Gjyqtari i Shkodrës, Tonin Sterkaj u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK pasi u konkludua se ai nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë, si dhe se ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Vendimi për shkarkimin e Sterkaj u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pinen.
Tonin Sterkaj e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës.
Sipas KPK, Sterkaj ka bërë deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurive, si dhe se ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për ti justifikuar ato.
Në deklaratën veting, subjekti ka shënuar se zotërojnë një sipërfaqe tokë truall 240 m2, të regjistruar në emër të bashkëshortes. Kjo pasuri është blerë në vitin 2001 për vlerën 500 mijë lekë, me burim të ardhurat e subjektit të rivlerësimit nga puna e tij si gjyqtar.
Po ashtu, ka deklaruar dhe një shtëpi banimi me sipërfaqe 123.3 m2 , ndërtuar në vitet 2002 – 2003, ndodhur në qytetin e Shkodrës, regjistruar po në emër të bashkëshortes. Sterkaj ka deklaruar se kjo banesë ka vlerë 3.5-4 milionë lekë dhe se zotëron 50% pjesë takuese të kësaj pasurie.
Subjekti ka sqaruar se në ndërtimin e banesës është ndihmuar edhe nga të afërmit të tij, prindërit, vëllezërit dhe kunati. Ai ka referuar se dy vëllezërit që jetojnë në Gjermani dhe gëzojnë shtetësinë gjermane i kanë dhuruar në fund të vitit 2002 shumën totale prej 10 mijë eurosh, ndërsa kunati i ndjerë që ka jetuar në Itali i ka dhuruar atëherë 2000 euro.
Sterkaj ka evidentuar dhe faktin se banesa i është djegur në janar të vitit 2004 dhe se për rindërtimin e saj është ndihmuar nga shumë njerëz.
Komisioni ka arritur në përfundimin se subjekti ka provuar me dokumentacion justifikues ligjor të ardhurat e dhuruara nga një prej vëllezërve në shumën 6000 euro, por nuk ka arritur të vërtetojë mundësinë e vëllait tjetër për dhënien e shumës 4000 euro, si dhe të kunatit për 2000 euro.
Sa u përket deklarimeve në lidhje me ndihma financiare të marra nga miq, kolegë apo të afërm të tij për rindërtimin e katit të tretë dhe çatisë së godinës së banimit në Shkodër, Komisioni vëren se subjekti ka referuar disa shtetas, të cilët pretendon se e kanë ndihmuar me vlera monetare, por se nuk ka paraqitur dokumentacion justifikues ligjor nëpërmjet të cilit ata të pranojnë dhurimin e kryer, si dhe nuk ka depozituar dokumentacion mbi ligjshmërinë e ardhurave të tyre, për të provuar shumat potenciale si ndihmë financiare apo dhurim.
Gjithashtu, Komisioni gjen të pabazuar pretendimin e Sterkajt se në fund të vitit 2003 ka pasur kursime në gjendje cash me burim të ardhurat e përfituara përgjatë viteve, pasi ai nuk rezulton të ketë deklaruar likuiditete cash në deklarimin e parë të vitit 2003.
Bazuar në këto gjetje, konstatohet se subjekti ka mungesë të burimeve financiare për të justifikuar plotësisht blerjen e truallit në vitin 2001, ndërtimin e godinës së banimit në vitet 2002 – 2003, si dhe rindërtimin e katit të tretë dhe çatisë në vitin 2004.
Sterkaj ka deklaruar blerjen e një automjeti në Gjermani në vitin 2009 për shumën 12 mijë e 700 euro. Ai ka referuar se të ardhurat për të blerë këtë automjet i ka marrë hua tek dy shtetas, sipas kontratatve noteriale të huave të kohës. Ai sqaruar se një prej huave nuk e ka shlyer, kurse tjetrën e ka kthyer në vitin 2015, me kursimet nga puna e tij si gjyqtar dhe nga shitja e 1892 kg sherebelë e prodhuar në tokën që ka në fshat, në Malësi të Madhe.
Sipas KPK, një prej huave që nuk është shlyer brenda afatit të përcaktuar në kontratën noteriale të huadhënies, është kthyer totalisht në vitin 2018.
Komisioni konstaton se në vitin 2009 subjekti ka deklaruar blerjen e automjetit, por jo burimin e krijimit të kësaj pasurie. Gjithashtu, në 2009-ën ka deklaruar dy huat e marra në shumat 1.4 milionë lekë dhe 800 mijë lekë, por pa shënuar qëllimin e marrjes së tyre.
Nga ana tjetër, në deklaratat e viteve 2010-2014, kur i ka deklaruar huatë si detyrime, ka shpjeguar se qëllimi i marrjes së tyre ka qenë për arsye shëndetësore dhe për nevoja familjare.
