Intervistë me Amina Meshnuni
Prezantim:
Unë quhem Amina, jam studente në Mbretërinë e Bashkuar, në Angli, Londër. Momentalisht studioj Arkitekturë dhe Projektim Mjedisor në Universitetin Westminster (University of Westminster). Jam pjsesë e lidhjes së shkrimtarëve në Shkodër. Aktualisht punoj në departamentin e Marketingut Dixhital dhe si Koordinatore e Aksionit Social të të Rinjve në organizatën jo fitim-prurëse Shpresa Programme. Gjithashtu, jam këshilluese e re në bordin e drejtuesve si dhe ambasadore e DARE LONDON në organizatën London Youth. Jam vullnetare me Total Family Coaching, Blue Cross, London Wildlife Trust etj. Aktualisht po aktivizohem me UCL (University College London), Universitetin i Liverpulit dhe Universitetin e Southampton në një kërkim të detajuar mbi COVID-19 dhe efektet e virusit mbi të rinjtë azil-kërkues në Britani, si dhe drejtoj trajnime me CORAM në programin ‘Qytetarët e Rinj’. Nuk harroj dhe pasionet e mia në përditshmëri si Artin, letërsinë – me pjesmarrje në disa ekspozita në Londër si dhe botimin e disa prej artikujve të mi në The Albanian, London Youth Blog dhe përzgjedhjen poetike në Antalogjinë e Poezive ku poezia ime ishte një nga 350 poezitë finaliste në një grumbull talenti prej 3,140 poezish të tjera.
Si nisi i gjithe Ky rrugetim dhe kush ishte shtysa jote me e madhe?
Rinia Shqiptare rritet me mentalitetin e një ‘Toke të Premtuar’, ndoshta është një mungesë vëmendjeje ndaj rinisë, në teori dhe praktikë ose ndoshta është potenciali i të rinjve Shqiptar që nuk gjen prehje në platformat e ofruara nga Shqipëria, kërkesa apo protesta jonë e palodhur për një rrugë më premtuese ngjyros edukimin jashtë vendit si një utopi dhe biletë e artë. Duke pasur parasysh këtë, ishte gjithmon një ëndërr që me kohën mori formën e ambicies. Me pak fjalë shtysa më e madhe ishte përmbushja e një potenciali që shihja te vetja, dhe ambicia që doja të kultivoja. Rrugëtimi im filloi herët, pasi gjimnazin e mbarova po në Londër në DLD college. Pastaj për të tjera i detyrohem mamit tim e cila ishte ajo që më dha mundësinë.
A ja vlen te ndermarresh nje nisme te tille dhe Pse?
Nëse vlera e këtij rrugëtimi balancon çdo sakrificë, sfidë të theksuar edhe nga mosha e re por edhe një vend i panjohur, vështirësi ekonomike, kontrasti mes mentalitetesh dhe shoqërive të ndryshme mbetet relative. Varet se çfarë vlerëson si individ. Për mua shkolla/edukimi është rrugëtimi absolut i kultivimit intelektual, thënë ndryshe ‘të dish është të jesh’. Rruga më e mirë drejt një edukimi të mirëfilltë është ajo rrugë në të cilën s’ke ecur më parë – jashtë Shqipërisë të jepen mundësi të tjera, edhe nëse s’janë më të mira, janë ndryshe, pra do mësosh, do mësosh të jesh, të njohësh veten dhe rrjedhimisht, të njohësh botën tënde dhe atë të të tjerëve. Do ecësh në një rrugë me porta të hapura, qoftë për punësim, për edukim, për shoqëri, për eksperienca ta reja. – Personalisht, Po, ja vlen. Po të mos isha këtu, nuk do mund të drejtoja dhe të merrja pjesë në mbledhje në Parlamentin e Londrës ku diskutuam të drejtat dhe sigurinë për të rinjtë në Londër dhe Angli. Po të mos isha këtu nuk do mund të mbaja fjalime në Old Bailey (Gjykata Qëndrore Penale e Anglisë dhe Uellsit) dhe në ekspozita dhe galeri për të rritur fonde për të rinjtë para shumë financuesve të rëndësishëm. Nuk do isha pjesë e rrjetit të pjesëmarrjes së të rinjve në Londër që organizohet në Bashkinë Qytetit dhe shumë të tjera, dhe së fundmi s’do mund të diplohesha në Shtëpinë e Ëestminster: në Parlament.
Cila eshte pengesa me e forte qe eshte dashur te perballosh e vetme?
