Historia tragjike e mjekut të njohur shkodran, i diplomuar në Paris / Komunistët i sekuestruan vilën e bërë nga Kol Idromeno, dhe i burgosën dy vëllezërit, që kishin studiuar në Insbruk…

Shpërndaje

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes shkodrane Prelaj, me origjinë të hershme nga fshati i Malësisë së Madhe, prej nga kanë trashëguar mbiemrin, ku i pari i tyre, Matishi, ishte vendosur në qytetin e Shkodrës në vitin 1850-të, pasi e kishte marrë me vete një austriak që kishte bujtur në shtëpinë e tyre, duke e dërguar tek miqtë e tij, me të cilët bënte tregti në atë qytet. Si mundën të shkollohen dhe të diplomohen tre djemtë e asaj familje, Pashko, Marjani dhe Pjetri, për Teologji, Filozofi dhe Mjeksi në disa prej universiteteve më të njohura të Evropës, për të ardhur dhe shërbyer më pas në atdheun e tyre, ku për gjysëm shekulli, u persekutuan nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke përfunduar burgjeve dhe internimeve.

Ashtu si shumë familje të vjetra fisnike shkodrane, kryesisht të besimit katolik të cilat u keqtrajtuan, persekutuan dhe u  masakruan nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, që me ardhjen e tij në pushtet në nëntorin e vitit 1944, ishte dhe familja Prelaj, e cila i’u nënshtrua atij “fati” tragjik.

Historia tragjike e mjekut të njohur shkodran, i diplomuar në Paris / Komunistët i sekuestruan vilën e bërë nga Kol Idromeno, dhe i burgosën dy vëllezërit, që kishin studiuar në Insbruk…

Si u vendosën Prelajt në Shkodër

Origjina e familjes Prelaj është nga fshati me të njëjtin emër, Prelaj i Malësisë së Madhe, të zonës së mbi Shkodrës. Sipas dëshmive të pasardhësve të kësaj familje, i pari i kësaj shtëpie i quajtur Matish Prelaj, që kishte lindur rreth vitit 1830-të, u shpërngul nga fshati tij i lindjes në vitin 1850-të dhe u vendos në qytetin e Shkodrës. Çfarë e shtyu Matishin, të linte fshatin e tij ku kishte të rregulluar më së miri dhe ekonominë e familjes, që të zhvendosjes në Shkodër, ku nuk kishte asnjë të afërm apo familje ku mund të mbështetej për tu stabilizuar?! Sipas disa dëshmive të pasardhësve të familjes Prelaj, bëhet e ditur se në vitin 1850-të, në shtëpinë e Matishit, në fshatin Prelaj të Malësisë së Madhe, bujti një mik i largët nga Austria, i cili kishte ardhur në këto anë për të bërë tregti. I mahnitur dhe i impresionuar nga mikpritja e familjes Prela, miku i largët ngulmoi që ta merrte Matishin e ri, me vete në Shkodër, për ta prezantuar tek miqtë e tij shkodranë, me të cilët ai kishte miqësi dhe marrëdhënie tregtare. Famija Prelaj, për t’ja bërë nderin deri në fund mikut, ia dha Matishin me vete, më tepër si shoqërues dhe jo për atë ç’ka mendonte miku austriak. Në qytetin e Shkodrës, miku austriak pasi e shëtiti Matishin, në vendet më të bukura, si Kalanë e Rozafës, Pazarin karakteristik etj.(ku Matishi kishte fatin t’i shihte për herë të parë), ata bujtën në një familje shkodrane, me të cilën austriaku kishte lidhje miqësie dhe tregtare, për shkak se aty endeshin pëlhurat në tezgjah dhe ai i tregtonte ato në Austri. Pas disa kohësh, miku austriak u largua për në vendin e tij, ndërsa Matishi, që e ruajti miqësinë me atë familje, filloi të bënte tregti, duke marrë pëlhurat që endnin ata dhe duke i shitur ato në fshatrat e Malësisë. Nuk kaloi shumë kohë dhe nga ajo punë Matishi pati fitimet të mira, të cilat ja ndryshuan atij rrjedhën e jetës. Pas disa kohësh, i zoti i asaj familje i dha Matishit për grua, njërën nga vajzat e tij, kjo u bë shkas që Matishi të vendosej përfundimisht me banim në Shkodër.

