direkt në gjuhën italiane. Tani është duke më tërhequr proza, sepse ndoshta është edhe mosha, akumulohen kujtimet, mendimet dhe njeriu i shfleton herë pas here dhe mundohet t’i nxijë në letër.

Z. Kraja, si janë fillimet tuaja si shkrimtar, si dramaturg?

Fillimet: është si puna e jetës së njeriut, rinia është poezi, pastaj fillon proza, edhe unë fillova me poezi dhe isha në bankat e shkollës kur shkrova vjershat e para. Botoheshin në atë kohë në një gazetë që dilte për letrarët e rinj dhe quhej “Letrari i ri”, me drejtor të mirënjohurin Kolë Jakova. Aty aderuam të gjithë ne të parët dhe pastaj në moshën 22-23 vjeçare mora pjesë në konkurs me vëllimin tim të parë “Kënga ime”, që fitoi në atë kohë çmimin e pare. Ishte për mua një gjë e madhe, sepse paguheshin 40 mijë lekë, në atë kohë ishin shumë të mëdha dhe mu duk një pasuri e tërë. Pastaj vazhduan libra të tjerë poetikë, pra vazhdoi rinia me disa vëllime poetike, si: “Melodi malësore”,”Albanisch” etj.

Dhe kur filloi suksesi? Cila është vepra që ju afirmoi?

          Me veprën e parë godita në shenjë, fitova çmimin e Republikës, kjo më bëri të njohur si poet, në atë kohë isha mësues fshati, në fshatrat e Shkodrës. Pastaj do të vinte periudha 1966-’67, kur unë kalova nga poezia në dramaturgji, dhe siç duket edhe aty qëllova, se pas dramës sime të parë në 1967-tën “Fisheku në pajë” duket se e gjeta veten më tepër aty dhe iu kushtova dramaturgjisë. Rodhën pastaj dramat e tjera, por është “Fisheku në pajë” që më ka nxitur, sepse të them të drejtën jo vetëm se u prit mirë por ndoshta në dramaturgjinë shqipe është drama që është shfaqur më tepër, mbi 500 herë në teatro, jo vetëm në territorin shqiptar, por edhe në Kosovë, Mal të Zi deri te shqiptarët e Amerikës.

               Emri Fadil Kraja është i lidhur ngushtë me teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Dramat më të njohura që ky teatër ka vënë në skenë përveçse  “Fisheku në pajë” janë edhe  “Gjaku i Arbrit”, “Baca i Gjetajve”, “ Çështja e Blertës” etj. janë krijimet tuaja, por që i përkasin viteve më parë. Aktualisht duket  sikur bashkëpunimi juaj me teatrin nuk po funksionon si duhet!  Pse kjo shkëputje?

          Janë dy pyetje, bashkëpunimi dhe shkëputja. Bashkëpunimi i parë ka dhe një rastësi të bukur do të thoja. Në atë kohë kisha shok pune, koleg në Klubin e Rinisë, Serafin Fankon dhe morëm dy udhëtime bashkë, ai mori udhëtimin për në Çekosllovaki për të studiuar për regjizor ndërsa unë mora rrugën e ushtrisë, shkova ushtar në Vlorë dhe në Sarandë, por para se të niseshim i bëmë premtim njëri- tjetrit, që unë të shkruaja dramën e parë  dhe drama e parë që ai do të vinte në skenë (ishte premtim rinor), të ishte drama ime. Ndodhi pikërisht kështu. Ai u kthye para kohe nga Çekosllovakia, se u prishën marrëdhëniet mes dy shteteve në atë kohë dhe drama e tij e parë e vënë në skenë ishte drama ime e parë “Fisheku në pajë”. Pata fatin e mirë jo vetëm që pata një regjizor si Serafin Fanko, që më vonë bëri emër, sot unë e konsideroj (sot për sot) regjizorin më të mirë që ka vendi ynë. Kisha fatin tjetër të mirë se në atë kohë, teatri “Migjeni” kishte figura shumë të njohura, shumë të mirënjohura në shkallë kombëtare, ishin aktore të tilla, si: e mirënjohura Tinka Kurti, Vitore Nino, Violeta Sekuj, Antoneta Fishta; aktorë të mirënjohur, si: Ndrekë Prela, Prengë Lëkunda, Lec Bushati, Paulin Laca, Bep Shiroka, Ymer Bala që kishin potencë shpirtërore dhe si të thuash isha i sigurtë në suksesin që do kishin.

