“Gjatë torturave në Burgun e Tiranës, për të mos u dëgjuar ulërimat tona, rojet i binin fizarmonikës dhe…”/ Dëshmitë e rralla të ish-zv / ministrit të Brendshëm

Shpërndaje

Ejëll Çoba

Memorie.al publikon disa pjesë nga libri me kujtime i autorit Ejëll Çoba, intelektualit të njohur nga qyteti i Shkodrës, pinjoll i një prej familjeve më në zë të atij qyteti, i cili pasi ishte diplomuar në Universitetin ‘La Sapienza’ të Romës në vitin 1932, u kthye në atdhe ku ushtroi profesionin e tij, duke ndjekur karrierën administrative, si ‘Dottore in Giurisprudenca’ dhe më pas për disa vjet me radhë në administratën e lartë shtetërore, ku e zuri edhe periudha e pushtimit të vendit, (1939-1940), ku ai mbajti disa funksione të larta, si Drejtor në Ministrinë e Drejtësisë, Sekretar I Përgjithshëm I Këshillit të Ministrave, zv / Ministër i Punëve të Brendshme, etj. Arrestimi i tij në vitin 1946, (së bashku me vëllanë, Kelin) i akuzuar si pjesëmarrës në ‘Lëvizjen e Postribës’ dhe pas një hetuesie të gjatë në Shkodër dhe Tiranë, u dënua me 25 vjet burg, në kampet e tmerrshme të punës së detyruar, e deri në ferrin e Burrelit. Kujtimet e panjohura të Ejell Çobës, të cilat vijnë me një parathënie të bashkëqytetarit të tij, shkrimtarit të njohur, Zija Çela, paraqesin para lexuesit një panoramë të ‘pikturuar me penelin’ e dhimbjes, ku jepen detaje dhe hollësirë për vuajtjet e tij në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe të bashkëvuajtësve të tjerë, emra të njohur e të panjohur, si: Padër Bernardin Palaj, Guljelm Suma, Syrri Anamali, Ramdan Sokoli, Cin Serreqi, Padër Karol Serreqi, Padër Filip Mazrreku, Hamdi Isufi, Hafiz Ali Kraja, Beqir Çela, Musa Gjylbegu, Asim Abdurahmani, Kolec Deda, Nikoll Deda, Felatun Vila, Gjush Deda, Sali Vuçiterni, Emin Bakalli, Qani Katroshi, Sali Doda, etj., si dhe disa emra hetuesish, gardianësh, oficerësh të Sigurimit të Shtetit, si Fadil Kapisyzi, etj.

  B U R G I M E T

              Kujtime të shkruara nga gusht 1973 deri në fund të dhjetorit 1977

                              Mund të durohen vetëm gjanat ekstreme

                                     Konti Rober dë Monteskje

Andej nga mbramja, i propozova Felatunit që të shikonim kur fikeshin dritat e ikshin hetuesat. Në birucë kishte ra një heshtje frike dhe nuk kuptohej shkaku. Herë pas here, ndigjoheshin të shara. Janë hetuesit më tha Felatuni. Mbas do kohe u hap dera dhe hynë dy oficera dhe na pyetën se cilët ishim.

Ah ti qënke Ëjëll Çoba?! Si e vije firmën ti? – Dhe e bani atë me gisht në mur e m’u afrue për ta parë a e kishte bë mirë.

Po, i’u përgjigja unë, duke mujt me mbajt gazin.

Nuk e kuptojsha ç’randësi kishte forma e një firme. Qani Katroshit, i thanë që qënke ba si qen stani. Dhe me ta, qeshi i kënaqun dhe Qaniu.

Shoferin e thirrën jashtë dhe mbasi e mbërthyen e goditën me grushta në gjoks. Ai bërtiste dhe ata pasi e lëshuen, e hodhën me një shkelm drejt dyshekut të tij. Ai ra përmbys dhe filloi tue bërtitë: ah, ah, e pasi ikën ata, na pyeste: a shkuen? Kur i thamë që ikën, u ngrit e filloi t’i shante me një fjalor të pasun shoferash.

