Një normalitet i ri është cilësuar shpesh ai që do të vijojë pas kalimit të situatës së COVID-19.
Këtë term përdori në fakt edhe ministri Arben Ahmetaj, teksa foli për një normalitet të ri në ekonominë e vendit, ndërsa tha se do të duhet të paktën 1 vit për t’u kthyer aty ku ishim para nisjes së epidemisë.
“Mendoj që vendi do të arrijë në një normalitet të ri, diku në muajt shtator- tetor. Si në shkurt të këtij viti, ne do jemi vetëm vitin tjetër në këtë kohë”, deklaroi Ahmetaj.
Duke folur për humbjen e vendeve të punës Ahmetaj pranoi se do të ketë një rënie, por parashikon që rritja të nisë në muajin qershor, kjo falë turizmit për të cilin po mendohet një hapje e kujdesshme.
“ Punësimi do rimerret që nga qershori. Këtu kemi një element që ka të bëjë me turizmin. Ne turizmin do e rihapim kujdesshëm. Ne do flasim me vende si Çekia apo Polonia për të patur fluturime direkte dhe protokolle bilaterale, për t’i sjellë turistët drejtpërsëdrejti. Deri në shtator, punësimi do jetë ringritur tek 90% e asaj që ishte para krizës, ndërsa ekonomia do rimarri tempin e shkurtit të këtij viti, në janar -shkurt të vitit tjetër”, u shpreh Ahmetaj./Opinion.al