               Kur krijonit një personazh në dramat tuaja, keni pasur parasysh gjithmonë  edhe aktorin që do ta interpretojë këtë personazh?

          Patjetër. Unë e shkrova “Fisheku në pajë” në atë kohë duke ditur ose duke ëndërru që do ta luante Tinka Kurti. Bile –bile ka qenë e bukur, sepse kur e lexuan, e pëlqyen. Menjëherë më ndali Tinka në rrugë e më thotë: Cilin rol ke pa për mu?

Më vonë në dramat e tjera që pasuan unë kisha parasysh pikërisht këto aktorë që do ta luanin.  Te “Gjaku i Arbrit”, p.sh. kush mund ta luante loken më mirë se Tinka Kurti dhe unë pikërisht duke parë Tinkën e shkrova këtë. Kush mund ta luante plakun e urtë më mirë se sa Lec Bushati. Këto janë raste të mira, ose fat i mirë për mua që i kisha këto aktorë, unë punova për ata dhe ata punuan për mua.

               Megjithatë z. Kraja a ia keni arritur gjithmonë, që ta vini personazhin në interpretimin e atij aktor që keni dëshiruar, apo kjo ka qenë një përzgjedhje e dikujt tjetër?

          Gjithmonë kam pasur një kriter në krijimtarinë time: pasi e dorëzoja veprën nuk ishte më e imja, ishte e regjizorit dhe nuk ka regjizor që do t’i dalë keq pjesa. Pra, si të thuash ia dorëzoja atij dhe ndodhte që nuk e shihte në atë rol që e jepja. Marrim “Fisheku në pajë”, unë e kisha parasysh Lec Bushatin, kurse përkundrazi, Serafini ia dha Prengë Lëkundes dhe e dubloi me Ndrek Prelën. Prengë Lëkunda luajti 100 shfaqjet e para, pastaj fati i keq, pikërisht duke luajtur këtë dramë në  hidrocentralin e Vaut të Dejës, i ra atak në zemër dhe vdiq. Më pas rreth 400 shfaqje të tjera i luajti Ndrek Prela dhe i luajti shumë bukur. Po kështu edhe në një rast tjetër regjizori nuk ia ka dhënë rolin atij aktor që unë kisha menduar se do të ishte më i përshtatshëm, por kjo nuk më ka prishur punë.                                    

               Do i kthehem sërish pyetjes së mëparshme, arsyeja e ndërprerjes së bashkëpunimit  në këto vitet e fundit mes jush dhe teatrit “Migjeni”. A lidhet kjo pikërisht me mungesën sot të këtyre aktorëve dhe regjizorëve  që ju keni bashkëpunuar fillimisht?