Kuptova se hetuesit, kur kryjshin punën e ditës me të arrestuarit që kishin në ngarkim, në mbarmje kur s’kishin punë hyjin nëpër biruca dhe shikonin të rinjt që kishin ardhë. Mbi ata rrezik zinjtë, ata shpërndanin gratis një numër grushtash dhe shkelmash.

Gjithë pasdrekën e deri në mesnatë, rrijshim në pritje të vizitave të tilla. Prandaj Felatuni më kishte thanë që të hanim para mesnatës, që një vizitë e tillë të mos na e zinte në fyt ushqimin. Dhe pas mesnatës drita dha shenjë se do shuhej. Atëherë u ndigjuen hapa njerëzish me shprehje gazmore. Ishin hetuesit të qeshur nga puna e tyre dhe shpejtojshin me pi ndonjë gotë, që t’i mos i zinte nata. Kështu dhe ne hëngrëm të qetë. Më pas u shtrimë për me ç’lodhë nervat. Por para se të na vinte gjumi, digjoheshin britma e të shara. Ato fillonin duke u shtue saqë mu duk vetja sikur isha në ferrin e Dantes.

Felatuni më tha që thërrisnin njerëzit që ishin torturue. Në këtë gjendje nuk mund të flihej. Më dukej hera herës sikur njihja ndonji za miku. Por hetuesat “zemërmirë” ishin kujdesë që britma të tilla, t’i eliminonin me kujdes që familjet që banojshin afër burgut, të mos i ndigjonin. Dhe për këtë arsye u kishin dhanë urdhër rojeve të burgut që nga mesnata e deri në agim, t’i binin fizarmonikës. Natyrisht rojet e mjera, nuk merrnin vesh nga fizarmonika, por tingujt e tyre përziheshin me britmat e fatkeqëve dhe krijonin një kakofoni të keqe. Dantes nuk i kishte shkue ndërmend, me futë fizarmonikën në ferr, por hetuesve shqiptarë të Sigurimit po! E mora vesh ma vonë që këto mënyra torturash ishin instruktue prej sovjetikëve, nëpërmjet një kodi të veçantë. Kuptohet që natën s’mund të flinim në këtë gjendje. Vetëm afër agimit, kur britmat pushonin, bashkë me to pushonte dhe fizarmonika. Ne flejshim deri në drekë me një gjumë të keq. Në këtë gjendje kalonte dita kur dhe ne prisnim që të bërtisnim si kafshët.

Një ditë Sali Vuçiterni më tha:

Jam gati të bëj vetëvrasje, vetëm që të shpëtoj nga torturat.

Edhe unë i thashë të njëjtën gjë.

Ishim të gjithë në një gjendje frike sa vetëm dëshira me mujt me vdekë, na jepte kënaqësi.

Qani Katroshi më tha, se kur po vazhdonte hetuesinë, për ta bindë të fliste (kjo ishte shprehja e tyre sepse dhe vetë ata, s’dinin ç’ka pyesnin), e kishin përcjellë pa tortura në një birucë dhe i kishin thanë, a e shef kshu ta bajmë dhe ty?

Kishte pa një njeri të zhveshun deri në brez dhe që rrinte i lidhun me zinxhirë tek hekurat e dritares. Kambët posa i ciknin tikën, ndërsa koka i rrinte varun mbi shpatulla. Qaniu e kishte njoftë. Ishte Gjon Nikë Vuksani, ish – kapiten porti. Pas tri ditësh kishte vdekë.

Gjonin, e kishin akuzue se kur ishte në Durrës, kishte marrë pesë letra brenda një dite nga një oficer i misionit ushtarak anglez. Dhe se në një prej tyre ishin 5000 stërlina. Gjoni i shkretë, aq pare nuk i kishte pa as në ëndërr, pasi rridhte nga një familje e varfër e Shkodrës. Kishte studiue me bursë në Greqi, ku ishte martue me të bijën e një rusi që kishte ikë në kohën e revolucionit. Pas luftës italo-greke, kishte marrë dhe familjen e së shoqes në Shqipëri, për ta shpëtue nga uria. Thojshin se kunati, Vladimiri, i friksuem kishte pohue se Gjoni i kishte marrë stërlinat nga anglezi. Vladimiri u dënue me tri vite burg.