At Pashko Prelaj

Nga martesa e Matishit me vajzën e familjes tregtare shkodrane, erdhën në jetë pesë djem, të cilët u pagëzuan me emrat: Pashko, Marjan, Luigj, Tef dhe Pjetër. I madhi i fëmijëve ishte Pashko, që lindi rreth vitit 1875. Ndonëse Matish Prelaj, për vete nuk ishte i shkolluar, falë gjendjes së mirë ekonomike që krijoi, ai u kujdes që t’i shkollonte  djemtë e tij. Pashkon, më i madhi i fëmijëve, e dërgoi për të mësuar në Kolegjin Françeskan të Shkodrës dhe më pas në Seminarin Pontefik, të cilin e mbaroi në vitin 1899. Pas përfundimit të kësaj shkolle, ai u dërgua për të studiuar për Teologji e Filozofi, në Universitetin e Insbrukut në Austri. Pas diplomimit në këtë universitet, në vitin 1905-së, Pashko Prelaj u kthye në Shqipëri dhe pasi u shugurua si meshtar, u dërgua për të shërbyer në qytetin e Pejës në Kosovë dhe më pas në zonën e Grudës, në rrethinat e Shkodrës. Pasi shërbeu për disa vite në këto zona, në vitin 1917-të, Pashko u caktua në Zllokuqan të Malit të Zi dhe më pas për shumë vite, shërbeu si meshtar në qytetin e Shkodrës. Pas mbarimit të luftës, Pashko u caktua si frat në Kishën Françeskane të Tiranës, ku shërbeu deri në vitin 1955. Pas atij viti, atë e dërguan në Shirokë, ku shërbeu deri në vitin 1963, vit në të cilin ai dhe ndërroi jetë.

At Marjan Prelaj

Ashtu si vëllai i madh edhe i dyti i fëmijëve, Marjani, u dërgua në Kolegjin Françeskan të qytetit të Shkodrës, të cilin e mbaroi me rezultate shumë të mira. Rreth vitit 1900 dhe tre vite më vonë, atë e dërguan të studionte në Insbruk, për Teologji dhe Filozofi. Pasi u diplomua në këto dy degë, në vitin 1908-të, Marjani u shugurua meshtar në Tirol të Austrisë dhe më pas erdhi për të shërbyer në Shqipëri. Pasi qëndroi pak kohë në vendlindjen e tij në Shkodër, atë e caktuan të shërbente si meshtar në fshatrat Gllogjan, Theth, Iballë etj. Gjatë periudhës që At Marjani shërbeu në qytetin e Shkodrës, ai u mor dhe me veprimtari publicistike dhe në 1 tetor të vitit 1913-të, ai themeloi revistën “Zani i Shën Andout”, ndërsa një vit më vonë, ai formoi shoqërinë “Të bijat e Zojës”, e cila asokohe u bë një vatër edukimi e rinisë shkodrane, jo vetëm e asaj fetare, por dhe laike. Duke qenë famullitar në fshatrat e Mirditës që përfshiheshin nga Qarku i Shkodrës, At Marjani shpesh herë shkonte si misionar shëtitës, në fshatrat që përfshiheshin nga Arkidioqeza e Shkupit dhe ajo e Tivarit. Si rezultat i këtyre vizitave, u bë e mundur ndërtimi prej tij, i një famullie të re në Tuz dhe të një kishe të re Traboin. Pas përfundimit të Luftës, në vitin 1946, At Marjani u arrestua nga regjimi komunist dhe u burgos për tre vite. Pasi mbaroi burgun, në vitin 1950-të, ai u arrestua përsëri dhe pas pak muajsh u lirua. Po në atë vit ai u caktua provizor nga eprorët e Kishës, si Provincial i Urdhrit Françeskan në Shkodër, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1952. Mbas gjashtë vitesh, në 1958-ën ai u internua në fshatrat e Lushnjes, ku punoi për dy vite në bujqësi. At Zef Pëllumbi, një nga martirët e Kishës Katolike shqiptare, që ka vuajtur gjatë në burgjet e regjimit komunist, kujton për At Marjan Prelajn: ”At Marjani ishte një burrë i vjetër, por që kishte ide dhe vizion të reja. Ai ishte kenë akuzue për demokristianen, mbasi ishte kenë ky themeluesi i Shoqatës Fetare të Rinisë Femërore Katolike, në vjetin 1909. At Marjani mbrohej duke thënë se ai për politikë, dinte sa një foshnje e vogël. Megjithatë ai tregonte se në vjetin 1912-të, ishte kenë ky që në mënyrë sekrete, përcillte letrat e trimave të Atdheut e i dërgonte në drejtim të Ismail Bej Qemalit dhe Luigj Gurakuqit. Dikush mund të thonte për të, se kishte maninë për me kundërshtue e me thye ligjet, e ma tepër praktikën tradicionale: ‘I delte punë dhe me shenjtin’, siç thotë populli, sepse ai javë për javë u ndërronte vend etërve, statujave dhe figurinave. Pas dënimit të burgut të parë me tre vjet, At Marjani pas dhjetë vitesh u gjend përsëri në burg, sepse i kërkuan sekretin e Sakramentit të rrëfimit. Na të gjithë e cilësojshim At Marjanin, si njeri që kishte lindë, dy tre shekuj para vaktit. Ai ishte propaganduesi ma i madh i ‘I Tretit Urdhën’ në Shqipni, dhe për veç Kuvendit ose famullisë së vet, ai organizonte gjithmonë misione shëtitëse për të pajtuar mëritë dhe gjaqet. Në pleqni prej reumatizmës, atij i ishte deformue pak kolona vertebrale, nga një gungë, me të cilën ai qeshte dhe vetë”. Mbas lirimit nga burgu, ai ndërroi jetë në vitin 1974 në Tiranë dhe sipas dëshirës së tij, varrim u bë në Shkodër.

