Grupet me fitimet më të mëdha, i pari kalon…

Shpërndaje

“Balfin” dhe “Kastrati”, janë dy grupet me fitime më të larta në vend. Në vitin 2019, “Kastrati Group” raportoi fitimet më të larta nga aktiviteti në Shqipëri, me 3.1 miliardë lekë, sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit. “Balfin” raportoi fitime 2.6 miliardë lekë brenda vendit, ndërsa përfshirë dhe aktivitetet jashtë, totali i fitimeve arriti në 6.4 miliardë lekë, sipas burimeve zyrtare nga grupi.

“Alb-Building”, në sektorin e ndërtimit së bashku me “Alb-Energy”, në prodhimin e energjisë u renditën në vend të tretë me 1.8 miliardë lekë fitime.

“Finman”, me aktivitet në fushën e ndërtimit (kompania kryesore është “Alb-Star” ishte i katërti për fitimet e realizuara në 2019-n, me 1.7 miliardë lekë.

Më pas, renditet grupi “Infosoft-Joti”, me aktivitet në shpërndarjen e produkteve dhe teknologji informacioni, me 1.3 miliardë lekë fitime para taksave. “Agna”, distributori më i madh në vend, realizoi fitime 1.2 miliardë lekësh. “Unioni Financiar Shqiptar”, me aktivitet në fushën financiare, raportoi fitime po 1.2 miliardë lekë.

EHW, grupi më i madh i industrisë përpunuese në vend, së bashku me rrjetin e supermarketeve “Conad” dhe “Conad Food Trade”, ku EHW ka shumicën, raporti fitime prej 1 miliardë lekësh.

Me rritjen e të ardhurave dhe fitimeve, diversifikimi brenda vendit duket se nuk mjafton. Shqipëria po bëhet edhe më e vogël për të mëdhenjtë dhe grupet kanë deklaruar se po shohin me përparësi zgjerimin në rajon.

Në renditje në 2019-n ka hyrë dhe “Grupi Bolv”, me aktivitet në tregtimin e karburanteve dhe në punimet inxhinierike për shpime për kompanitë e naftës dhe gazit raportoi fitime prej 1 miliardë lekësh, me rritje të ndjeshme prej 60% në krahasim me 2019-n.

“Kastrati”

Kastrati është grupi më i madh sa i përket xhiros, ndërsa ka kaluar në 2019-n i pari edhe për fitimet, nga aktiviteti në vend. Kompanitë kryesore të grupit “KASTRATI group” (tregtim me shumicë i naftës), “KASTRATI” (tregtim me pakicë i naftës), “Alb-Siguracion” (sigurime) dhe Autostar Albania (tregtim dhe shërbime ndaj automjeteve) raportuan në total, një fitim prej 3.1 miliardë lekësh, me rritje prej 12% me bazë vjetore.

Përmirësimi i fitimeve u ndikua nga nafta, e cila rriti përfitueshmërinë në 2019-n, si rrjedhojë e tendencës ulëse të çmimeve të tregtimit, me ritme më të ngadalta se në tregjet globale. Albanian Highway Concession (ku Kastrati ka 50%), që gjeneroi fitime të larta një vit më parë, në 2019-n raportoi rezultat minimal, pasi kompania hyri në ciklin e investimeve.

Kompania është optimiste edhe për ecurinë në 2020, pavarësisht krizës së shkaktuar nga COVID-19. Drejtuesit vlerësojnë se madhësia dhe diversifikimi do t’i ndihmojnë ata në këtë fazë. “Ne në Kastrati Group jemi përpjekur që situatën e krijuar ta kthejmë në avantazhe dhe të përshpejtojmë proceset e brendshme që lidhen me përmirësimin tonë.

Gjatë kësaj periudhe, kemi përshpejtuar të gjitha projektet e planifikuara në kohë për ‘rinovimin’ e vetvetes, sigurisht duke interpretuar ndryshimet e kushteve me maturi dhe në kohën e duhur. Por, ne vazhdojmë të punojmë me kapacitete të plota në të gjitha projektet e tjera dhe nuk kemi asnjë shtyrje apo ngadalësim të investimeve apo projekteve”, pohon zëvendëspresidenti i Kastrati Group, z. Leonard Kastrati.

