Hyjnë në fuqi kërkesat e reja të higjienës për operatorët e biznesit ushqimor…

Shpërndaje

Që nga stabilimentet e prodhimit të vezëve, të bizneseve që trajtojnë të brendshmet e kafshëve, që prodhojnë xhelatinë dhe kolagjen ushqimor duhet të përmbushin kërkesat e reja të higjienës.

Në Fletoren Zyrtare është botuar udhëzimi “Për disa ndryshime në udhëzimin nr. 21, datë 25.11.2010, “mbi kërkesat specifike të higjienës dhe kontrollet zyrtare për produktet me origjinë shtazore”, të ndryshuar” që përfshin kërkesat e reja të higjienës që duhet të përmbushin operatorët e biznesit që prodhojnë produkte me origjinë shtazore.

Udhëzimi është përafruar pjesërisht me rregulloren (KE) nr. 853/2004, të Parlamentit dhe të Këshillit Evropian të 29 prillit 2004, “Përcaktimin e rregullave të veçanta të higjienës për ushqimet me origjinë shtazore”.  Ndër të tjera udhëzimi pritet të jetë një ndihmesë për operatorët e biznesit ushqimor për përmirësimin e standardeve dhe sjelljen e tyre në standardet e kërkuara nga BE-ja për eksportin e produkteve që ata prodhojnë.

Ndër kërkesat specifike në përmbushje të standardeve të higjienës për stabilimentet e prodhimit të vezëve, udhëzimi parashikon se operatorët duhet të sigurojnë që stabilimentet të jenë të ndërtuara me ndarje për kryerjen e procesit të larjes, tharjes, dezinfektimit të vezëve të pista, etj.

Përveç kërkesave të përgjithshme për vulën identifikuese të përcaktuara në legjislacionin në fuqi, dërgesat e produkteve të vezëve, të destinuara jo për shitje me pakicë, por për përdorim si përbërës në prodhimin e një produkti tjetër, duhet të kenë një etiketë që tregon temperaturën në të cilat produktet e vezëve duhet të ruhen dhe në periudhën gjatë së cilës mund të sigurohet konservimi.

Po ashtu në rastin e vezës së lëngshme, etiketa e përmendur, duhet gjithashtu të përmbajë fjalët: “Vezë të lëngshme jo të pasterizuar – për t’u trajtuar në vendin e destinacionit” dhe të tregojë datën dhe orën e thyerjes.

Ndërsa operatorët e biznesit ushqimor që trajtojnë të brendshmet e kafshëve ( stomakun, fshikëzën dhe zorrët) duhet të sigurojnë që ato rrjedhin nga kafshët të cilat janë therur në një thertore dhe të cilat janë gjetur të përshtatshme për konsum njerëzor pas inspektimit ante-mortem dhe post-mortem.

Për prodhimin e xhelatinës dhe kolagjenit të destinuar për përdorim në ushqim, mund të përdoren lëndët e para, kockat, të ndryshme nga materialet e specifikuara të rrezikut siç përcaktohet në urdhrin nr. 220, datë 14.4.2016, “Për miratimin e rregullores ‘Për përcaktimin e rregullave për parandalimin, kontrollin dhe çrrënjosjen e encefalopative spongiforme të transmetueshme’”./monitor/

Shpërndaje