Greqia, veto për negociatat?! Mediat greke: Athina mund të bllokojë Konferencën e Dytë Ndërqeveritare…

Shpërndaje

Kur Shqipëria është në pritje të mbajtjes së konferencës së dytë ndërqeveritare e kërkuar kjo edhe nga Komisioni Evropian në progres-raportin, mediat greke raportojnë për një bllokim të saj si masë ndëshkuese për çështjen “Beleri”.

E përditshmja “Kathemirini” që i referohet burimeve diplomatike shkruan se Athina zyrtare nuk nënshkroi dokumentin e 27 vendeve anëtare të BE-së që sugjerojnë hapjen e grup kapitujve të parë, që përbëjnë dhe çeljen zyrtare të negociatave anëtarësuese të Brukselit me Tiranën zyrtare.

Gledis Gjipali ekspert i çështjeve evropiane thotë për Vizion Plus se në parim mundësia që Greqia të vendosë veton ekziston.

GLEDIS GJIPALI

DREJTUES, “LEVIZJA EVROPIANE” NE SHQIPERI

Mund të ndodhi sepse vendimi merret me unanimitet, pra duhet të jenë të gjitha vendet dakord që Shqipëria të avancojë në këtë fazë dhe është e domosdoshme që çdo vend të jetë dakord për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare siç do të duhet për çdo kapitull, për çdo grupkapitull.

Deri te “vetoja” procedura e kërkon që ajo duhet të kalojë në disa tryeza diskutimesh para se të mbërrijë në atë të udhëheqësve të BE-së në Këshillin Evropian që jep “autorizimin” për hapjen e grup kapitujve të parë që lidhen me shtetin e së drejtës.

GLEDIS GJIPALI

DREJTUES, “LEVIZJA EVROPIANE” NE SHQIPERI

Nuk mund të procedojë pa pasur miratimin e Greqisë, por do ta vendosë Greqinë në një pozicion shumë më të vështirë nëse do të bllokonte procesin duke pasur të gjitha vendet e tjera të Be-së kundër. Bëhet një diskutim paraprak në nivel ambasadorësh, shkon në nivel ministrash të Jashtëm dhe nëse nuk ka një dakordësi më pas diskutohet edhe te liderët, kur mbahet Këshilli Evropian në 15 dhe 16 dhjetor të këtij viti. Nuk është aq e thjeshtë sepse nuk është një çështje mirëfilli bilaterale, por është një çështje që Greqia po e trajton në kuadër të të drejtave të njeriut dhe që Shqipëria duhet të plotësojë për të qenë anëtare e BE. Në një farë mënyrë do të duhet të bindi edhe ato vende pse do të duhet të vendosë veton.

Shpërndaje