Projekti i artistëve Chiaralice Rizzi dhe Alessandro Laita kuruar nga Gabi Scardi konsiston në një seri intervistash me persona që ruajnë në ambientet famijare, stampime nga fotografët e koleksionit Marubi.
Regjistrimi dhe prania e fotografive në shtëpitë e familjeve të ndryshme nënvizon gjurmën e pashlyeshme të historisë dhe marrëdhënien e gjallë që individi ka me të.
Ahmet Shurdha
“Në momentin që tha baba po shkojmë të bëjmë një foto, unë u gëzova jashtë mase. Hymë te ajo dera poshtë, ngjitëm shkallat dhe në sekond del Marubi…Gega.
Një xhentilesë që nuk e gjen dhe nuk e ke takuar në jetën tënde asnjëherë. U gëzova se pashë që po takoheshin dy miq të kahershëm dhe bënë një bisedë të gjatë.
Pastaj ai na sistemoi në një… pashë që ai kishte ato perdet e bukura, pashë edhe aparatin e madh që e kishte të mbuluar me diçka të zezë, të madhe.
Na sistemoi, ka patur një stol për ato që do të qëndronin të ulur kurse të tjerët do të rrinin në këmbë.
Më bëri prapë përshtypje etiketa e tij në momentin kur donte të na vinte në pozë: “Ju lutem, kujdes, ju lutem edhe pak, nuk po vonojmë… edhe pak…” Më bëri jashtëzakonisht përshtypje. Një sjellje që nuk e kisha parë askund dhe përveçse kujtim, fotoja është një kujtim i sjelljes së Marubit me njerëzit dhe mua, jo vetëm ky moment që po kërkoni ju, por gjithmonë, më ka mbetur në kujtesë sjellja e tij karshi njerëzve që kishte për të fotografuar.
Në këtë foto djathtas poshtë është baba Muhamet Shurdha, poshtë është motra Fatbardha, majtas është nana Nezihat Behri Shurdha, sipër është motra Vahide dhe tjetri sipër jam unë, Ahmeti.”