“Arrest me burg” ka dhënë gjykata e shkallës së parë në Shkodër për dy mjekët Ervin Sulaj dhe Serdi Memini si dhe infermieren nga Shkodra Diellë Macaj. Ndërkohë për shtetasin Fatbardh Dyli babai i shtetasit të plagosur Elmidin Dyli gjykata dha masën e sigurisë “detyrim paraqitje” duke e liruar atë, kjo me kërkesë të prokurorisë së Shkodrës.
Dy mjekët dhe infermierja janë të dyshuar për veprat penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Mjeku Ervin Sulaj i cili ka qenë i pranishëm në sallë ka mohuar se ka lidhje me marrje ryshfeti duke thënë se ai dhe kolegu i tij janë marrë vetëm me operacionin e të plagosurit Elmidin Dyli.
Ndërkohë mjeku tjetër kirurg Serdi Memini nuk ka qenë i pranishëm në sallë për shkak se është i shtruar në spital në Tiranë dhe nuk është në gjendje shëndetësore të mirë ndërsa është përfaqësuar nga avokati i tij. Avokatët mbrojtës të dy mjekëve kërkuan që ndaj të dyshuarve të mos caktohet asnjë masë sigurimi dhe madje të cilësohet i paligjshëm arrestimi i tyre por gjykata nuk e pranoi këtë kërkesë duke i lënë me masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ka qenë bashkëshortja e shtetasit Fatbardh Dyli ajo e cila ka zhvilluar një bisedë telefonike me infermieren në Shkodër Diellë Macaj duke i thënë asaj se do t’i çojnë dhuratë 500 mijë lekë të vjetër doktorit por pa përmendur emrin se cilit prej tyre. Infermierja e ka mbështetur në atë bisedë duke i thënë se “është mirë t’ia dërgosh dhuratën”.
Kaq ka mjaftuar që policia e cila kishte në përgjim familjen Dyli pas ngjarjes së rëndë në Velipojë me 27 qershor me katër të vrarë e dy të plagosur ku i plagosur është edhe djali i tyre 17 vjeçar Elmidin Dyli për të bërë arrestimin e dy mjekëve kirurg të spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, infermieres në Shkodër Diellë Macaj që është një e njohur e familjes Dyli si dhe babait Fatbardh Dyli i cili u lirua me masën “detyrim paraqitje” për shkak se nuk rezulton të ketë element të veprës penale.
Gjykata e shkallës së parë në Shkodër rrëzoi kërkesën e prokurorisë që kjo dosje t’i kalojë SPAK për hetim të mëtejshëm. Elmidin Dyli mbeti i plagosur bashkë me shtetasin Hasan Ferracaku në ngjarjen e rëndë në Velipojë ndërsa humbën jetën gjyshi i të riut shtetasi Kujtim Ferracaku,
dy vëllezërit Edmond dhe Xhovan Gocaj dhe kamarieri 20 vjeçar Musaen Zeneli, ngjarje për të cilën policia ka arrestuar dy të plagosurit si të përfshirë dhe ka shpallur në kërkim tre shtetas të tjerë, Abedin, Astrit dhe Shyqyri Ferracaku, vëllezër dhe djemtë e të plagosurit Hasan Ferracaku po ashtu edhe ata të dyshuar si të përfshirë në atë ngjarje.