Grupi, vitet e fundit, është diversifikuar në ndërtim, me projektin më të madh “Downtown One”, një projekt shumëfunksional, me apartamente rezidenciale luksoze, zyra dhe ambiente lokale. Në turizëm, pas blerjes së aksioneve të ish-Sheraton është nënshkruar marrëveshja me “Hyatt Hotels Corporaton”. Z.Kastrati thotë se humbjet e shkaktuara gjatë kësaj periudhe në sektorin e hotelerisë dhe turizmit do të kompensohen në të ardhmen e afërt.

“Balfin”

“Grupi BALFIN” ka fitimet më të mëdha, në një total prej rreth 6.4 miliardë lekësh, mbi gjysma e të cilave vjen nga aktivitetet jashtë Shqipërisë, sipas burimeve zyrtare.

Në total, në vitin 2019, fitimi para taksave i 11 kompanive më të mëdha të grupit, vetëm ato që operojnë në Shqipëri, ishte rreth 2.6 miliardë lekë, me një rënie prej 31% me bazë vjetore. Arsyeja kryesore e rënies së fitimeve lidhet me performancën negative të Albchrome, që deri një vit më parë (në 2018) gjeneronte fitimet më të larta për grupin. Prodhuesi dhe përpunuesi i kromit ka kaluar një vit të vështirë, për shkak të performancës së pafavorshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Në rënie ishin edhe fitimet e sipërmarrjes së ndërtimit Mane TCI, e cila varet nga cikli i zhvillimit të projekteve.

Në kahun pozitiv ndikoi Tirana Bank, e cila nga humbjet e 2018-s, periudhë kur pronësia kaloi nga grekët e Bankës së Pireut tek Grupi BALFIN, ka rezultuar me fitime 633 milionë lekë në 2019-n.

Për nga norma e përfitueshmërisë kryesojnë qendrat tregtare, “TEG” dhe “QTU”, dy modele biznesi që sollën një riformatim të tregtisë me pakicë në vend dhe ndonëse u kopjuan nga shumë të tjerë, sërish nuk kanë arritur t’i konkurrojnë. QTU iu rikthye fitimeve në 2019-n, pas investimit që dyfishoi sipërfaqen e tij. “Kid Zone” (Jumbo) është një nga sipërmarrjet e tjera fitimprurëse të grupit.

“Green Coast”, një investim në fushën e turizmit, ku grupi ka përqendruar vëmendjen së fundmi, ka filluar të gjenerojë fitime në 2019-n.

Duke përfshirë shoqëritë që operojnë në Shqipëri dhe jashtë saj, fitimet e konsoliduara të Grupit BALFIN kapin shifrën e 6.4 miliardë lekëve, sipas burimeve zyrtare. Rreth 50% e aktivitetit të Grupit BALFIN zhvillohet jashtë Shqipërisë.

“Viti 2019 mund të përfshihet te vitet e suksesshme për ecurinë në tërësi të shoqërive të Grupit BALFIN. Pothuajse të gjithë sektorët ku ne jemi të pranishëm kanë shënuar rritje gjatë 2019, duke iu referuar ecurisë në të gjitha vendet ku jemi të pranishëm. Këtu do të doja të ndalesha tek industria minerare, e cila edhe gjatë 2019-s nuk ka kaluar një moment të mirë, për shkak të rënies së çmimeve në tregjet globale”, pohoi Edlira Muka, Drejtoreshë e Përgjithshme e Grupit BALFIN.

Ajo shton se në vitin 2020, për sa i përket Grupit BALFIN, mund të themi që dy sektorët e ndikuar më shumë nga pandemia janë shitjet me pakicë dhe industria e rëndë e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve.

“Nga të dhënat tona, që gjithsesi nuk mund të përfaqësojnë gjithë tregun, rënia në total e shitjeve me pakicë është mesatarisht rreth 12% në krahasim me 2019. Këtu përfshijmë harkun kohor nga janari në gusht 2020, duke marrë së bashku shoqëritë e Grupit BALFIN jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon”, thotë znj. Muka.

