Historia e panjohur të formimit të organizatës së fshehtë antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” me në krye Mark Çunin e cila u krijua në mesin e vitit 1945-së në qytetin e Shkodrës…

Nga Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të formimit të organizatës së fshehtë antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” me në krye Mark Çunin e cila u krijua në mesin e vitit 1945-së në qytetin e Shkodrës, nga ana e disa të rinjve student të gjimnazit të atij qyteti, si: Zef Mirdita, Luigj Kçira, Ernest Dema, etj., ku bënin pjesë edhe disa nxënës seminaristë të Seminarit Papnuer, si: Gjergj Bici, Gjon Shllaku, Preng Lezaj, Ndoc Vata dhe Pjetër Gjoka.

Dëshmia e rrallë e Gjovalin Zezaj nga qyteti i Shkodrës, një prej pjesëtarëve të asaj organizate të fshehtë antikomuniste lidhur me aktivitetin e saj dhe mbledhjet që i zhvillonin krerët kryesorë të sa,j në ambientet e Seminarit Papnuer dhe në shtëpinë e tij, si dhe përpilimi e shtypja e trakteve me përmbajtje, kundra qeverisë së Enver Hoxhës, nga ana e Gjon Shllakut e Pjetër Grudës, të cilat u shpërndanë pak përpara datës së zgjedhjeve të dhjetorit të vitit 1945-së.

“Traktet përpiloheshin nga seminaristët Mark Çuni, Gjon Shllaku dhe Pjetër Gruda, të cilët kishin një formim të gjerë dhe përmbajtja e tyre, ishte krejtësisht antikomuniste dhe anti-sllave, ku vihej në dukje tradhtia e madhe që ju bë popullit nga ana e Frontit Demokratik, që nuk ishte gjë tjetër veçse një maskë e Qeverisë Komuniste të Enver Hoxhës. Seminaristi Mark Çuni që ishte dhe organizatori ynë, këtë grup e pagëzoi me emrin Organizata “Bashkimi Shqiptar”, e cila do të përfshinte në radhët e saja të gjitha rrymat me pikëpamje të ndryshme politike, por gjithmonë me frymë demokratike e antikomuniste”. Kështu e kujton Gjovalin Zezaj, nga të vetmit e mbetur gjallë prej pjesëtarëve të asaj organizate antikomuniste, që u formua nga të rinjtë shkodranë në fundin e vitit 1945, i cili në rrëfimin e tij për Memorie.al na tregon për atë ngjarje të largët, prej së cilës vuajti më shumë se dhjetë vjet burgjeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës.  Si u krijua organizata antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”, kush ishin organizatorët dhe personat e tjerë që aderuan aty e cili ishte programi i saj?

Si u krijua grupimi i fshehtë antikomunist?

Si reaksion i terrorit që komunistët ushtruan në Shkodër me arrestime, burgime, tortura dhe pushkatime me dhe pa gjyq, kryesisht ndaj Klerit Katolik, në mesin e vitit 1945-së u formua organizata e fshehtë “Bashkimi Shqiptar”. Lidhur me këtë Gjovalin Zezaj dëshmon:” Nisur nga situata që mbizotëronte asokohe në Shkodër, u krijua një urrejtje dhe zemërim i madh kundra qeverisë komuniste e cila ndër ne të rinjtë arriti kulmin. Kështu një grup të rinjsh dhe studentë të gjimnazit, si: Zef Mirdita, Luigj Kçira, Ernest Dema dhe unë, u mblodhëm për të diskutuar rreth asaj situate. Me ne u bashkuan edhe disa të rinj punëtorë të shtypshkronjës, si: Çesk Gjeluci, Lazër Kodheli, Tonin Bjanku etj. Ky grup u zgjerua dhe më te, me disa studentë seminaristë të Seminarit Papnuer si Mark Çuni, Gjergj Bici, Gjon Shllaku, Preng Lezaj, Ndoc Vata dhe Pjetër Gjoka. Pas kësaj ne organizuam një mbledhje të fshehtë ku i dhamë besën njeri tjetrit, që do të punonim për idealin e shenjtë të atdheut dhe të luftonim qeverinë komuniste, me mjete paqësore. Seminaristi Mark Çuni, që ishte dhe organizatori ynë, këtë grup e pagëzoi me emrin “Bashkimi Shqiptar”, e cila kishte si qëllim që të bashkonte rreth sajë të gjitha rrymat me pikëpamje të ndryshme politike, që kishin frymë demokratike dhe antikomuniste”, kujton Gjovalin Zezaj.

