Gjashtë deputetë të Kuvendit Popullor të Serbisë janë deklaruar se e njohin pavarësinë e Kosovës në një takim të zhvilluar me kryeministrin kosovar Albin Kurti.
Siç bën të ditur Zyra e Kryeministrit të Kosovës, bëhet fjalë për deputetët Sulejman Ugljanin, kryetar i Partisë Aksioni Demokratik i Sanxhakut (SDA), Shaip Kamberi, shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak”, deputetët Enis Imamoviq, Nadije Beqiri, Mirsad Hodzhiq, Argjend Bajrami dhe Selma Kuçeviq, të cilët, siç thuhet, “ia shprehën gjithë përkrahjen e tyre Kryeministrit të Kosovës”.
Kryetari i SDA-së, Sulejman Ugljanin e falënderoi kryeministrin Kurti për miratimin në Kuvendin e Kosovës të rezolutës që dënon gjenocidin në Srebrenicë. Ai tha se boshnjakët janë shumë mirënjohës që Kuvendi i Kosovës u rreshtua në anën e së drejtës dhe dënoi krimin më të madh në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore, ku 8.000 burra e djem boshnjakë u vranë e u masakruan në një ditë nga forcat serbe të sigurisë.
Ai tha se e përkrahin kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës në angazhimin për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi.
“Duke mbrojtur të drejtat e shqiptarëve ju po mbroni edhe të drejtat e boshnjakëve”, ka deklaruar Ugljanin, njofton komunikata.
Ugljanin e vlerësoi qasjen e kryeministrit Kurti për vendosjen e reciprocitetit të të drejtave të pakicave kombëtare në Kosovë dhe në Serbi, duke thënë se ky është ilaçi i zgjidhjes së problemeve të pakicave në Ballkan.
Ndërkaq, Kurti tha se aktualisht gjysma e Sanxhakut ndodhet në NATO e gjysma jo, duke u bazuar në faktin që një pjesë e Sanxhakut ndodhet në Serbi e tjetra në Mal të Zi.
“Serbia duhet të distancohet nga e kaluara e përgjakshme dhe politika e Sllobodan Milosheviqit. Pa u distancuar dhe pa e bërë Serbia një introspeksion për të kaluarën e saj, nuk mund të ecet drejt të ardhmes dhe normalizimit të raporteve me Kosovën”, tha kryeministri Kurti.
Ndryshe, të mërkurën, Kuvendi i Kosovës, me 89 vota pro, miratoi një rezolutë nëpërmjet të cilës dënohet gjenocidi i Srebrenicës në Bosnjë e Hercegovinë, gjë e cila mori mbështetje nga të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës, pos deputetëve serbë.