Alb-Building

Alb-Building është një prej më të mëdhenjve në vend në fushën e ndërtimit (rrugë, ujësjellës, shfrytëzim, përpunim dhe tregtim i materialeve inerte), që vitet e fundit është diversifikuar dhe në prodhimin e energjisë, me të ardhura 5.7 miliardë lekë. Në vitin 2019, “Alb-Building” (në ndërtim) dhe “Alb-Energy” (në prodhim energjie), raportuan fitime gati 1.9 miliardë lekësh, duke e renditur në grupin e tretë me fitime më të larta në vend.

Grupi “Finman”

“Finman” është grupi më i madh i ndërtimit në vend, sipas qarkullimit vjetor. Sipas të dhënave zyrtare nga grupi, qarkullimi vjetor në vitin 2019 ishte rreth 12.4 miliardë lekë.

Grupi u krijua si holding në vitin 2016 dhe përfshin disa prej sipërmarrjeve më të mëdha në fushën e ndërtimeve dhe materialeve të ndërtimit, si ALB – STAR (ndërtime civile dhe industriale), APM (me aktivitet prodhim dhe tregtim i materialeve të ndryshme metalike), “Vibtis” (me tregtimin me shumicë dhe pakicë të materialeve inerte).

Fitimet para taksave arritën në 1.8 miliardë lekë, me rritje prej 58% me bazë vjetore, si rrjedhojë e trefishimit të fitimeve të “Alb-Star”, kompanisë kryesore të grupit, ndërsa subjektet e tjera, shënuan rënie në rezultatin financiar.

Sipas burimeve nga grupi, gjatë 2018-2019, pjesën kryesore të investimeve e kanë zënë dy prej projekteve me ambicioze në vend, ai i Arenës Kombëtare dhe vënia në operim me kapacitet të plotë e 34 km linjë hekurudhore Fier – Vlorë, përfshirë ndërtimin e linjës së re hekurudhore 2.5 km për rafinerinë e Fierit dhe stacionit të ngarkimit të naftës bruto.

“Infosoft-Joti”

Katër kompanitë e grupit Infosoft-Joti, që kanë për referencë investitorin Grigor Joti (me aktivitet në fushën e tregtimit dhe informatikës dhe distribucion me shumicë), “INFOSOFT SYSTEMS”, “INTER TRADE & DISTRIBUTION”, “INTERBRANDS”, “INTER DISTRIBUTION SERVICES”, kishin fitime 1.3 miliardë lekë në vitin 2019, me një rënie të lehtë në raport me vitin e mëparshëm.

Kompanitë kryesore të Grupit Infosoft kanë realizuar në total një xhiro prej 19.2 miliardë lekësh në aktivitetin në Shqipëri, në 2019, sipas të dhënave nga Tatimet, pothuajse sa një vit më parë. Në fund të vitit 2016, 49% të kuotave të ITD iu shitën grupit Balfin.

Grupi është i mirëpozicionuar për të përballuar krizën e Covid-19. Armand Shara administrator i “Infosoft” pohon se pandemia nxiti investimet në sistemet IT të lidhura këto me frikën e një mbylljeje të dytë volumet sidomos pas verës janë të larta.

“Ne kemi presion që për shkak të rritjes së numrave të infektimeve dhe mundësisë së një mbylljeje të dytë, kontratat e reja të investimeve me bizneset t’i përfundojmë sa më shpejt. Në përgjithësi bizneset pas verës kanë pasur kërkesa në teknologji. Nuk jam në gjendje ta ndaj nëse kjo vjen si efekt i fiskalizimit, si shkak i maturimit të biznesit apo panikut të mbylljes së mundshme nga COVID-19” nënvizon ai.

Investimet në sisteme sipas Sharrës i takojnë Enterprice Resource Planing (Planifikimi i Burimeve të Sipërmarrjes) (ERT), Consumer Relationship Management(Menaxhimi i Marrdhenies me Konsumatorin) që janë shërbimet pas shitjes apo Power Bussines Intelligente (që kërkohet nga nivelet drejtuese). Mendoj që udhëheqësi kryesor është Bussines Intelligence dhe përgjithësisht është ai që ofron një pamje të përqendruar të biznesit. Një tjetër element që ka nxitur sektorin e IT këtë vit ka qenë edhe lulëzimi i E-Commerce në kushtet e pandemisë.

