Inflacioni zbret në nivelin më të ulët nga marsi 2022, por ushqimet mbeten të shtrenjta; Turistët shtrenjtojnë argëtimin…

Shpërndaje

Inflacioni, i cili mat ndryshimin e çmimeve të konsumit të një shporte mallrash të caktuar, shënoi një rënie të lehtë në korrik të këtij viti, duke zbritur në 4.2%, niveli më i ulët nga marsi 2022, kur dhe filloi shtrenjtimi i ndjeshëm për shkak të pasojave të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës. Inflacioni kulmoi në tetor 2022 në 8.3% për të ardhur pastaj në një rënie graduale, e ndikuar kryesisht nga rënia e çmimeve të karburanteve.

Pavarësisht ngadalësimit, ushqimet, që zënë peshën kryesore të buxhetit të familjeve shqiptare kanë vijuar të shtrenjtohen, duke ndikuar pjesën më të madhe të inflacionit. Ushqimet janë 9% më të shtrenjta se korriku i kaluar, të ndikuara nga zarzavatet e patalet, që kushtojnë 21.6% më shumë, si dhe qumështi e vezët, me 13.6%.. Fluksi i lartë i turistëve duket se ka ndikuar edhe në shtrenjtimin e argëtimit, me çmimet 9.5% më të larta.

INSTAT raportoi se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2023 është 4,2 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 7,5 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2023, krahasuar me Qershor 2023 është -0,1 %.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +3,20 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,44 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,26 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,22 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,21 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,16 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,05 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” me -0,84 pikë përqindje.

Krahasuar me muajin Korrik 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 9,5 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 9,0 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,0 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,0 %, “Veshje dhe këpucë” me 4,3 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,8 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,7 %, “Shërbimi arsimor” me 2,0 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,3 %, “Komunikimi” me 1,2 % dhe “Shëndeti” me 1,1 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 12,4 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 21,6 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 13,8 %, “mish” me 11,2 %, “fruta” me 7,0 %, “peshk” me 6,1 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 3,6 %, “bukë dhe drithra” me 2,9 %, etj./Monitor/

Shpërndaje