Një ditë morëm vesh se në birucën ngjitë (që komunikonte me tonën nëpërmjet një hapësire të vogël ku ishte vendosë llamba elektrike) ishin Hafiz Ali Kraja, Beqir Çela (që kishte fitue konkursin e himnit të flamurit në vjetin 1937) e ndonji tjetër. Më vonë Hafizi më tregonte se hetuesi i kishte dhënë Beqir Çelës një laps e letër, që të shkruante të gjithë aktivitetin e tij politik anti-pushtet. Në krye të dy tri ditësh, ky i’a paraqiste hetuesit por ky i fundit nuk ngelte i kënaqur.

Beqiri, zmadhonte tregimin e veprimit të tij imagjinar, por hetuesi ishte i pakënaqur. Natyrisht në këto tregime përmëndeshin dhe njerëz që ai i kishte njoftë. Hafizi e kishte këshillue që të mos zgjatej shumë, se më pas mund të kishte pasoja të rrezikshme, jo vetëm për personat që përmendte por edhe për vetë atë. I ishte përgjigj se s’mundte me i durue torturat. Si përfundim ishte dënue me vdekje dhe u pushkatue. Nuk kam dijtë sesa persona ishin dënue për shkak të fantazive të tij. Siç duket, hetuesinë e kishte kujtue një sprovë letërsie. Duke u vu në qendër të një rrjeti të gjanë veprimesh, ai nuk mund të dilte i gjallë. Ishte logjika cinike e hetuesisë së Sigurimit.

Nuk mund të liheshin të gjallë dëshmitarë mashtrues. Pas disa ditësh, thirrën Sali Vuçiternin. Kur u kthye, ishte i heshtun e i friksuem. Nuk i bana pyetje, megjithëse doja me dijtë sesi po silleshin hetuesat me të. Por mbramjen e ditës së dytë, në qeli na erdhi një oficer dhe pa nga ne. ‘Ti Sali, shko tek biruca nr. 1’, e i bani me shenjë rojës. Saliu u transferue.

Kaluen katër ditë dhe Felatunin e nxorën nga biruca sepse i kishte dhënë fund hetuesisë dhe ishte në pritje të gjykimit. Në vend të tij, prunë një italian, Augusto Betti, që kishte qenë elektriçist në Korçë. E kishte krye hetuesinë. Kishte qenë mik me drejtorin e AIPA-s, në Korçë. Fliste shumë mirë për drejtorin që e kishin pushkatue. E konsideronte të pafajshëm. Thoshte që i kishin ba tortura të randa. Dhe vetë Bettin, e kishin lidhë për këmbësh, tek hekurat e dritares dhe të mbështetur mbi një karrige. Linte të kuptohej se në atë gjëndje kishte folë dhe vetë kundër drejtorit. Një torturë të tillë, ndoshta i’a kishin rezervue atij si i huej.

Elektriçisti Betti, duhej të paguante edhe për pushtimin fashist. Ai, kishte një vajzë 5 vjeçe dhe të shoqen e kishte arsimtare. Më tregonte se vajza e tij para se të flinte, lutej për prindërit, për vete, për të sëmurët, dhe për të burgosurit. Nuk e kuptoja, më thoshte se pse duhet të lutej dhe për të burgosurit. Por tani e mësova se në burgje paska dhe njerëz të ndershëm. Sa shumë nguten njerëzit me dhanë gjykime. Përvoja e jetës qenka shumë e vlefshme për njeriun.

Në birucë kishim dhe një ish-oficer, akademik, antizogist matjan, i quajtur, Sali Doda. Në luftën italo-greke, e kishin zënë rob dhe ai kishte tregue gjithçka për pozicionet e ushtrisë fashiste.