“E-commerce ka rritje por ajo që dua të përmend është që pjesa kryesore që duhet për këtë lloj biznesi është sistemi ERP. Nëse një biznes nuk ka sistem të konsoliduar që menaxhon sistemet e veta e ka të vështirë të ketë një sistem e-commerce të qëndrueshëm. Një tjetër element që kemi vënë re është interesi i rritur për sistemet që menaxhojnë sistemet e brendshme të kompanisë.

Flasim për të dhëna të strukturuara si për shembull për proceset që kanë të bëjnë me miratimin e një kredie, siguracioni, leje. Të gjitha këto automatizohen dhe firmosja apo çuarja para bëhet online pa qenë nevoja të jetë me letër dhe pa qenë nevoja të jesh dhe në zyrë. Ka interes për të automatizuar çdo linjë dokumentesh apo procesi” pohon Sharra.

“AGNA”

Dy kompanitë kryesore të grupit, “Agna sh.a.” (shpërndarës produktesh dhe investues), “Alfa sh.a.” (ambalazhues i Pepsi, Ivi, 7Up, Lipton Ice Tea; prodhues i Glina dhe Spring; shpërndarës i Heineken, Amstel, Alfa Beers, Tsantali Wines dhe Shark Energy Drink), realizuan për vitin 2019 fitime 1.2 miliardë lekë, me një rënie prej 7% me bazë vjetore.

Dy kompanitë raportuan një xhiro prej rreth 26.4 miliardë lekësh, me një rritje prej 3.2% në raport me vitin e mëparshëm.

Alma Bici, drejtoreshë marketingu e grupit Agna, pohon se ecuria e Agna Group ka qenë e mirë gjatë vitit 2019. Por, 2020-a ka qenë shumë i vështirë, por në sajë të diversifikimit të portofolit, kemi mundur t’ju përgjigjemi nevojave të klientëve dhe konsumatorëve. “Kemi rishikuar strategjitë tona, duke investuar më pak në aktivitetet marketing dhe duke u fokusuar në aktivitete dhe promocione në pikën e shitjes, për të qenë sa më pranë konsumatorëve tanë”, pohon ajo.

“Union Financiar Grup”

“Union Financiar Grup” është një nga grupet financiare me kapital shqiptar, me fitime më të larta.

Për katër kompanitë kryesore të grupit, banka “Union Bank”, operatori i shërbimeve financiare dhe transfertave “Union Financiar Tiranë”, sipërmarrja e qirasë financiare “LandesLease” dhe “Paylink” (në përpunimin e pagesave, që është në fazë të ngritjes së biznesit të saj e rezulton ende me humbje) fitimet arritën në vitin 2019 në 1.2 miliardë lekë, me një rritje prej 13% me bazë vjetore, si rrjedhojë e performancës së mirë të të tre sipërmarrjeve kryesore të grupit. “Unioni Financiar Tiranë”, kompania mëmë e grupit, është edhe kompania më fitimprurëse, me një normë prej rreth 50%.

“2019-a ishte një vit i mirë në përgjithësi për grupin e Unionit Financiar dhe arritja e rezultatit të këtij viti është një bazë për të vijuar rritjen e mëtejshme të kompanive të Grupit”, thotë z.Edmond Leka, Kryetari i Bordit Drejtues të “Union Financiar Tiranë”, kompania mëmë e grupit të Union Financiar, që përfshin “Union Bank”, “Unioni Financiar” dhe “LandesLease”.

“Ne kemi arritur jo vetëm të rritemi me ritme më të larta se tregu bankar në Union Bank, por kemi arritur edhe një stabilitet në performancë si në aspektin e kthyeshmërisë nga kapitali dhe aktivet. Gjatë vitit 2019, arritëm të përfshijmë në Bankë edhe biznesin e ICB (ish-bankës Malajziane) që e blemë në fund të vitit 2018 dhe kjo u bë pa cenuar këto parametra të performancës që përmenda më parë.

