I dënuar përjetë/ Proteston Admir Tafili, intervistë me telefon nga burgu

Shpërndaje

Të burgosurit që vuajnë dënimin në burgun e Burrelit kanë nisur një grevë urie për një afat të pacaktuar, pasi sipas tyre pretendohet që u janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore.

Kjo grevë urie ka nisur pasi referuar ligjit të ri, të burgosurve nuk u lejohet të zhvillojnë takime me familjarët e tyre, përveç rrethit të ngushtë që përfshin prindërit, motrat e vëllezërit dhe nga ana tjetër, Drejtoria e Burgjeve e ka kufizuar numrin e telefonatave të tyre.

Ditën e sotme, Admir Tafili një nga të dënuarit me burgim të përjetshëm, në një intervistë për JOQ tregoi situatën në të cilën ndodhen edhe të dënuarit e tjerë tashmë prej disa ditësh.

Tafili u shpreh i revoltuar sa i takon këtij vendimi duke theksuar se i janë shkelur të drejtat.

“Jemi në një grevë urie, e kemi nisur sepse na janë mohuar të drejtat dhe takimet familjare. Kanë ndryshuar një ligj, e kanë nxjerrë në vitin 2020 dhe takimet lejohen vetëm me rrethin e ngushtë familjar, motra, vëllai, nëna e babai. Ligji ka qenë më herët që lejohet edhe takime me të tjerë, tani e kanë bërë me familjarët e ngushtë. Domethënë me të ardh vëllai me nipat e mbesat, fusin vetëm vëllanë dhe nipat e mbesat nuk i lënë. Kemi edhe kërkesë për kohën e telefonatave”, deklaroi Tafili.

Nga ana tjetër edhe psikologu i burgut të Burrelit dhe specialisti i burgjeve e kanë konfirmuar se ky ligj është shkelje e hapur ndaj të drejtave të njeriut. Sipas Tafilit,  greva e urisë është e vetmja zgjidhje që shteti të ndryshojë këtë ligj.

Por kush është Admir Tafili, një emër i shumëpërfolur për drejtësinë shqiptare?

Admir Tafili njihet si kreu i grupit të ‘tritolit’ pasi teksa ndodhej në burg porositi vrasjen e Ibrahim Manit përmes Kristi Pinës, tanimë një bashkëpunëtor i drejtësisë. Tafili është dënuar për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj ish-shefit të Krimeve, Prel Pjetrushi. Në vitin 2000 policia e Shkodrës shkoi në një operacion në lagjen Kiras për të arrestuar Bahri Tafilin, i cili akuzohej për vrasjen e Skënder Gecit. Në atë operacion u vranë si Bahri Tafili dhe po ashtu edhe drejtori i Policisë së Shkodrës, Komisar Arben Zylyftari, vrasje për të cilën u akuzuan gjithashtu të dy vëllezërit Tafili. Familja Tafili disa herë ka akuzuar si autor të dy vrasjeve ish-shefin e krimeve të Shkodrës, Prel Pjetrushin. Kimete Tafili, bashkëshortja e Bahri Tafilit, është shprehur se i shoqi është vrarë nga Prelë Pjetrushi pasi u dorëzua i prangosur, dhe se autorët e vërtetë të vrasjes së Arben Zylyftarit janë të lirë.

Në vitin 2010, Admir Tafili, mori leje nga burgu i Shën Kollit për të parë të ëmën e sëmurë dhe në këtë rast arratiset. Në mars të vitit 2011, vrau në pritë dy vëllezërit e Prel Pjetrushit në fshatin Grudë të Shkodrës. Muaj më vonë, pas një operacioni të suksesshëm policie Tafili arrestohet në Tiranë.

Dy vite më vonë, teksa ndodhej në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, Admir Tafili meme një grup bashkëpunëtorësh arratisen, por një ditë më vonë ata prangosen nga RENEA në Prrenjas. Tanimë ai ndodhet në burgun e Burrelit ku edhe po vuan dënimin./CNA.al

Shpërndaje