Gjykata lë në burg tre të rinjtë nga Shkodra, mashtronin biznesmenët e ndërtimit në Tiranë…

Shpërndaje

Tre personat nga Shkodra të cilët u merrnin biznesmenëve të ndërtimit mijëra euro duke u hequr si punonjës të policisë, mbetën në burg pa afat. Kjo ishte masa që vendosi gjykata ndaj shtetasve Jasmin e Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç. Shkak për arrestimin e tyre mësohet se ka qenë denoncimi i një biznesmeni që është bërë shkak për nisjen e hetimeve dhe vënien në përgjim të personave të dyshuar.

Gjykata e Tiranës la në burg pa afat tre personat nga Shkodra të cilët akuzohen se kanë përvetësuar shuma të mëdha monetare nga bizneset duke u hequr si punonjës të policisë.

Rezart dhe Jamin Pepaj si dhe Sherif Kadroviç akuzohen për veprën penale të mashtrimit, ku në shenjestër të tyre ishin biznesmenët e mëdhenj në kryeqytet.

Në momentin e arrestimit, tre të rinjtë ishin nisur nga qyteti i Shkodrës për në kryeqytet pasi kishin për të marrë edhe shumën e parave.

Gjatë arrestimit në flagrancë pas denoncimit të një biznesmeni, të dyshuarve iu gjetën 130 mijë euro, ndërkohë që banesat e tyre u gjetën 12600 euro të tjera, të dyshuara që ishin përvetësuar përmes mashtrimit.

Prej kohësh njëri prej tre personave të arrestuar ishte në përgjim nga policia, e ndërsa ka dyshime se për dy persona të tjerë nuk kanë qenë në dijeni të kësaj skeme të zhvatjes së bizneseve.

Sipas prokurorise dhe policisë, ata prezantoheshin si njerëz të rëndësishëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të përfituar shuma të konsiderueshme parash në euro.

Dyshimet janë se ata mund të jenë rekrutur nga persona të tjerë dhe për këtë arsye në polici është ngritur një grup i posaçëm hetimor, për thellimin e hetimeve./oranews/

Shpërndaje