“Heroi” i sheshit Skënderbej merr titullin “Mirënjohja e Qytetit”…

Shpërndaje

Klodian Elqeni, i riu që u kthye në hero në 25 Prill duke parandaluar një tragjedi të vërtetë në Sheshin Skënderbej, është nderuar me titullin “Mirënjohja e Qytetit”. Kryebashkiaku Erion Veliaj i shprehu mirënjohjen për veprimin e tij në 25 Prill që shpëtoi dhjetëra qytetarë dhe fëmijë që ndodheshin në shesh ditën kur një makinë e drejtuar nga një i ri nën efektin e lëndëve narkotike po rrezikonte jetë njerëzish.

“Do të doja shumë që edhe në emër të qytetit të të falënderoja! Mund të kishte ndodhur edhe hataja me aq shumë qytetarë e fëmijë që po loznin, por na shpëtoi Zoti, se ndonjëherë Zoti çon një njeri të mirë që të shpëtojë të tjerët. Ndaj të falenderoj shumë dhe dua që në emër të qytetit të të jap këtë medalje të mirënjohjes, me shpresë që të kthehet në shembull edhe për të tjerët”.

22-vjeçari që u kthye në hero ditën e 25 Prillit vlerësoi titullin e dhënë nga Bashkia e Tiranës.

“Nuk e kisha menduar kurrë! Është diçka vërtet e çuditshme në një kohë kaq të shkurtër për mua, por ndjehem shumë mirë dhe shumë i vlerësuar nga shqiptarët anembanë dhe posaçërisht nga Lali Eri, kryetari ynë dhe nga të gjithë absolutisht. Ju falenderoj shumë të gjithëve”.

Mesditën e së dielës më 25 prill në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, një automjet tip “Citroen” vuri në rrezik jetën e njerëzve, por fatmirësisht u mbyll pa persona të lënduar. Klodian Elqeni, 22 vjeç ishte i riu i cili ndaloi që ngjarja të kishte pasoja më të rënda.

Shpërndaje