Doktor Pjetër Prelaj

I pesti i vëllezërve Prelaj, Pjetri, që në moshën 18 vjeçare u dërgua për të studiuar në Francë në fakultetin e Mjekësisë së Parisit, u njoh me bashkatdhetarin e tij, piktorin e madh Ndoc Martini. Ndoci, jetonte në një papafingo, në periferitë e kryeqytetit francez, të cilën e përdorte gjithashtu dhe për studio. Në një nga vizitat e shpeshta që Pjetri i bënte bashkëpatriotit të tij, ai i propozoi që t’i bënte një portret me ngjyra, me bojra vaji. Teksa Ndoc Martini, po hidhte ngjyrat mbi telajo, ai kurrë nuk e kishte menduar se ai portret (sot gjendet në Galerinë Kombëtare e Arteve në Tiranë) do të ishte një nga kryeveprat e pikturës shqiptare. Gjatë viteve që Pjetri vazhdoi studimet në fakultetin e Mjekësisë së Parisit, ai mori pjesë në luftë, duke kuruar ushtarët francez të plagosur. Për këtë, para se të kthehej në Shqipëri, ai u dekorua me një medalje ari ”LEGION D’HONNUER” nga ana e shtetit francez. Pas diplomimit në Mjeksi, në Paris dhe pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, Pjetri u kthye në qytetin e tij të lindjes, Shkodër. Në atë qytet Dr. Pjetri, iu përkushtua profesionit të tij të mjekut, duke bërë që shumë shpejt emri i tij të bëhej i njohur, pothuaj në të gjithë Shkodrën dhe fshatrat e saj. Pas pak kohësh, duke ndjerë një kënaqësi nga puna e tij dhe me kursimet që kishte mbledhur, ai kërkoi ndihmë arkitektit dhe piktorit të famshëm, Kol Idromeno, që ai t’i bënte projektin e një shtëpie, ku ai do të banonte e cila do t’i shërbente dhe si klinikë mjekësore. Arkitekti dhe piktori i njohur, Kol Idromeno, ja realizoi Dr. Pjetrit, projektin e shtëpisë, e cila prej shumë vitesh është e njohur në qytetin e Shkodrës, si një nga ndërtesat me arkitekturë të bukur, ku ndihet dora e mjeshtrit të madh. Në atë kohë që mjeshtri Idromeno, projektoi atë shtëpi, ai vinte pas një eksperience projektimi, që kishte bërë më parë si: Kafen e Madhe, Bankën e Shtetit, Vilën e DR. Shirokës etj. Sipas kërkesës së Dr. Prelajt, kati i parë i shtëpisë u projektua dhe ndërtua për ambientet e punës, ku u vendos aparati Rogner dhe dhomat për vizitat e pacientëve, ndërsa kati i dytë i shërbente për banim. Ajo shtëpi që edhe sot ndodhet në fund të rrugës Gjuhadol, është shpallur “Monument Kulture” dhe ka hyrë në thesarin e artë të arkitekturës shqiptare. Mbarimi i luftës e gjeti Dr. Prelajn, të transferuar në rrethin e Kukësit, pasi më parë shtetit komunist i kishte sekuestruar aparatin Rogner dhe gjithë literaturën, që ai e kishte blerë me flori në Francë.

