I dha kartën për të blerë rroba e darka në restorante, arrestohet italiani që lejoi bosin e Cosa Nostra-s të përdorte identitetin e tij…

Shpërndaje

Një burrë italian, identiteti i të cilit u përdor nga bosi i mafias Matteo Messina Denaro për të qëndruar nën radar është arrestuar së fundmi në Siçili.

Andrea Bonafede, një topograf nga Campobello di Mazara në provincën e Trapanit, u kap dje nga policia italiane dhe akuzohet si i lidhur me bosin e mafias që u kap as 30 viteve në arrati.

Bosi i mafias po përdorte emrin e rremë Andrea Bonafede për t’iu nënshtruar trajtimit të kancerit pa zbuluar identitetin e tij të vërtetë, ndërsa kur u kap nga policia, Messina Denaro përdorte një kartë identiteti zyrtare me emrin e Bonafedes, por foton e tij.

Urdhër-arresti i Bonafede e akuzon atë se ka ndihmuar bosin 60-vjeçar të mafias të kryejë rolin e tij brenda organizatës, duke e lejuar atë të shmangë zbatimin e ligjit dhe të ketë akses në kujdesin shëndetësor kombëtar duke përdorur një identitet të rremë.

Hetuesit dyshojnë gjithashtu se Bonafede mori 20,000 euro nga Messina Denaro për të blerë një shtëpi në Siçili, të cilën mafiozi e përdori si vendstrehimin e tij në muajt e fundit të arratisjes.

Bonafede rrëfeu gjithashtu se ai i dha bosit të mafias kartën e tij të kreditit, duke e lejuar atë të blinte rroba të shtrenjta dhe të shijonte darka në restorante.

Shpërndaje