Kur hynë në Greqi italianët, e gjetën dhe e internuan në një ishull. Kishin gjetur proçes-verbalet e tij dhe në bazë të tyre fillimisht e kishin dënue me vdekje. Dënimin i’a kishin falë dhe e kishin çue në burgun e Gaetas. Kur kishin hy anglo-amerikanët e kishin lirue dhe siç duket e kishin mbajt ca kohë për ta përgatitë për diversion.

Në vjetin 1944 e kishin hedhë me parashutë në zonat e Nacionalçlirimtares, dhe ai i ishte prezantue si oficer. I kishin ofrue të merrte pjesë në luftë si ushtar i thjeshtë. Nuk kishte pranue. Pas dy ditësh e kishin leju që të rikthehej në Itali me një nëndetëse. Por tri ditë më vonë, ishte kthye nga Italia për me shërbye pa grada. Kishte marrë pjesë në luftime. Pas prishjes së qeverisë komuniste me anglo-amerikanët, ishte arrestue në 1946-ën, i akuzuar si agjent amerikan. Kur po bisedojshim, nuk u stepa me i thanë që të mos u çudiste për hetimet. Ma vonë pasi kreu 10 vjet burg, u lirue.

Gjatë viteve të burgut, jam takue shpesh me kësi djemsh të rinj që lufta dhe rrethanat i hodhën ku mujtën. Gjatë ditëve që qëndrojsha në birucë, ndigjova ca zëra e të qeshura, dhe kambë që vrapojshin. Nuk po kuptojsha ç’po ndodhte. Dhe pashë në mënyrë pyetse tek shokët e mi.

Ata që ndodheshin prej kohësh në biruca më shpjeguen se ajo gjë, ishte një argëtim që i’a lejojshin vetes hetuesat, kur bënin punën gjatë ditës. Secili hetues merrte të pandehurin që kishte nën hetim ose torturë dhe pasi i rreshtojshin në fund të korridorit, u hypshin në qafë dhe të burgosurit bashkë me oficerat mbi shpinë, vrapojshin me bë gara me njëri tjetrin.

Natyrisht hetuesi “kalorës” merrte pjesë aktive në garë duke i gjuajtur në ije “kalit”, ose ku të mundte, hetuesit që ishte në shpinën e “kalit” ma të shpejtë.

Ashtu në ankth e në pritje që të më vinte radha edhe mue me i’u shtrue kashagitjes, po kalojshin ditët e lagshta të atij dimni, kur një ditë erdhi një roje e më thirri. Më përcolli në dhomën e kapterit, ku kishte një shtrat e një tavolinë. Aty po më priste një kapiten i klasit të parë, i thatë në trup, i zbehtë në fytyrë, me një za të hollë si të ishte i tredhun, buzë-hollë, por me dy dy sy të gjallë, sa në pamje të pare, nuk dallova mirë a ishin shprehje e një alkooliku apo të një njeriu inteligjent! Ma vonë e kuptova se i kishte të dyja.

Në bisedë e sipër kuptova se quhej Abdyl Haki Kuçi. Nga shprehjet kuptohej se ishte prej Kuçit të Kurveleshit. Kisha pa me sy torturat e bame me danë në trup të një kushrinit tim, për shkakun tim. Në tri-katër vende të trupit kishte gjakosje, shtypje e gërvishtje të mishit.

Të gjitha këto m’u paraqitën para syve me qartësinë e fotografisë, kur torturuesin e kisha përpara e m’u dukte se po mprehte hanxharët për të fillue punën edhe mbi mue, ashtu si shihet ndër filma. Por ai e filloi bisedën shumë butë, më pyeti për studimet, për karrierën time, për funksionet që kisha pasë, të cilëve unë i përgjigjesha me qartësi, pse ishin gjana të njohuna e unë s’kisha arsye pse t’i fshehsha, e as të kërkojsha me i zbutë ose me i ndryshue.