          Unë dhe Serafini kemi disa vjet që nuk vëmë më në skenë. Jo se nuk kam shkruar drama.  Gjatë këtyre 10 vjetëve më janë vënë në skenë: 3 drama në Kosovë, 3 të tjera në Mal të Zi, një në Amerikë, dy të tjera janë vënë nga trupat e teatrit profesionist të Maqedonisë. Jo se s’kam shkruar por të them të drejtën këtë hemoragji të madhe që e pësoi i gjithë kombi, e pësoi edhe Shkodra dhe  padyshim edhe teatri. Aktorët më të mirë që kishte ky teatër ikën, ikën në dy kuptime: vdiqën, u plakën. Vdiqën Prendë Lëkunda, Adem Kastrati, Paulin Laca, Lec Bushati, që ishin potenca e kësaj trupe. Disa të tjerë ikën, p.sh. Ymer Bala, një aktor aq i mirë, sot është në Amerikë, dikush tjetër iku në Itali. Po në Amerikë iku e famshmja Justina Alija, e cila aq bukur e luajti rolin kryesor tek drama: “Djem të mbarë” së bashku me Ymer Balën. Pra të dy ikën këto. Pata insistuar: o do ta luante Justina Alija, rolin kryesor ose e tërhiqja dramën. Po kështu edhe me “Bacën e Gjetajve”, më kujtohet ne vumë një kusht që bacën ta luante Ndrek Luca, mirëpo në atë kohë ishte e zorshme të merrje aktorë nga Tirana. E morëm dhe shkuam në Kosovë, kur na ftuan dhe ishte diçka prekëse. Kjo dramë më ka lanë përshtypje të madhe, sepse shfaqja e tretë kur u dha plasi tërmeti brenda në sallë në Shkodër dhe u drodh salla që ishte plot, megjithatë aktorët nuk luajtën nga vendi. Ishte dridhja e tretë mbas dy ditësh dhe këtë shfaqje e kishin vënë për t’i dhënë zemër popullit. Nuk luajtën aktorët dhe nuk luajtën  as spektatorët. Më kujtohet njëherë në Preshevë, tek po interpretonte Ndrek Luca në skenë, një nga spektatorët, një plak si sonambul, ishte magjepsur, hypi në skenë, dhe qeleshen e vet ia vuri në kokë atij, e puthi në ballë dhe u ul ngadalë. E gjithë salla shpërtheu në këmbë dhe e pat lanë si porosi pastaj Ndrek Luca, se me atë qeleshe në kokë do të vdes. Dhe kur vdiq ne e kaluam trupin e tij nëpër rrugët e Tiranës dhe në kokë kishte qeleshen e malësorit. Ka raste të tilla, që krijohen në         kenë, që jo vetëm aktorin, por edhe autorin e përmallojnë  dhe njëherësh e bëjnë krenar, ndjen  se edhe ai se është pjesë e këtij suksesi, është pjesë e kësaj gjallërie, e kësaj dashurie të madhe për artin.

               Z. Kraja, suksesin ju thoni që e keni ndjerë që në sallë, nga reagimi i publikut gjatë dhe në mbarimin e shfaqjes, po nga kritika zytare e kohës  si jeni vlerësuar? A ka qenë gjithmonë i njëjtë ky vlerësim me atë të publikut?

          Nga kritika në atë kohë unë hyra në radhët e dramaturgëve më të njohur, kishte edhe vërejtje e kritika, të cilat kishin karakter politik, por ndonjëherë ata e tejkalonin masën. Unë e kam vujtur shumë me Serafinin në dramat tona, sidomos në provat gjenerale, që ishin gati-gati si një lloj gjyqi, që kishte dy dënime, ose dënimin me “vdekje” ose “lirimin” dhe mbaj mend kishte ndër më qesharaket kritika, p.sh. kur vumë në skenë “Gjaku i Arbrit”, kritika shkonte deri aty sa të ndryshonin edhe legjendën.

               Z. Kraja, ndryshe nga Shkodra dhe qytete të tjera, në Tiranë janë shfaqur vitet e fundit kompani teatrore. A e shihni këtë një zgidhje të mirë për të ardhmen e teatrit shqiptar?

          Jo zgjidhje, është një domosdoshmëri, sepse teatri në përgjithësi dhe teatri i Shkodrës në veçanti, është gati –gati në një kolaps, është 50 vjeç mosha mesatare e aktorëve, por a ka ndonjë pjesë që nuk ka rol të rinjsh. Ja, në komedinë time që kam gati për ta vënë në skenë, janë një çift të rinjsh, nuk ka kush t’i luajë. Pra ka mbet në kolaps teatri, don aktorë të rinj. Është e domosdoshme që këto kompani teatrore të bëhen.

Z.Kraja, ju falënderoj që ishit sot i pranishëm në BBC në shqip.

          Ju falënderoj edhe unë. Kam dhënë intervista për të tjerë, por është e para herë që marr pjesë në një intervistë për BBC-në, për të cilin kam respekt, sepse ka një histori të gjatë që më lidh me shumë kujtime./RealitetiPost/

Shpërndaje