Tefa dhe Luigji, tregtar

Ndryshe nga tre vëllezërit, Pashko, Marjani dhe Pjetri që studiuan për Teologji e Mjeksi, dy vëllezërit e tjerë, Luigji dhe Tefa, u morën me tregti. Ata të dy ndërtuan nga një vilë në afërsi të shtëpisë së Dr. Pjetrit. Njëra nga ato vila, ajo e Luigjit, ndodhet në fund të rrugës Gjuhadol, ndërsa tjetra, ajo e Tefës, ndodhet në mes shtëpisë, së dy vëllezërve të tij. Luigji kishte një mejhane të vogël, në katin përdhes të shtëpisë së tij, ndërsa Tefa merrej me tregtinë e pijeve alkoolike, që i merrte në Bari të Italisë. Italiani Guadalupi, që bënte tregti me Tefën, i sugjeroi që djalin e tij, Toninin, ta shkollonte në Itali. Kështu nën kujdesin e këtij tregtari barez, Tonin Prelaj u diplomua në Triseste për Ekonomi-Biznes dhe në periudhën mes dy luftërave, ai u kthye në qytetin e Shkodrës, duke punuar pranë babait, Tefës. Me ardhjen e komunistëve në pushtet në vitin 1945, Tefa përfundoi burgjeve dhe i detyruar me dhunë, dorëzoi edhe lekun e fundit, për “qeverinë demokratike” të gjeneral-kolonel, Enver Hoxhës. Pas daljes nga burgu, Tefa nuk pati mundësi ta ushtronte profesionin e tij të tregtarit dhe u mbyll në shtëpi. Po kështu dhe djali tij Tonini, pas vitit 1945, zanati i tregtisë, për të cilën kishte studiuar në Trieste, nuk i hynte më në punë dhe ai punoi si mësues, fshatrave të largët. Fëmijët e Matish Prelajt, që u diplomuan jashtë vendit, në regjimin komunist, nuk i gëzuan dot diplomat e tyre, por përfunduan burgjeve dhe internimeve. Nga pinjollët e kësaj familje, mbeti Tefa i ri (djali i Toninit dhe nipi i Tefës) i cili mundi të diplomohej, për Gjuhë të Huaja (rusisht) në vitin 1964, që njihet ndryshe dhe si arbitër i futbollit shqiptar. Prej disa vitesh ai jeton në SHBA, ku punon në shoqërinë ”Të bijat e Zojës”, që u themelua nga xhaxhai i tij, Marjan Prelaj, në vitin 1913-të në qytetin e Shkodrës.

Tef Prela, arbitër futbolli edhe në SHBA

Tef Prela arbitri i mirënjohur i futbollit të para viteve ’90-të, është ndër të paktët gjyqtarë që e ushtruan profesionin e tyre edhe pas viteve ’90-të, madje jashtë atdheut të tyre. Sipas arkitektit të njohur, Zhani Canco, (djali teze me Tef Prelën), Tef Prela me familjen, (bashkëshorten dhe dy djemtë) prej afro 20 vitesh jeton e punon në Nju Jork. Tefa, është i pari dhe i vetmi shqiptar, që si arbitër futbolli, ka mundur të arbitrojë në SHBA, në shtetet Nju York e Nju Xhersi./Memorie.al

Shpërndaje