Shpërndarja e trakteve kundër regjimit

Si veproi më tej organizata e pagëzuar me emrin “Bashkimi Shqiptar”? Lidhur me këtë Gjovalini kujton:”Pas mbledhjes së parë, ne filluam të bënim dhe mbledhje të tjera, që kryesisht i zhvillonim në ambientet e Seminarit. Ne aty hynim natën dhe vinim një nga një, në mënyrë që të mos na zbulonin eprorët e Seminarit, e duke pasur kujdes që të mos e komprometonim atë. Në atë mbledhje ne diskutonim rreth problemeve që na preokuponin më shumë. Pas diskutimesh ramë të gjithë dakord, se i vetmi mjet që mund të përdornim ishin traktet, ku nëpërmjet tyre, ne mund të përhapnim të vërtetën që e fshihte qeveria komuniste. Ne studentët e gjimnazit na u caktua shpërndarja e trakteve dhe për këtë mbledhjet e celulës sonë, i zhvillonim tek shtëpia ime. Mbi tavolinën e dhomës sime, ne kishim vendosur një hartë topografike të qytetit të Shkodrës dhe bënim planifikimin e njerëzve, që do të shpërndanin traktet në vendet e caktuara. Gjithashtu në mënyrë të preçizuar saktë, ne caktonim dhe orën e fillimit të shpërndarjes së trakteve dhe orën e mbarimit të tyre. Mbas këtij orari, asnjërit nuk i lejohej që të mbante trakte me vete, që në ndonjë rast kontrolli të mos zbuloheshim. Traktet përpiloheshin nga seminaristët Mark Çuni, Gjon Shllaku dhe Pjetër Gruda, të cilët ishin më të formuar dhe kishin një kulturë të gjerë. Në përmbajtjen e atyre trakteve kishte një frymë kombëtare me pikëpamje antikomuniste dhe anti sallave, ku vihej në dukje tradhtia e madhe, që ju bë popullit shqiptar nga ana e Frontit Demokratik, e cila nuk ishte gjë tjetër, veçse një maskë nën të cilën fshihej Partia Komuniste e Enver Hoxhës, e cila po ushtronte një terror të paparë, sidomos në veriun e Shqipërisë”, tregon Gjovalini aksionin e shpërndarjes së trakteve nga organizata e fshehtë.

Zgjerimi i Organizatës

Dal nga dalë organizata jonë filloi shtrirjen e saj dhe jashtë rrethit të Shkodrës. Kështu, Myfit Bushati, një shoku ynë i gjimnazit, që u bashkua me ne, na lidhi me “Grupin e Rezistencës” dhe me organizatën “Bashkimi Kombëtar” që vepronte në Tiranë, në të cilën bënte pjesë dhe Musine Kokalari. Më pas u lidhëm dhe me “Grupin Demokristian” të Shkodrës, ku bënin pjesë Nino Kurti e Pjetër Berisha, dy oficerë me akademi të lartë ushtarake, si dhe: Mark Lulashi, Mark Shllaku, Andrea Petroviç, Luigj Shoshi e Paulin Kel Pali. Nga ky grup ne mësuam se Padër Gjon Shllaku, ju kishte thënë për bisedën e ministrit të Arsimit e Kulturës, Sejfulla Malëshovës, gjatë vizitës së tij në Kuvendin Françeskan, ku i ishte shprehur At Marin Sirdanit, që mund të formohej një parti Demokristiane. Aktiviteti i organizatës sonë u përhap dhe në krahinat e thella të Veriut, në zonën e Malësisë së Madhe dhe të Dukagjinit, prej djalit të Bajraktarit të Shoshit, Gjelosh Lulashit, i cili bashkëpunoi dhe me disa të rinj dukagjinas, që në atë kohë ishin marrë për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, si P. Delia. N. Delia. D. Mëhilli, O. Plaka, P. Kotrri, H. Saliu, M. Çuni dhe J. Vasa. Lidhje të tjera ne krijuam dhe me krerët nacionalistë që ishin në arrati, si Muharrem Bajraktarin, Pal Bibë Mirakajn, Gjelosh Lulin, Ndoc Vatën, Llesh Marashin, etj., gjë e cila u bë e mundur prej shokëve tanë, Qerim Sadiku e Frano Mirakaj. Ndërsa organizata jonë ishte në kulmin e aktivitetit të saj, Radio-Shkodra për çdo ditë jepte lajme dhe komunikatat e Sigurimit të shtetit, për kapjen e ekzekutimet e pjesëtarëve të rezistencës antikomuniste, të cilët quheshin “tradhtarë, reaksionarë dhe armiq të popullit”, kujton Gjovalini shtrirjen e organizatës dhe lidhjet e saja me krerët e njohur nacionalistë.