Malli për familjen është gjithmonë konstant, për shtëpinë, shoqërinë dhe ndonjëherë personin që ishe kur jetoje në vendin tënd. Në fillim nuk kishte pengesa, sfida do ishte përkufizimi i duhur. Përditshmëria përmban një listë sfidash të vogla, të menaxhosh buxhetin tend, të gatuash, të sëmuresh dhe të mos kesh dikë që të rri mbi kokë, të mos ndjesh ngrohtësinë që të fal një shtëpi e mbushur dhe një jetë familjare (edhe pse familja është gjithmonë aty virtualisht), pengesa kryesore është që kjo të bëhet normalja jote, të rritesh, të krijosh pavarësi. Diçka tjetër që do përmendja do ishte diskriminimi, me të cilin si student përballesh haptazi ose përmes një tërheqjeje të implikuar ndaj teje dhe asaj që ti përfaqëson. Shumë shpesh e gjen veten protagonist në fabulën e ‘deles së zezë’. Veshur me peshën e një ‘alieni’ social, mëson të kanalizosh këtë energji pozitivisht dhe ti japësh jehonë asaj që ti përfaqëson dhe të arrish të përmbushësh ambiciet e tua – ky mund të duket si egzagjerim i lehtë pasi zakonisht Shqiptarët integrohen mjaft mirë, dhe Londra njihet si metropoli mikpritës ndaj studentëve internacional, megjithatë të gjithë e kemi ndjerë më shumë se njëherë alienizmin shoqëror.
Ke patur ndonjehere ndonje moment dobesie dhe ke menduar te heqesh dore?
Patjetër. Nuk janë vetëm vite edukimi, rutina shkollë-punë-shtëpi nuk është gjithçka që përmban trajektorja e një jete studentore. Mosha vetë vjen me një kalvar të gjatë sfidash. Megjithatë, kënaqësia e një çmimi, certifikate, një note të mirë, një mëngjes i bukur pas një nate të vështirë, krenaria që ndjen mami yt për ty, shembulli që i fal vëllait apo motrës, premtimi ndaj vetes – shumica e studentëve kanë fatin të kenë kujtesa motivuese nën mëngë si kundërpërgjigje ndaj vështirësive, ndonjëherë dërrmuese.
Cilat jane synimet e tua per te ardhmen?
Të jem versioni më i mirë i vetes. Shpresoj të fal aq sa më është dhënë dhe më shumë. E shoh veten si aktiviste e së drejtës dhe të mirës në të ardhmen, të mirës intelektuale, të shëndetshme dhe të frytshme për të rinjtë. E shoh veten me të paktën një libër të suksesshëm, me më shumë se një ekspozitë të arrirë, dhe nëse historia, vepra, mendimi, ndjenja apo nisma ime, sido qoftë, do përmirësojë jetën e dikujt që ka nevojë, qëllimi im është plotësuar. Për të tjera, lista ime është e gjatë, ka shumë gjëra që nuk i di as vetë, më pëlqen të suprizoj veten.
A e mendon kthimin ne Shqiperi?
Shqipëria është vatër, është shtëpi, është djep, është nënë. Shqiptarët kthehen gjithmonë te rrënjat e tyre, nuk ka si përqafimi nënës. Mendoj se një jetë e balancuar mes ‘Shtëpisë’ (Shqipërisë) dhe gjithë botës do ishte zgjidhja perfekte. Ujrat e trazuara nuk janë diçka e re për Shqipërinë, fakti që nuk mungon potenciali do të thotë që nuk mungon as Shpresa për Shqipërinë.
Me mire të studiosh ne Shqiperi apo Londer?
Siç thashë nuk ka të mirë absolute, e mira është relative dhe e filtruar në bazë të nevojave dhe dëshirave të individit. Më mirë për mua është rruga që mora pasi nuk do isha kjo që jam, dhe e dua personin që jam. Normalisht, jeta është më e shumëngjyrshme për ato që guxojnë. Jam shumë me fat që mu dha një mundësi e tillë, që kam një familje të fortë afër, dhe i puth duart nënës time për personin që jam dhe po bëhem.
Nje mesazh te shkurter per te gjithe te rinjte qe kane deshire te bejne studimet jashte vendit?
I detyrohesh vetes, familjes, vendit tënd, për të qenë versioni më i mirë i vetes. Mos ki frikë nga dera e shtëpisë, gjithçka fillon përtej pragut të shtëpisë, merr hapin e parë sepse bota është e jotja. Gz. Desilda Zefi /RealitetiPost/