Po ashtu në kompanitë e grupit, që ofrojnë shërbime pagesash kemi vijuar rritjen e mëtejshme të biznesit dhe rritjen e eficiencës operative të brendshme në to dhe do të vijojmë të jemi inovativë në një fushe që tashmë e ka të domosdoshme që të kesh inovacionin në bazë të modelit të biznesit që po ofron tek klientët në treg”.

Leka shton se viti 2020 me fenomenin e Covid-19 sigurisht që përbën një sfidë për të gjithë aktorët në treg e kjo përfshin edhe kompanitë e grupit. Është e pritshme që kriza e Covid-19 të ketë një ndikim në sektorin Bankar dhe kjo varet shumë nga kohëzgjatja e krizës. “Deri tani këto efekte kanë qenë relativisht të ulëta por shpresoj, që thellimi i krizës në vendet fqinjë apo në BE të mos replikohet edhe në Shqipëri, pasi sigurisht që do të ketë një ndikim më të madh në këtë skenar”.

Ai pohon se shërbimet e pagesave që ofrojnë krahas atyre bankare janë pak më resiliente në lidhje me krizën, pasi njerëzit sidoqoftë do të duhet të bëjnë pagesa për shërbimet që marrin. “Është e vërtetë që një pjesë e atyre që kanë preferuar pagesat cash kalojnë në pagesa online apo me karta, por në këtë aspekt ne kemi investuar në mënyrë që të kemi infrastrukturën e duhur për të lejuar aksesin e klientëve në shërbimet tona në disa mënyra dhe kjo e mban klientin të shërbyer pavarësisht nga mënyra se si e akseson këtë shërbim”.

EHW

EHW është grupi më i madh i industrisë përpunuese në vend, me aktivitet në përpunimin e mishit (marka EHW), prodhimi i ujit (marka “Qafështama”) dhe vitet e fundit është zgjeruar dhe në zinxhirin e supermarketeve me aksione në “Conad”. Në total, grupi EHW, që përfshin dhe subjektet e tjera të grupit në industrinë përpunuese, raportoi një qarkullim vjetor prej 5.3 miliardë lekësh, me rritje 4.2% në raport me vitin 2018. Prej disa vitesh, kompania publikon bilanc të konsoliduar për grupin, nën logon e EHW, me fitime prej 536 milionë lekësh.

Së bashku me rrjetin e supermarketeve “Conad” dhe “Conad Food Trade” (ku EHW ka shumicën e aksioneve) fitimet e grupit arrijnë në rreth 1 miliard lekë, me rritje 17% me bazë vjetore.

Z.Luan Leka, president i EHW i konsideron pozitive rezultatet e vitit 2019 për grupin EHW. “Kompania EHW ka vazhduar politikën e investimeve në mënyrë të pandërprerë me qëllim përmirësimin e teknologjisë së prodhimit, realizimin e produkteve të reja dhe optimizimin e menaxhimit të proceseve. Kompania Qafshtama, pjesë e grupit, përfundoi ndërtimin dhe vënien në punë të stabilimentit të ri në Qafshtamë, ku prodhohet formati 19 litra, që përdoret kryesisht për konsum në zyra. Është programuar ndërkohë investimi për prodhimin e pijeve freskuese”.

Grupi Bolv

Grupi Bolv, një nga më të mëdhenjtë në sektorin e tregtimit të naftës ka hyrë në 2019-n në listën e grupeve me fitime të mëdha, si rrjedhojë e diversifikimit në fushën e punimeve inxhinierike për kompanitë e naftës dhe gazit. Albrilling, e krijuar në vitin 2014 ka raportuar një rritje të ndjeshme si të të ardhurave (në 2.4 miliardë lekë) ashtu dhe fitimeve në 2019-n, që u dyfishuan në 733 milionë lekë. Së bashku me tregtimin e naftës (Bolv Oil dhe Olsi), fitimet e grupit arritën në rreth 1 miliardë lekë në 2019-n, me rritje gati 60% me bazë vjetore. Së fundmi grupi po diversifikohet dhe në turizëm dhe po investon për ndërtimin e një hoteli në hyrje të Tiranës, në partneritet me markën ACCOR.

Shpërndaje