Hamdi Salihi, ndër golashënuesit më të mirë të shekullit të 21-të në Europë…

Shpërndaje

Ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi, është renditur i 28-ti në Europë mes golashënuesve më të mirë të shekullit të 21-të, me një total prej 217 golave. Kjo renditje e vendos Salihin përpara emrave të mëdhenj të futbollit botëror si Dirk Kuyt, Di Natale, Mario Gomez, Robin Van Persie, Francesco Totti, Berbatov, Roy Makaay, Ruud Van Nistelrooy dhe Alessandro Del Piero.

Karriera e Salihit
Hamdi Salihi e nisi karrierën e tij te Vllaznia (2002-2004), ku shënoi 30 gola. Pas një eksperience të shkurtër në Greqi, kaloi te Tirana, ku realizoi 42 gola në dy sezone. Në vitin 2007, bëri hapin e madh duke kaluar në Austri te Ried, më pas te Rapidi i Vienës dhe disa ekipe të tjera.

Në 2015, u rikthye në Shqipëri te Skënderbeu, gjatë viteve të tij të lavdishme, duke realizuar 42 gola në dy sezone. Në vitin 2019, mbylli karrierën si futbollist me një total prej 217 golash, duke u bërë një nga golashënuesit më të mirë në Europë gjatë këtij shekulli.

Kontributi në Kombëtaren Shqiptare
Nga 2006 deri në 2015, Salihi luajti 50 ndeshje me kombëtaren shqiptare, duke shënuar 11 gola. Edhe pse nuk u përfshi në listën për Euro 2016 nga trajneri De Biasi, ai ishte një nga lojtarët që kontribuoi në kualifikimin historik të Shqipërisë. Në vitin 2024, Salihi realizoi ëndrrën e tij europiane si pjesë e stafit teknik të kombëtares, duke shërbyer si zëvendëstrajner.

Të tjerë shqiptarë në listën e UEFA-s
Përveç Salihit, në këtë renditje bën pjesë edhe Besart Ibrahimi, i cili renditet i 35-ti me 207 gola. Jashtë top 50, por me statistika të rëndësishme, janë edhe Vioresin Sinani me 179 gola dhe Daniel Xhafaj me 176 gola. Në total, përfshirë golat e shënuar para vitit 2000, Sinani ka 213 gola, ndërsa Xhafaj 207.

Klasifikimi kryesohet nga Cristiano Ronaldo me 557 gola, ndjekur nga Robert Lewandowski me 402 dhe Zlatan Ibrahimović me 393 gola, ndërsa lista vazhdon me emra të tjerë të mëdhenj të futbollit europian./RealitetiPost/

Shpërndaje