I arratisur tre herë nga burgjet Evropiane dhe i akuzuar për vrasje, media amerikane flet për Dritan Rexhepin…

Shpërndaje

Media prestigjioze amerikane, The Wall Street Journal, i ka kushtuar një artikull të zgjeruar narko-trafikantit shqiptar, Dritan Rexhepi, i cili thuhet se ndodhet i strehuar në një burg në Ekuador.

Rexhepi, është cilësuar si një nga trafikantët më të rrezikshëm në Amerikën e Jugut dhe si personi që me anë të lidhjeve të tij, mbushi pjesën më të madhe të Evropës me drogë. Sipas medias, trafikanti shqiptar e porosiste drogën në Kolumbi dhe nga andej, e fshihte dhe e transportonte në kontejnerë derisa mbërrinte në vende Evropiane, kryesisht, Itali, Belgjikë dhe Holandë.

Policia ka dyshime të forta, se Rexhepi, një pjesë të mirë të porosive i ka kryer nga brenda mureve të burgut dhe këtë e bënte me anë të një telefoni celular.

Operacioni për rrëzimin e rrjetit të tij, i udhëhequr nga Komisionerja e Policisë së Firences, Erminia Del Prete dhe që përfshin prokurorë dhe kolegë vendas në të gjithë Europën, ishte një sukses i dukshëm për autoritetet në kontinent, të cilët po luftojnë për të ndërprerë fluksin. Autoritetet Evropiane të sigurisë, thonë se rrjeti kriminal që drejtonte Rexhepi, i njohur si Kompania Bello, ishte një nga më të mëdhenjtë dhe kjo për ta bënte habit ë madhe, sepse tregonte se si një trafikant nga Shqipëria, një vend i vogël në Ballkan të kishte lidhje kaq të forta.
“Grupet shqiptare janë vërtet të forta,” thotë Francesco Messina, drejtor antikriminal i policisë së Shtetit të Italisë. “Ata kanë pushtuar tregun e kokainës aq shumë sa që tani janë ndër grupet më të forta kundër të cilave duhet të luftojmë.”
Hetimi gjashtëvjeçar përfundoi shtatorin e vitit të kaluar duke shënuar më shumë se 100 arrestime në 10 vende për trafik ndërkombëtar droge dhe sulme. Italia i ka kërkuar Ekuadorit ekstradimin e Rexhepit me akuzën e krijimit dhe drejtimit të një shoqate kriminale transnacionale të angazhuar në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.
Rexhepi, 44 vjeç, nuk mund të kontaktohej për koment. Avokati i tij në Ekuador u qëllua dhe u vra në prill. Një avokat që e ka përfaqësuar së fundmi në Shqipëri nuk pranoi të komentojë.

Operacioni që çoi më pas në arrestimin e rexhepit nisi në vitin 2014, kur policia ndaloi disa shqiptarë që po konfliktonin për biznesin e prostitucionit. Nga hetimet e atëhershme dhe marrja në pyetje e tyre, u mësua se si funskiononte rrjeti i trafikimit të drogës, i konsideruar si një nga më të fuqishmet.
Ishte viti 2016 ku policia ra në gjurmët e 44-vjeçarit. Ata nuk e kishin dijeni mbi identifikimin e tij, por e zbuluan se ndodhej në Ekuador, nëpërmjet disa bisedave të çuditshme.

“Po dal për ajrosje”, shkroi ai në një mesazh. “Më duhet të fsheh telefonin tim,” tha ai në një tjetër.
Kur në një bisedë tjetër ai përmendi një dënim, zonja Del Prete thotë se ai ishte pas hekurave dhe policia shpejt e identifikoi Rexhepin.
Rexhepi, akuzohet edhe për vrasje. Në vitin 1999, mendohet se ai ka qëlluar me breshëri kallashnikovi një polic, brenda një lokali. Ai ishte paguar për këtë atentat, mirëpo plumbat e lëshuar nga arma e tij vranë edhe dikë tjetër.

Policia e arrestoi Rexhepin vetëm në janar 2006 në kryeqytet, Tiranë.
Po atë mbrëmje, Rexhepi u arratis nga dhoma e marrjes në pyetje pasi hapi me gisht një bravë me defekt dhe i tha një roje që policia kishte mbaruar punë me të. Një gjykatë më vonë e dënoi në mungesë për vrasje.

Ky ishte i pari nga tri arratisjet nga burgu pasi policia europiane e ndoqi në të gjithë kontinentin për trafik droge dhe akuza të tjera. Në Itali, ai sharroi hekurat e qelisë dhe u arratis. Në Belgjikë, ai shpëtoi duke u ngjitur mbi një mur.
Rexhepi ishte i ndjeshëm dhe ndaj bashkatdhetarëve të tij. Në vitin 2016, kur ai zbuloi se tre shqiptarë ishin arratisur nga një burg i Romës, ai porositi një gomone që t’i priste në bregdetin jugor të Italisë, e prej atje, të shkonin në Shqipëri.
Rexhepi lëvizi para përtej Atlantikut duke përdorur sistemin kinez, ose “paratë fluturuese”, ku paratë e depozituara te një agjent në një vend mund të tërhiqen nga dikush në një vend tjetër, kryesisht pa lënë gjurmë. Ai gjithashtu kursente para në komisione duke përdorur korrierët e tij.

Shpërndaje