Kisha saktësinë e plotë se nuk kisha krye asnjë veprim në dam të vendit, as të popullit, madje sa herë më ishte paraqitë rasti, isha përpjekë me i vjeftë kujtdo.

Brenda pak ditëve, mbërritëm të plotësojmë proçes-verbalin, që hetuesit i’u duk i mjaftueshëm për të justifikue punën e tij hetimore. Këtë proçes-verbal e firmova pa vështirësi e pa pasë asnjë shtrëngim fizik. Vetëm një herë gjatë këtij proçes-verbali, u nxehëm në bisedë e hetuesi, në një çast nervoziteti, shtrëngoi një kamxhik që kishte në dorë dhe e përpoqi me forcë mbi tryezë.

Unë mendojsha se hetimi kishte marrë fund e kështu fillova të rri i qetë në qeli. Të kalojshe hetuesinë pa tortura në atë periudhë, ishte gja e pamundun.

Ky fat të më takonte mue? A do ta mbajshin fjalën që më kishin dhanë, kur u dorzova, se nuk do të më baheshin tortura? Prap më dukej e pamundun! Këto bluejsha në mend në ato ditë të lagështa e të ftohta të janarit të vitit 1947. Jeta e qelisë, jetë vorri, tanë frikë e mërzi! Në ato ditë filluem të shohim njerëz në brekë, që rrijshin në kambë me fytyrë nga muri në fund të korridorit, në mes të derës së qelisë sonë dhe derës.

I pari për të cilin morëm vesh ishte Shefik Kondi, tiranas, burrë në moshë e njeri i urtë e me humor. Shokët e qelisë më treguen se edhe ma përpara e kishin vu aty në fund të korridorit e se në një moment krize, të shkaktueme nga lodhja, kishte hapë të gjitha llozat e qelive tue bërtitë: “Dilni!”

Shoku tjetër që i’u shtue Shefikut, ishte Dom Shtjefën Kurti, edhe ky me brekë të shkurta në kambë e me fytyrë nga muri. Herë pas here shtohej e paksohej edhe ndonjë tjetër, që s’arrijshin t’ia mësojshim emnin. Sa herë hyjsha e dilsha prej qelisë, nuk shikojsha nga ata, pse m’u dukte vetja i lig. Të shohësh dy njerëz, dy të njohun në vuajtje e të mos jesh i zoti t’u vijsh në ndihmë! Por ja ma pak e tmerrshme ishte kur natën i ndiejsha se ata, nga lodhja e nga gjumi, bijshin përdhe me shungullimë dhe rojet tue u ra me shkop, bërtitshin: “Çohu, ngrihu a derëzi!’

Andej nga ditët e fundit të janarit, më thirri prapë hetuesi. Filloi të më thotë se duhej të bajshim një proçes të ri, pse atë që kishim ba, nuk e pranonte drejtoria e Sigurimit. “E natyrisht nuk e pranova as unë”, shtonte hetuesi,’pse nëpër flakë të topit, ti del i padjegun”. Unë i’u përgjigja menjëherë, se unë nuk kisha kurrgja tjetër për të thanë e as për të shtue. Atëherë hetuesi më tha se Drejtoria e Sigurimit, donte të dinte:

Cilët ishin spiunët e Ministrisë së Punëve të Mbrendshme?

Si janë marrë vendimet për ekzekutimet e 4 shkurtit dhe të 28 shkurtit 1944?

Me cilët persona kisha pasë lidhje gjatë kohës që kisha qenë i arratisun?

Nga lloji i çashtjeve e nga toni i hetuesit, e kuptova se do të kërkonte edhe me tortura, me pasë rezultatin që dëshirronte. E mbasi nga pika e tretë do të implikohej edhe im vëlla, Keli, që më kishte strehue, vendosa të mbaj qëndrim krejt mohues, jo vetëm për të mos implikue persona të tjerë, gja për të cilën i’a kisha mbushë mendjen vetes qysh se u dorzova, por edhe për të mos fajsue veten pa pasë faj, e për t’u shpëtue torturave.

