IGJEUM paralajmëron përmbytje, Prefektura e Qarkut Shkodër, mbledh Komisionin e Mbrojtjes Civile…

Njoftim për shtyp

Sipas parashikimeve të Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile dhe IGJEUM, Qarku Shkodër,  do të përfshihet nga reshje intensive shiu përgjatë datave 22-26 Janar , 2021 Shkodër.

Nisur nga kjo, Prefektura e Qarkut Shkodër, mblodhi Komisionin e Mbrojtjes Civile,duke i kërkuar gadishmëri maksimale dhe respektim të planit të masave parandaluese për përballimin e emergjencës dimërore.

Të gjithë anëtarët e Komisionit të Mbrojtjes Civile, raportuan, masat e marra në kuadër të parandalimit të situatave të pritshme që mund të krijohen si pasojë e intensitetit të rreshjeve të shiut.

Strukturat  e emergjencave civile në Bashkitë respektive të Qarkut, përkatësisht të Bashkive Shkodër, Malësi e Madhe dhe Vau Dejës, do të jenë në gatishmëri dhe koordinim të plotë me Prefekturën Shkodër, për menaxhimin e situatës së pritshme nga rreshjet.

Koorporata Elektoenergjetike Shqiptare, raporton se është në monitorim hap pas hapi të situatës së HEC-eve në Kaskadën e lumit Drin, duke siguruar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e prurjeve në ditët në vijim në këtë HEC.

Strukturat e ushtrisë, do të jenë të të angazhuara në terren dhe të disponueshëm, në rast se paraqitet nevoja për mjete shtesë varësisht situatave të pritshme në Qark. Aktualisht mjeti ushtarak, vijon të jetë i dislokuar në mbështetje të banorëve në Njësinë Administrative Ana e Malit, për transportin e tyre në fshatin Obot.

Drejtoria Vendore e Policisë, sëbashku me të gjithë strukturat e qarkullimit rrugor kanë marrë të gjitha masat për kontrollin dhe garantimin e përdoruesve të mjeteve në të gjithë territorin e qarkut, duke siguruar që çdo aks rrugor të jetë i kalueshëm dhe pa probleme.

Në kuadër të masave parandaluese, cdo qytetarë do të njoftohet paraprakisht, nga Bashkitë respektive të Qarkut për parashikimet e pritshme atmosferike, si dhe në rast nevoje apo mbështetje duhet të kontaktojë menjëherë sektorët e emergjencave civile pranë këtyre bashkive.

Në vijim të masave parandaluese, Prefektja Angoni, në cilësinë e Kryetares së Komisionit të Mbrojtjes Civile, bëri një rikujtesë për të gjithë strukturat e emergjencave duke i kërkuar që në vijim të planit të masave, të gjithë bujqit që mbulojnë njësitë administrative të zonave të prekura të sigurojnë paraprakisht bazën ushqimore për bagëtitë.

Në kuadër të problematikës së gërryerjes së tokës në Bashkinë Vau Dejës, do të kërkohet nga Kryetarja e Komisionit të Mbrojtjes Civile që të mbështeten dhe të vihen në dispozicion nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, 2 mjete vetshkarkuese dhe nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit, Lezhë,  1 eskavator për pastrimin e dherave.

Komisioni i Mbrojtjes Civile i Qarkut Shkodër,  tashmë ka të aktivizuar planet e gadishmërisë duke bashkëpunuar intensivisht me drejtoritë përgjegjëse të KESH, Autoriteti Verior Rrugor, Drejtoria Rajonale e Ujitjes dhe Kullimit, dhe bashkitë për mirëmenaxhimin e situatës.

Aktualisht situata është nën kontroll dhe po vijon monitorimi i saj hap pas hapi.