Helidon Bushati, drejtues politik i Partisë Demokratike në qytetin e Shkodrës thotë se shpopullimi dhe varfëria janë dy problemet kryesore të banorëve të këtij qarku. Ai foli për diskriminimi dhe shpërfillje nga qeveria qendrore për banorët e Bashkisë Shkodër, ku tha se fondet e investimit që akorduara nga qeveria, janë të barabarta me ato për Bashkinë e Divjakës.
“Problemi parësor që ka sot Shkodra është shpopullimi. Sipas të dhënave të INSTAT para 3 ditësh, del se Shkodra është qyteti me shpopullimin më të lartë në nivel kombëtar. Është qartësisht e dukshme po të kalosh dhe në rrugët kryesore të qytetit ku shumë, e shumë biznese janë të mbyllura. Varfërimi, gjithashtu i referohem INSTAT, Shkodra dhe Gjirokastra janë të vetmet qarqe ku ka rënë fuqia blerëse në 8 vitet e fundit. Janë mbyllur biznese, vetëm në Shkodër janë mbyllur 4838 biznese. Rreth 500 janë mbyllur vetëm vitin e fundit. Problem janë dhe investimet ku ka një diskriminim pasi Bashkia Shkodër merr sot aq fonde sa merr Bashkia e Rrogozhinës që është sa ¼ e popullsisë së Bashkisë Shkodër”, deklaroi z. Bushati.
Përfaqësuesi politik i PD-së në Qarkun Shkodër tha se edhe në rastin e përmbytjeve të fundit pati një haresë dhe shpërfillje totale për banorët e zonës së nën Shkodrës. Ai madje foli edhe për kontradiktë në qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, duke thënë se nga një anë flet për reshje më të dendura në vitet e fundit dhe nga ana tjetër nuk shpall gjendjen e emergjencës natyrore.
“Nuk është e vërtetë që përmbytjet janë më të reduktuara. Situata vjen nga keq menaxhimi i kaskadës së Drinit dhe është vepër e njeriut. Kryeministri nga një anë thotë që është fatkeqësi natyre për reshje të dendura, nga ana tjetër vetëm gjendjen e fatkeqësisë natyrore nuk shpall. 200 milionë euro në katër vitet e para që do të shkojnë në infrastrukturë vaditëse dhe kulluese që do të lehtësojnë këtë problematikë”, përfundoi ish-deputeti i PD.