Kur u ktheva në qeli, ua tregova shokëve shkurtimisht si qëndronte puna me hetuesin. Betti, ai italiani, që kishte një praktikë ma të gjatë me hetuesa, më tha haptas se do të fillonte një periudhë e gjatë torturash. Ishte e qartë se nuk kisha asnjë mundësi për ndonjë masë paraprake lehtësuese të vuajtjeve; e vetmja gja që mund të tentojsha, ishte me u vesh sa ma trashë, me shpresën minimale që të mos më zhvishnin. Për këtë shtova një pulovër dhe e vesha për mish, nën këmishë. Natyrisht atë natë fjeta pak ose aspak.

Megjithatë, të nesërmen, kur zbardhi dita, një ditë e zymtë, e ftohtë dhe e lagësht si i gjithë ai dimën i 1946-1947-ës, e ndjeva veten moralisht shumë të fortë për t’i qëndrue çdo torture, e për të mos marrë më qafë asnji njeri. Vetëm për këtë i lutesha Zotit, kurse për veten time, as vdekja nuk më trembte, madje e mendojsha si një zgjidhje fatlume.

Kur më thirri, si zakonisht në dhomën e kapterrit të rojeve, hetuesi ishte shumë i zymtë. Filloi të më tregonte se e njihte mirë organizimin e Ministrisë së Mbrendshme dhe mënyrat e mjetet me të cilat para çlirimit shtypej populli, t’ue lanë me kuptue se mjeti ma i përdorun për të zbulue neokomunistat e veprimet e tyne, ishte aktivizimi i spiunëve.

Më pyeti gjithashtu se kush hynte e kush dilte në Ministri. I’u përgjigja se këtë nuk mund ta dijsha, mbasi kisha zyrë më vete dhe nuk më interesonte të dijsha një gja të tillë; por kur hetuesi i nevrikosun insistoi me dijtë se kë kisha gjetë në zyrë të Ministrit sa herë hyjsha unë, i’u përgjigja se kisha gjetë disa herë Hysni Demën, Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, Tahir Kolgjinin, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, e ndër privatë, një herë kisha gjetë Beqir Valterin, i cili kishte qenë dënue prej gjyqit special dhe ekzekutue.

Hetuesi u kthye prapë tek çështja e spiunëve, kur e pa se unë po insistojsha tek shpjegimet e dhanuna, u nervozue dhe më tha të hiqja pallton dhe pulovrën, dhe më la vetëm me këmishë. Më nxorri në koridor dhe thirri rojen e quajtur Vani, e i tha të më linte në fund të koridorit, ku ishin dhe nja tre të tjerë. Atëherë roja i tha diçka në vesh hetuesit. Ky i’u përgjigj “fute në banjo”. Ai erdhi vetë e pasi më la aty më tha: “rri këtu e mendohu”.

E mora me mend se roja do ti ketë thanë që ndër ata të tre që po rrinin në fund të koridorit, ishte dhe Dom Shtjefën Kurti. E meqë dhe unë isha katolik si ai, rojes mund ti shkonte ndër menje, që kushedi se çfarë komplotesh mund të thurnim. Sigurisht roja pa dashje bani një të mirë, që në nevojtore nuk isha nën shikimin e tij, e që mund të mbështetesha në mur ose të ulesha. Dera ishte e mbyllur dhe si të gjithë qelitë, kishte një sportel të vogël që roja e hapte, sa herë donte të shihte se ç’bëhet në banjo. Prej sportelit vetëm ajo formonte një si hyrje në atë korridor të ngushtë.

Dikur kishin pas dyer të gjitha nevojtoret dhe pasi i kishin heqë kishin ngelë vetëm kornizat. Kështu që kur shkojshin katër veta të tjerët prisnin në koridor, natyrisht me shpinë duke mos sjellë veprimet e shokëve e shpesh herë tue mbyllë hundët e veshët.