Memorandumi për anglo-amerikanët

Mbas zgjedhjeve parlamentare të 2 dhjetorit 1945, terrori komunist ndaj qytetit të Shkodrës arriti kulmin, për shkak se një pjesë e madhe e popullsisë, votoi kundër kandidatëve të Frontit Demokratik. Lidhur me këtë Gjovalini kujton: “Nga krerët e Organizatës sonë, m’u ngarkua si detyrë që me aparatin tim fotografik, të realizoja disa foto me të burgosurit politikë, që merreshin dhe silleshin nga gjyqi. Duke përfituar se afër Bashkisë ndodhej shtëpia e dajës sim, me dritare me grila, përfitova dhe fiksova Ndue Palin, të lidhur dorë për dorë me Caf Metën. Po kështu fiksova patriotin shkodran Ymer Lutfija me një grup të burgosurish, si dhe Injac Tonin e Zef Stakun. Përpunimin e këtyre fotografive ma bëri fotografi i njohur Geg Marubi. Në muajin tetor të atij viti, seminaristët përpiluan një memorandum drejtuar anglo-amerikanëve, në të cilën përshkruhej me hollësi klima e terrorit dhe e gjenocidit komunist, që kishte përfshirë vendin, duke ju kërkuar atyre ndihmë urgjente. Tekstin e memorandumit na e përktheu në frëngjisht Prof. Gjelosh Luli. Në atë kohë në Shkodër, kishte ardhur një mision amerikan, i cili qëndroi disa ditë në Hotel Park. Asokohe Sigurimi i Shtetit kishte marrë të gjitha masat, që asnjeri të mos komunikonte me këtë mision. Unë gjeta mundësinë për t`ja dhënë letrën njërit prej anëtarëve të atij komisioni, me anën e Gac Logorecit, që punonte si kasier në Kafen e Madhe. Ajo u bë në një moment që aty u fikën dritat dhe amerikani e mori zarfin e futi në xhep, e u largua pa na parë njeri.

Gjovalin Zezaj: si u arrestuam?