Gjatë hetimit administrativ, subjekti ka shpjeguar se dy huat janë marrë me qëllim për mbulimin e shpenzimeve mjekësore, të cilat do të kryheshin prej tij në shtetin gjerman. Në vijim ka referuar se nuk ka pranuar të bënte ndërhyrjen kirurgjikale mjekësore të rekomanduar nga mjekët gjermanë dhe se këto vlera të marra hua që më parë i kishte konvertuar në euro, i përdori për blerjen automjetit.
Nga analiza financiare e kryer në KPK, ka rezultuar se subjekti nuk ka depozituar dokumentacion justifikues ligjor për të provuar të ardhurat e përfituara prej huadhënësve.
Deklarimet kontradiktore të subjektit për qëllimin e marrjes së huave dhe ndryshimin e destinacionit të tyre, në raport me rrethanat e konstatuara dhe dokumentacionin e administruar në dosje, Komisioni i çmon se cenojnë figurën e gjyqtarit.
Sipas KPK, në kushtet kur subjekti pretendon se këto vlera janë përdorur për blerjen e automjetit, do të duhej që kjo rrethanë të pasqyrohej në deklarimin e vitit 2010, ndryshe nga sa është referuar se janë marrë hua për shpenzime mjekësore dhe familjare. “Për më tepër, ky deklarim vijon edhe në deklaratat pasardhëse të interesave private”, nënvizon Komisioni.
Në vijim KPK vëren se subjekti dështoi të provojë me dokumentacion justifikues ligjor mundësinë e huadhënësve për dhënien e shumave të deklaruara.
Për rrjedhojë, në përfundim të verifikimit të kësaj pasurie të luajshmte, subjekti ka ka rezultuar me pamundësi financiare. Po ashtu, Komisioni konstaton pamundësi financiare dhe për blerjen e një automjeti tjetër në vitin 2012 për shumën 441 mijë lekë.
Sterkaj ka deklaruar tokë bujqësore me sipërfaqe 6300 m2 në fshatin e lindjes në Malësi të Madhe, të përfituar në vitin 2011. Ai ka deklaruar dhe një banesë njëkatëshe në fshat, të ndërtuar në vitin 1997 nga xhaxhai i tij i ndjerë. Subjekti ka deklaruar se ka qenë i falur nga prindërit tek xhaxhai i tij që në moshën 6 muajshe, por pa ndryshuar atësi dhe amësi. Sterkaj ka referuar se këto pasuri i ka përfituar në vitin 2011 kur ka qenë i martuar dhe për rrjedhojë ai dhe bashkëshortja zotërojnë nga 50% secili.
KPK konstaton se subjekti në vitin 2010 ka deklaruar këto pasuri dhe rrethanat e përfitimit të saj, duke sqaruar se është në procedura regjistrimi. Po ashtu, ka deklaruar dhe çeljen e dëshmisë së trashëgimisë. Akti i marrjes së tokës në pronësi në vitin 2011, është shënuar se është realizuar në mbështetje të ligjit të vitit 1991, “Për tokën”.
Ndërkohë, gjatë hetimit administrativ subjekti ka konfirmuar se familja e tij biologjike ka përfituar tokë në bazë të ligjit “Për tokën”, me kryefamiljar babain e tij. Megjithëse subjekti deklaron se nuk ka pranuar të marrë pjesë nga kjo pasuri, ai nuk ka paraqitur në Komision dokumentacion për heqjen dorë nga pjesa takuese, duke rezultuar se disponon të drejta reale.
I pyetur nëse ka kryer investime në tokën dhe shtëpinë që zotëron në fshat, subjekti ka pohuar se në vitin 2023, djali me bashkëshorten e tij kanë investuar vlerën prej rreth 14 mijë e 900 euro për rikonstruksionin e banesës, ku përfshihen dyert, dritaret, instalimet elektrike, vendosja e çatisë së re etj.
Ai ka shpjeguar se kjo vlerë ka si burim të ardhurat e djalit dhe bashkëshortes së tij, shtetase italiane, nga puna në Itali.
Nga verifikimi i kryer në Google Earth Pro, KPK ka konstatuar se krahas rikonstruksionit të godinës së vjetër ka pasur një ndërtim të ri, i lidhur me truallin dhe godinën e vjetër, që është kryer pa u pajisur me leje ndërtimi. Gjithashtu, nga fotot e depozituara në lidhje me godinën kryesore duket se nga njëkatëshe ajo është shndërruar në dykatëshe, edhe në këtë rast pa leje ndërtimi.
Subjekti ka sqaruar se sipërfaqen e tokës që i ka takuar xhaxhait të tij, e ka marrë ai, meqenëse kishte jetuar gjithmonë me të. Për këtë sipërfaqe toke është pajisur edhe me AMTP në vitin 2011. Subjekti ka deklaruar se as xhaxhai i ndjerë dhe as bashkëshortja e tij nuk kanë përfituar tokë bujqësore nëpërmjet AMTP-së, si përfaqësues të familjes bujqësore, por vetëm kanë zotëruar sipërfaqen e tokës bujqësore sipas kufijve të vjetër.
