Arrestohet në Tiranë i shumëkërkuari, Lajden Kadilli, i njohur ndryshe me nofkën “Lypeni”. Mësohet se Kadilli është arrestuar në ambientet e një kompleksi në kryeqytet, gjatë një operacioni të përbashkët mes Policisë së Tiranës dhe asaj të Durrësit. Policia e kishte pikasur prej kohës se ai jetonte në këtë zonë, dhe mbrëmjen e djeshme një grup agjentësh, kanë vendosur të ndërhyjnë me qëllim arrestimin e tij. Por Lajden Kadilli, ka “nuhatur” lëvizjet e shpeshta të agjentëve dhe menjëherë u largua me vrap.
Forcat e Policisë iu vunë në ndjekje dhe në ikje e sipër Lajden Kadilli hodhi në rrugë pistoletën e tij. Por pa kaluar shumë minuta, ai u arrestua nga një patrullë e policisë, “Shqiponja”.
Kush është Lajden Kadilli?
Lajden Kadilli, është një personazh shumë i njohur i botës së krimit në Durrës. “Lypeni” ka marrë pjesë në 11 ngjarje kriminale dhe nuk ka bërë asnjë ditë burg. ‘Miqësinë’ me armën, 26-vjeçari e nisi në moshën 11-vjeçare, kur për herë të parë ka qëlluar vëllain e tij.
Më pas, më 18 korrik të vitit 2013, Lajden Kadilli u shpall në kërkim nga policia, pasi në vendin e quajtur “Ura e Dajlanit”, në Durrës, tentoi të vrasë me autoveturën me targa AA 272 CB, punonjësin e policisë Arben Luçi. Pas ngjarjes së rëndë ai u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë prokuroria dhe policia e këtij qyteti, nisën penal ndaj tij për akuzën e “Vrasje për shkak të cilësive të veçanta e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Për këtë ngjarje Kadilli ka dalë nga kërkimi në datën 20 gusht 2013. Nuk dihet ende sesi u pushua kjo çështje.
Gjashtë muaj më vonë Kadilli, më konkretisht në datën 8 janar 2014, shpallet sërish në kërkim. Kjo pasi prokuroria e Apelit Durrës dërgoi një urdhër për ekzekutimin e Vendimit Penal të Gjykatës Apelit Durrës, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për akuzën e “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”, “Kundërshtim te punonjësve të policisë së rendit publik”.Ky urdhër është anuluar dy muaj me vonë, pikërisht në datën 18 mars 2014, dhe Kadilli ka dalë nga kërkimi.
Ai u shpall sërish në kërkim, më datën 4 dhjetor të 2014,pasi në rrugën nacionale të lagjes nr.4, Durrës, goditi me makinën me targa “AA 165 KF”, mjetin motoçikletë të efektivit të policisë rrugore në detyrë Çlirim Çopa. Ky i fundit ngeli i plagosur. Për këtë ngjarje, është akuzuar për veprën penale të “Goditjes për shkak të detyrës” dhe është shpallur në kërkim në 4 dhjetor 2014 ndërsa në 21 maj 2015 kërkimi është anuluar për Kadillin.
Gjithashtu në 15 dhjetor 2014, prokuroria e Durrësit ka lëshuar fletë-arresti për Kadillin për akuzën e “Kundërshtim i punonjësve të policisë së rendit publik” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, për të cilën është vendosur masa e “arrestit në burg” por në 21 maj 2015 Kadilli sërish ka dalë nga kërkimi.
Sakaq, më 19 maj të 2015, Kadilli është pikasur nga forcat e policisë në zonën e “Unazës së Re” në Tiranë. Ai nuk i ka ndaluar thirrjeve të punonjësve të policisë, por ka tentuar t’i shtypë ata me automjetin e tij, duke i aksidentuar punonjësit e policisë. Për këtë ngjarje ai është akuzuar për “Vrasje për shkak të cilësive të veçanta e mbetur në tentativë”, dhe është shpallur në kërkim në datën 20 maj 2015.
Po kështu më 19 qershor të viti 2016, në Golem të Kavajës pranë hotel “AS”, ai ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë Albi Çelçima dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Ndaj tij ka filluar dosje penale për akuzën e “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Kadilli është shpallur në kërkim në datën 19 qershor 2016 dhe ka dalë nga kërkimi policor pas tre viteve, pikërisht në datën 18 qershor 2019. Për plagosjen e Albi Çelçimës në Golem të Kavajës Kadilli është dënuar në muajin qershor 2019 nga gjykata e Kavajës me 4 vjet burgim, duke ja konvertuar këtë dënim me 5 vjet qëndrim i lirë në periudhë kushti.
Sakaq, në muajin gusht të vitit 2019, ai është shpallur në kërkim nga policia, pasi ka kanosur me armë djalin e deputetit të PS në Durrës, Spartak Braho dhe i ka thyer xhamin e makinës.Në momentin që ndodhi ngjarja, djali i deputetit, Kreshnik Braho ishte në shoqërinë e dy fëmijëve të mitur që ndodheshin në makinë me babain e tyre, por fatmirësisht nuk pësuan asnjë lëndim.
Por një muaj më vonë, më 11 shtator të vitit 2019, Kadilli u bë sërish pjesë e një tjetër ngjarjeje kriminale. Ai u shpall në kërkim nga Gjykata e Tiranës, vendim i cili u dha nga gjyqtari, Altin Abdiu, pasi prokuroria e Tiranës e akuzon 26-veçarin për “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë në dëm të Gentian Rrahmanit dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake dhe municionit”. Kjo dosje është administruar nga prokurori i Tiranës Robert Kote, dhe tani pas arrestimit, Kadilli do të dalë para gjykatës, për t’u njohur me masën e sigurisë.
Kadilli ka qëndruar për më shumë se pesë vite me radhë në kërkim, ndërkohë edhe n¡ rastet kur është ndaluar nga Policia, atij i kanë dhënë dënime të buta.
/Dosja.al