Porsa kapiteni hetues dhe roja mbyllën derën dhe më thanë të rrija aty, hapa veshët për me kuptue nëse kishte njeri në banjo. Menjëherë e kuptova se dikush në heshtje të thellë po merrte frymë. Po kush ishte? Ndonjë si unë apo roje për nevojat e veta. Prita e mbas do kohe kur u sigurova që s’kishte roje afër derës, zgjata kryet me pa se kush ishte.

Në fund të koridorit i varun me zinxhirë barkash tek hekurat e dritares, ishte një burrë i gjatë. E njoha pasi kishte qënë shofer në Ministrinë e Drejtësisë, me mbiemër, Stërmasi. Hapi sytë dhe ai më njohu. Ma shumë me shenja se me fjalë. Shfaqi çudinë që po më shihte aty e i thashë:

A mund të të ndihmoj?

Jo, – më tha, s’ke ça ban, pasi kam disa ditë që e gdhij këtu.

Shihej se ishte shumë i lodhun e donte me fjetë gjumë. Ndërkohë prej nevojtores nxorri kryet një djalë i ri me kambët zbathur në çimento. Quhej Emin Bakalli, vëllai i doktor Bakallit. Kishte qënë në shkollën e Fulcit dhe kjo mjaftonte që ta kuptoje pse ishe aty. Më tregoi që në nevojtoren tjetër, ishte Panajot Zbogi, një himarjot me tip dinamik. Këto ishin njohjet me shokët e torturës.

Pak para mesditës, erdhi roja e u dha një franxholle Bakallit e Zbogit. Bakalli më ofroi gjysmën e saj, po unë e refuzova, duke i thanë se s’kisha uri. Pas mesditës na nxorën prej banjos dhe na shpërndanë në qelitë e tjera. Mue më lanë në koridor e më hodhën një velenxë që më mbulonte tanë trupin. Megjithëse ishte e randë, mu më ngrohu. Dita e atij janari ishte e ftohtë e unë e ndjej shumë atë.

Natyrisht roja nuk ma bani këtë për të mire, por për “vigjilencë revolucionare”, që të mos më njifshim të burgosurit e tjerë kur shkonin në nevojtore. Sigurisht të tilla ishin urdhnat e hetuesve. Në këtë pozicion unë ndenja tri orë derisa mbaruen punë të gjithë të burgosurit në banjo. Mandej të katërt na kthyen prapë në vëndet e caktueme dhe aty qëndruem gjithë natën.

Kur mendojsha Stërmasin e kryqëzuem si Krishti dhe Bakallin zbathë në çimento, m’u duk vetja i privilegjuem. Fillova të ndjej lodhje e herë pas here shtrihesha por gjithnjë tue pas vëmenjen tek hapat e rojes që mos vinte e na shihte që ishim shtri.

Në katër të mjesit na çuen prapë në nevojtore. Kësaj here më shtinë dhe mue në qelinë time. Tani ishte një roje më pak vigjilent. Përfitova me u futë në dyshek e me fjetë dhe ato orë kaluen shpejt.

Kur erdhi roja me më çue tek vëndi i torturave, më pa që isha shtri dhe më tha: “edhe qënke mbulue nën rroba”?! Dhe më qëlloi me fshesën që kishin sjellë me pastrue qelinë. U ktheva për të fillue ditën e dytë në nevojtore. Aty i gjeta dhe tre rrezikzezët. Qe një kthim krejt melankolik.

Njëri pas tjetrit shokët e torturës i thirrën hetuesat e i kthyen përsëri aty. Pas tyre më thirrën edhe mue. Hetuesi më pyeste e kur unë nuk i’u përgjigjesha siç donte ai, atëherë më godiste me grushte e shkelma, duke më thanë se isha armik i betuem. Për fatin tim ky ishte, Abdyl Haki Kuçi, kapiten hetues imcak dhe në dukje me tuberkuloz dhe i pafuqishëm për të më goditë randë. Kështu që goditjet e tij kishin efekt vetëm me më ngrohë. /Memorie.al

Shpërndaje