
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka hapur tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në linjën hekurudhore Vorë – Hani i Hotit. Mbikëqyrja do të përfshijë gjithashtu edhe aspektet mekanike e elektrike të projektit. Autoriteti kontraktor do të jetë Hekurudha Shqiptare.
Ky hap vjen rreth një muaj pas përfundimit të fazës së parë të tenderit për ndërtimin e kësaj linje, e cila përfshinte procesin e parakualifikimit. Kompanitë që kalojnë këtë fazë do të ftohen të paraqesin ofertat e tyre në raundin e dytë, derisa të zgjidhet kompania që do të realizojë projektin.
Pas përfundimit të procedurave të tenderit dhe lidhjes së kontratës, projekti do të hyjë në fazën e zbatimit. Ai cilësohet si një ndër ndërmarrjet më të rëndësishme hekurudhore në vend.
Punimet do të përqendrohen në modernizimin e rreth 120 kilometrave linjë hekurudhore mes Vorës dhe Hanit të Hotit, me synimin që trenat të arrijnë shpejtësi deri në 120 km/orë.
Projekti, me një kosto prej 368 milionë euro, do të financohet nga kredia e dhënë nga Banka Evropiane e Investimeve dhe BERZH, si dhe me grante nga Bashkimi Evropian dhe kontributin e qeverisë shqiptare, e cila do të mbulojë koston e zhvendosjeve, risistemimeve dhe taksave përkatëse./RealitetiPost/