Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka dalë në një deklaratë për media, për të sqaruar se pse dyert e selisë blu janë të mbyllura.
Bardhi tha se në ambientet e selisë po kryhen punime.
“Më lejoni t’ju uroj një vit të mbarë, me besimin dhe shpresën që gjatë këtij viti të bëheni zëdhënës për lajme pozitive për demokratët dhe qytetarët shqiptarë. Show mediatik që patë para pak minutash në shkallët e PD tregon edhe një herë se për disa show dhe tallja e vijueshme me demokratët ka zëvendësuar betejën me regjimin e Ramës. Kemi konfirmuan edhe dje, sikundër është fakt i njohur se në godinën e PD, në ambientet e brendshme të saj janë duke u kryer punime. S’ka nevojë për të ardhur në dyert e PD. Dyert e partisë s’do të qëndrojnë të mbyllura. Ju do të hyni dhe do e shihni që në selinë e PD po shtohen ambientet e punës. Koha e llafeve ka mbaruar në 18 dhjetor. Disa që kishin vetëm llafe e janë zgjedhur rrugën e tyre, kanë betejën e tyre. Institucionet e partisë janë në betejë me Ramën. Selia qëndronte e PD ka qenë dhe do të jetë e hapur për çdo demokrat të sakrificë dhe që punon me mund dhe djersë për PD. Do të jetë gjithmonë e mbyllur për çdo trafikant droge që në çdo shëtitje në PD ka qenë në krah të Sali Berishës dhe në mbështetje të tij. Aktet e dhunës dhe gjuha e dhunës e transmetuar gjatë këtyre ditëve, nuk është gjuhë që i shërben demokracisë. Por i shërben forcimit të Edi Ramës.”, tha Bardhi.
Kujtojmë se sot një pjesë e grupit të Berishës mbërriti në selinë blu, por nuk arriti të futej brenda pasi dyert ishin të mbyllura. Në një deklaratë për media, Flamur Noka, ka thënë se PD është kthyer në një burg të sigurisë së lartë dhe paralajmëroi se me 8 janar do të kthehet së shtëpinë e demokratëve.