Gjykata Kushtetuese vendos për fatin e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit

Shpërndaje

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë për të shpallur antikushtetuese zgjedhjet lokale të vitit 2019, duke njohur zi kushtetues zhvillimin e tyre. Pasi mori në shqyrtim edhe opinionin e Komisionit të Venecias, Gjykata rrëzoi edhe kërkesën e Shoqatës së Bashkive, të përfaqësuar nga Voltana Ademi, për kushtetutshmërinë e regjistrimit të Partisë Bindja Demokratike në zgjedhje.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike në datat 23.06.2021 dhe 02.11.2021 çështjen me palë kërkuese Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me objekt:

1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve.

2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.

Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi palët ndërgjygjëse në gjykimin kushtetues, mori në shqyrtim opinionin amicus curiae të Komisionit të Venecias,

VENDOSI: Rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, njoftoi Gjykata.

Shpërndaje