Ibrahimaj: Rrisim nivelin e pensioneve 9.5%, paga minimale shkon 34 mijë lekë; Në total përfitojnë 900 mijë qytetarë…

Shpërndaje

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për indeksimin e pensioneve në nivelin 6%, vendim që do të hyjë në fuqi që në pensionin e këtij muaji.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, njoftoi se pensionet do të rriten në masën 9.5%, ku do të përfitojnë 678 mijë pensionistë.

Në mbledhjen e fundit është miratuar edhe vendimi për rritjen e pagës minimale në 34 mijë lekë.

“Me këtë indeksim të dytë prej 6% ne e çojmë rritjen e pensioneve në nivelin 9.5%. Nga ky vendim përfitojnë rreth 678 mijë pensionistë, të cilët nga pensioni që do të marrin në tetor, pra ky vendim hynë në efekt që në pensionin e muajit shtator, do të kenë një rritje prej 9.5%.

Gjithashtu morëm një vendim tjetër për sa i përket rritjes së pagës minimale në shkallë vendi, ju e mbani mend që ne, në muajin prill, si pjesë e paketës së parë të rezistencës sociale rritëm pagën minimale në vlerë 32 mijë lekëve, me vendimin e sotëm paga minimale do të jetë në nivelin e 34 mijë lekë, vendim që prekë mbi 200 mijë të punësuar që përfitojnë nga kjo rritje.

Në total kemi rreth 900 mijë qytetarë shqiptarë që përfitojnë nga rritja e pensioneve dhe pagës minimale nga dy vendimet që u  morën sot nga Këshilli i Ministrave”.

Shpërndaje