Ai ka deklaruar se AMTP-ja për këtë sipërfaqe toke është plotësuar më vonë në emër të tij, pasi për organet e pushtetit lokal e për të gjithë banoret e zonës së Malësisë së Madhe ishte dhe është i njohur fakti se ai ishte i falur tek xhaxhai dhe se kishte jetuar e banuar gjithmonë me të e bashkëshorten e tij.
“Pra, deklaron se AMTP-ja është lëshuar në emër të tij në datën 7.1.2011, vetëm për tokën bujqësore që posedon faktikisht dhe vetëm për sipërfaqen e tokës bujqësore, që i ka takuar sipas kufijve të vjetër xhaxhait të tij, V.S.”, thekson KPK dhe vëren se subjekti ka deklaruar se secili banorët e fshatit ka marrë tokë sipas kufijve të vjetër e jo sipas normës për frymë.
Në lidhje me dyshimet e ngritura nga Komisioni për ndërtimin e një kati shtesë, subjekti deklaron se nuk ka pasur kat shtesë, por riparim çatie, dhe se vazhdon të jetë e njëjta dhomë siç ka qenë më parë. Edhe në lidhje me dyshimet e hedhura për ngritjen e një godine të re, ngjitur me banesën, ka deklaruar se shumë vite më parë ngjitur me banesën ekzistuese ka qenë edhe një objekt tjetër, që është përdorur fillimisht si kasolle për bagëti, e më pas si magazinë ku kanë ruajtur bimët medicinale që kanë mbjellë ndër vite e i kanë mbajtur derisa kanë gjetur tregun për t’i shitur. Subjekti ka pohuar se kur djali ka riparuar banesën, ka riparuar dhe këtë objekt.
Duke ju referuar deklarimeve të subjektit, KPK konstaton se duket se në thelb Sterkaj referon se për këto pasuri, të cilat i takojnë atij për shkak të trashëgimisë ligjore dhe të drejtës zakonore si fëmijë i falur, organet shtetërore kanë gjetur një mënyrë për t’ia kaluar në pronësi.
Komisioni vlerëson se ligjërisht subjekti nuk mund të përfitonte tokë bujqësore veçmas si kryetar i familjes bujqësore, pasi ai mund të përfitonte pjesë takuese si anëtar i familjes ku bënte pjesë i regjistruar në certifikatën familjare të vitit 1991.
Sipas trupës së KPK, edhe në rastin e çeljes së dëshmisë së trashëgimisë ligjore të xhaxhait, gjyqtari Tonin Sterkaj nuk do të ishte trashëgimtar i radhës së parë dhe as i radhës së dytë, e aq më tepër të ishte trashëgimtar i vetëm. “Në rast hipotetik, ai do të ishte trashëgimtar i radhës së tretë me zëvendësim, së bashku me vëllezërit dhe motrat e tij, nëse prindërit e tij do të kishin ndërruar jetë”, shprehet KPK.
Në vijim Komisioni vlerëson se, përfitimi i një toke bujqësore dhe disponimi me tagra të plota i shtëpisë së banimit në rrethana të dyshimta e në kundërshtim me legjislacionin mbi mënyrën e fitimit të pronësisë, e vendos subjektin në rrethana që cenojnë figurën e gjyqtarit e për rrjedhojë, cenojnë besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.
Ndërkohë, nga hetimi ka rezultuar se i biri dhe bashkëshortja e tij kanë pasur mundësi financiare për investimin e kryer.
Nga analiza financiare e kryer për periudhën 1993-2016, ka rezultuar një bilanc negativ total në vlerën 14.5 milionë lekësh, nga të cilat 5.8 milionë lekë për vitet 1993-2003.
Vlerësimi tërësor
Trupi gjykues arrin në përfundimin se subjekti në vlerësimin tërësor të çështjes gjendet në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë, për shkak të gjetjeve në kriterin e pasurisë dhe profesionalizimit. Në vendim evidentohen si probleme deklarimet kontradiktore në lidhje me dy huatë e marra në vitin 2009 dhe destinacionin e tyre; përfitimi i tokës bujqësore në kundërshtim me me ligjin, si dhe disponimi i një shtëpie në fshat, pa u provuar ligjërisht mënyra e fitimit të pronësisë mbi të. Në aspektin profesional konstatohen raste të përsëritura për vonesa në zbardhjen e vendimeve dhe zgjatjes së gjykimit tej afateve standarde, që konsiderohen se cënuar garancitë për një proces të rregullt ligjor. Për një rast është çmuar se ka kryer vendimmarrje jo në vlerësim objektiv të rrethanave të ngjarjes, fakteve dhe provave të administruara në fashikullin gjyqësor.
Në përfundim të vlerësimit të çështjes, Komisioni arrin në konkluzionin se subjekti ka bërë deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë dhe se ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia./reporter.al/