Në fundin e nëntorit të vitit 1945, organizata klandestine antikomuniste ra në gjurmët e Sigurimit të Shtetit dhe pothuajse të gjithë krerët dhe anëtarët e saj u arrestuan. Lidhur me këtë Gjovalini kujton: “Ishte data 27 nëntor 1945. Unë së bashkë me shokët e mi, kishim shpërndarë traktet dhe sipas njoftimeve nuk kishte pasur probleme. Rreth orës 23.00 të asaj mbrëmje, shtëpia ime u rrethua me polic e partizanë. Sapo e pikasa këtë gjë, mora shpejt fotot dhe dokumentet e grupeve antikomuniste të Tiranës, e ja dhashë motrës që t`i fuste menjëherë në stufë. Pasi vëllai hapi derën, policët u futën brenda dhe nisën kontrollin. Në krye të këtij grupi ishte njeriu i Sigurimit, Çesk Shoshi, i cili u çudit kur më pa mua, ashtu të vogël (isha 17 vjeç), saqë kujtoi se mos ishte ndonjë keqkuptim. Më shkëputën nga duart e prindërve dhe më dërguan në ndërtesën e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, jo shumë larg që andej. Megjithëse ishte mesnatë, aty kishte lëvizje të mëdha dhe dëgjoja rënkime, ofshama dhe ulërima që të këpusnin shpirtin. E kuptova se kishim rënë në duart e Sigurimit të Shtetit. Zoji Themeli, Kryetari i Degës, më pa me inat dhe më pas kapitenët Fadil Kapisyzi, Nesti Kopali dhe Zoj Shkurti, filluan të më merrnin në pyetje, lidhur me traktet që kishim shpërndarë. Ata më provokuan duke më thënë se do të më dërgonin në shtëpi, sepse isha i vogël, vetëm po të tregoja siç kishte bërë shoku im Zef Mirdita. Unë e kuptova se ai ishte një provokim dhe nuk pranova. Ditën e dytë mora vesh se ishin arrestuar dhe Luigj Kçira, Ernest Dema e Çesk Gjeluci. Shefi i Degës më pyeste në se e njihja Mark Çunin dhe unë ju thashë se njohja ime me të vinte pasi ai kishte qenë nxënës i babait tim, në Rranxë-Bushat. Unë shpresoja që Marku të mos ishte arrestuar, por mjerisht atë e sollën aty të lidhur me pranga. E kuptova se i gjithë grupi dhe krerët e organizatës sonë, kishin rënë në duart e Sigurimit. Kështu nëpërmjet policit Çesk Vila, mësova për arrestimin e Lulash Gjeloshit (Bajraktari i Shoshit) Gjelosh Lulit, Qerim Sadikut, Nik Delisë, Frano Mirajt, Pjetër Delisë, Dedë Mhillit e shumë anëtarëve të tjerë të organizatës sonë. Po kështu, Sigurimi i Shtetit kishte arrestuar dhe drejtuesit e seminarit Papnuer, Padre Danjel Dajanin, Padre Gjon Shllakun dhe Padre Xhovani Faustin, meqë shume prej anëtarëve të organizatës, ishin studentë të atij Seminari.

Gjyqi: 11 vetë me vdekje

Pas arrestimit të gjithë pjesëtarëve të organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” dhe torturave të shumta, që ju bënë atyre në hetuesi, filloi procesi gjyqësor. Më 31 janar 1946, herët në mëngjes të gjithë grupin tonë prej 39 vetash, i lidhën dhe të shoqëruar me partizanë dhe policë të armatosur, nga të dy krahët na nisën në këmbë, për në Kinema “Rozafa”, ku do të zhvillohej gjyqi ndaj nesh. Ndonëse populli i Shkodrës, këtë gjë e priti i terrorizuar, gjatë rrugës pati edhe njerëz që na pështynin e na qëllonin. Trupi gjykues përbëhej nga kryetari, toger Mustafa Iliazi dhe anëtarë kapiten Namik Qemali, aspirant Tonin Miloti dhe sekretar Shaban Dautaj. Kurse prokuror i akuzës, ishte kapiten Aranit Çela. Pas 20 ditë seancash gjyqësore, më 19 shkurt, prokurori ushtarak Aranit Çela dha dënimet. Me pushkatim u dënuan Padër Xhovani Fausti, Padër Danjel Dajani, Padër Gjon Shllaku, Mark Çuni, Gjergj Bici, Gjelosh Luli, Gjelosh Lulashi, Qerim Sadiku, Pjetër Berisha, Ndoc Vata dhe Frano Mirakaj. Kurse me burg të përjetshëm, u dënuan Gjon Shllaku (përkthyesi) Pjetër Lezaj, Zef Mirdita, unë Gjovalin Zezaj, Mark Lulashi e Mark Shllaku. Me 30 vjet burg u dënuan Nino Kurti, Aleksandër Petroviç, Pjetër Delia, Luigj Shoshi, Lekë Kçira e Paulin Pali. Pjesëtarët e tjerë të organizatës u dënuan nga 20 vjet e poshtë”./Memorie.al

“Në krye të njerëzve të Sigurimit që më arrestuan, ishte Çesk Shoshi, kurse prokurori, Aranit Çela, dha 11 dënime me vdekje për…”/ Dëshmia e ish pjesëtarit të organizatës
“Në krye të njerëzve të Sigurimit që më arrestuan, ishte Çesk Shoshi, kurse prokurori, Aranit Çela, dha 11 dënime me vdekje për…”/ Dëshmia e ish pjesëtarit të organizatës