Gëzim Olaj, historia e djalit që i vranë ëndrrën!

Shpërndaje

Nga Senad Nikshiqi

Gëzim Olaj, historia e djalit që i vranë ëndrrën!

Një telefonatë paraditen e djeshme më shokoi. “Senad është djeg bujtina e Gëzimit, 3 milion euro dam”. Nuk e besova dhe e mora si tallje. Aq shumë dyshova sa e telefonave vetë duke e pyetur si je Gëzim? Si me ken o Senad, më tha, kanë djegë gjithçka! Jam tu ardh nga Tirana urgjent por s’ka mbet asgja. Qysh dje e deri tash prap më duket i pabesueshëm ky akt makabër i asaj dore vrastare!

Që herët kur ende nuk kishte nisur të vendoste asnjë tullë, miq nga Boga por edhe Thethi më treguan projektin ambicioz që Gëzim Olaj kishte vendosur ta sillte në vendlindjen e tij. Edhe pse një nga shqiptarët e pasur që ka shtruar jetën në Angli bashkë me familjen e tij, Olaj erdhi për të lënë një gjurmë në Qafë Thore, atë mrekulli të natyrës ku thuajse takohesh me Perënditë.

Nuk kaloi shumë kohë dhe Gëzimi ia nisi ndërtimit edhe pse prej vitesh në Qafë Thore kishte një lokal të vjetër që u shkrumbua bashkë me gjithë ndërtesat e tjera të bujtinës “Buni i Bajraktarit” ende pa hapur dyert. Ca keqbërës e inatçor për sukesin e Gëzimit shkuan dhe i vendosën flakën duke i shkaktuar 3 milion euro dëm.

Kur Pjetri, roja simpatik i bujtinës së Gëzimit mbeti i bllokuar në një prej ndërtesave të kësaj bujtine pak kohë më parë kur bora nuk pushonte dhe kishte shkuar rreth 5 metër në Qafë Thore, rasti e solli që Gëzimin ta takoj në lokalin e vogël në Bogë në darkë vonë pasi banorët të nxitur nga vetë Gëzimi, më pas edhe policia, Zonat e Mbrojtura shpëtuan Pjetrin. Dhe një çlodhje e të gjithëve bashkë ishte mëse normale. “Nuk do e lija Pjetrin edhe sikur të merrja helikopter privat”, thoshtë Gëzimi për rojen e tij që në fakt nuk e braktisi. Madje sfidoi shtetin!

Gëzimi në atë natë të ftohtë përveç bujarisë më tregoi qetë e qetë gjithë projektin që kishte dhe ëndrrën e tij për ta kthyer Bogën, Qafë Thoren dhe Thethin po ashtu në zonën turistike më të pakonkurueshme pse jo për shumë shtete të botës. Më tregoi se si shumë shpejt do blinte një borëpastruese sepse shteti shqiptar përveç lojërave të fjalëve nuk mundësoi asnjëherë hapjen e rrugës Bogë-Qafë Thore-Theth që bllokohet nga bora duke izoluar banorët e duke ndaluar turizimin malor dimëror. Gëzimi e bleu borëpastruesen edhe pse këtë vit nuk mund të ishte efektive sepse bora kalonte 3-4 metër. Këtë vit do të sillte edhe një mjet tjetër po aq të shtrenjtë me idenë për ta mbajtur rrugën gjatë gjithë dimrit të hapur nga Boga deri në Theth. Të gjitha me paratë e tij.

Në fakt bujtina ishte në Qafë Thore por Gëzimi me vizionin e tij të biznesit dhe eksperiencën angleze e kishte kuptuar se sa më shumë mundësi zhvillimi aq më shumë do punonte edhe ai vetë. “Senad do e mbaj rrugën hapur deri në Theth. Sa më shumë të punojnë të tjerët aq më shumë punoj edhe unë. Duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin, unë e kam mundësinë”, thoshte Gëzimi pa më të voglën ndjenjë xhelozie. Në këtë mënyrë nga ky vendim i Gëzimit do përfitonte çdo bujtinë nga Boga e Malësisë së Madhe deri në Theth të Dukagjinit sepse rruga nuk do të qëndronte më e bllokuar nga bora. Por siç duket dikujt nuk i ka pëlqyer projekti i Gëzimit duke shkuar deri aty sa i gjithë investimi i tij të përfundojë në flakët e zjarrit.

Gëzimi kishte nisur edhe ndërtimin e një lloj teleferiku super të gjatë që do çonte turistët nga Boga poshtë deri në një prej majave në Theth me një pamje si e Parajsës apo edhe pistat për ski për të bërë që shqiptarët e gjorë të mos shkojnë më në Kolashin por të vinin në vendin e tyre, në një natyrë të pakrahasueshme siç janë alpet.

Në telefonin e Gëzimit ishin mesazhe e telefonata të pafundme me politikanë të të gjitha krahëve deri në rangun më të lartë. Gëzimi kishte vetëm një temë bisede. Turizmin. Zhvillimin nga Boga deri në Theth. Gëzmi nuk fliste as për vota, as për kurthe politike ndaj njëri apo tjetrit, as për dëmtimin e pronarëve të tjerë të bujtinave por në çdo moment kryefjalë ishte turizmi dhe tentativa e tij që ajo rrugë që nuk ishte hapur kurrë për 30 vite me radhë të kalonte tek Autoriteti Rrugor Shqiptar e jo të vijonte e coptuar njëra pjesë në varësi të bashkisë Shkodër e tjetra të Malësisë së Madhe duke sjellë edhe përplasje mes këtyre dy bashkive, jo e ke ti, jo e ke ti hapjen e rrugës nga bora. Jo kjo firmë, jo ajo firmë.

Këto projekte ishin vetëm fillimi i një rrugë të gjatë të një njeriu plot vizion që në vend të përkrahjes mori si shpërblim lajmin e tmerrshëm të djegies së bujtinës së tij me një dëm prej 3 milion euro, ndoshta dëmi më i madh i këtij lloji në këto 30 vite në Shqipëri.

Unë nuk e di se çfarë po bën policia dhe as strukturat e tjera por është më shumë se detyrim që të paktën zjarrvënësit të gjenden. Ky është minimum. Ndërsa shtetit i mbetet për detyrë që të gjejë formën për ta ndihmuar Gëzimin, për të mos e braktisur në këtë moment të vështirë! I vranë ëndrrën! Por shteti t’i kthejë shpresën!

Shpërndaje