Nuk janë pamjet e tërmetit shkatërrimtar të 2019-ës, por as të një zone të sapo dalë nga lufta, por janë pamje që vijnë nga pika turistike e Shirokës, pas prishjes së ndërtimeve pa leje nga IKMT.
Prishja e këtij objekti pranë liqenit ka lënë pas grumbuj të shumtë inertesh që po dëmtojnë imazhin e turizmit duke krijuar një situatë të papranueshme.Të vetmit janë këto të rinj që po përpiqen të nxjerrin nga rrënojat shufra hekuri që mund ti shesin për skrap. Ndër të tjera kjo gjë ka shkaktuar shqetësime tek banorët që jetojnë përreth pasi siç shprehen jashtë kameras po ndot zonën ku ata jetojnë.Nuk është e qartë se inertet që mbeten pas nga shembja e ndërtimeve pa leje do të pastrohen nga pronarët e këtyre godinave si “faturë shpagimi” për shkeljen e bërë, apo do të largohen nga autoritetet shtetërore.
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit pritet që të rifillojë sërish aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje në pikën turistike të Shirokës. Pak kohë më parë u prishën dy objekte, konkretisht një restorant i ndërtuar pa leje buzë rruge, dhe një shtesë objekti në pjesën e malit. IKMT ka një listë të objekteve që do të prishen gjatë muajve në vijim në qytetin e Shkodrës dhe në pikat turistike.
Shiroka është një ndër pikat turistike më të vizituara në vendin tonë. Gjatë stinës së verës, qytetarët sfidojnë temperaturat e larta me freskinë dhe ujin e pastër të liqenit të Shkodrës, ndaj kjo pamje është një imazh i shëmtuar në sytë e të gjithëve që duan të frekuentojnë Shirokën dhe Zogaj.